Procesi i rindërtimit të banesave pas tërmetit të 26 nëntorit, vijon në zonat e prekura. Ditën e sotme ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishte i pranishëm në zonën e Shijakut ku inspektoi nga afër punimet që po bëhen në kuadër të rindërtimit.
Në këtë zonë do të ndërtohen 30 pallate të reja, për afër 670 familje. Po ashtu do të ndërtohen 800 banesa individuale nga të cilat 600 i janë dorëzuar tashmë familjeve. Sakaq 4 shkolla e 1 kopësht janë ndërtuar dhe 2 të tjera që po ndërtohen me financim nga BE, si dhe ndërtimi e modernizimi i gjithë infrastrukturës publike.
Ministri Ahmetaj tha se brenda fundit të vitit edhe kjo lagje do të ketë përfunduar, së bashku me rikualifikimin urban, trotuare, gjelbërim e ndriçim, e familjet do të jenë akomoduar në shtëpitë e reja, falas
'Kjo është lagja e re Lugina, një nga zonat më të dëmtuara, ku po ndërtohen 21 pallate me 6-7 kate, 125 vendparkime nëntokësore e 150 mbitokësore, ndërsa ka përfunduar pjesa kryesore e infrastrukturës publike. Në fund të vitit do ta kemi dorëzuar dhe kantierin e Shijakut dhe qytetarët do të futen në banesat e tyre. Duhet të punohet me orare të zgjatuar dhe të shfrytëzohet e gjithë koha e thatë, që të kemi mundësi që të futen shumë familje.'- tha Ahmetaj.