Procesverbali/ Propozimi i deputetit: Të numërojmë dëshmorët, nuk janë 28 mijë

Procesverbali/ Propozimi i deputetit: Të numërojmë dëshmorët, nuk janë 28 mijë

Foto ilustruese

TIRANË- Deputeti i opozitës Myslim Murrizi ka bërë një propozim të pazakontë në mbledhjen e fundit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, teksa kërkoi ngritjen e një komisioni shtetëror për të numëruar dëshmorët e atdheut. Sipas tij, numri zyrtar i dëshmorëve dhe i veteranëve të luftës nuk është real, duke ngritur pretendime se janë shtuar të paktën 9 mijë. Murrizi ka pohuar se 56 mijë e 300 kanë pasur statusin e veteranit dhe 28 mijë kanë qenë dëshmorë bëjnë 84 mijë, ndërkohë kujtoi se në histori ‘kemi mësuar që ushtria

nacionalçlirimtare e partizanëve ka pasur 70-75 mijë vetë’. Murrizit i është përgjigjur zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i ftuar në Komision, i cili ka sqaruar se duhet pasur parasysh se veteranë quhen të gjithë ata që deri në maj të vitit 1945 në pozicione të ndryshme dhe jo patjetër partizanë kanë luftuar ose kanë qenë pjesë e veprimtarisë antifashiste nacionalçlirimtare. Diskutimet janë zhvilluar gjatë shqyrtimit të projektligjit "Për një shtesë në ligjin nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, të ndryshuar”, i cili shpall datën 20 korrik si ditën e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

( Kliko këtu ) Procesverbali i plotë i mbledhjes së Komisionit të Sigurisë

Debatet në Komisionin e Sigurisë

-Petro Koçi: Janë 56 mijë e 300 e ca dhe kur i rrumbullakosim shifrat themi rreth

56 mijë e 500 individë, të cilëve u është njohur Statusi i veteranit. Tashmë janë rreth 7 mijë persona që janë ende gjallë, që e gëzojnë statusin.

-Myslim Murrizi: Pra, 56 mijë e 300 kanë pasur statusin e veteranit në vitin 1994. 28 mijë thoni që kanë qenë dëshmorë bëjnë 84 mijë. Ndërkohë që në histori kemi mësuar që ushtria nacionalçlirimtare e partizanëve ka pasur 70-75 mijë vetë. Na dalin 9 mijë tepër, nga i keni gjetur?! Çfarë është gënjeshtër këtu: numri i dëshmorëve, numri i partizanëve apo numri i veteranëve? 9 mijë nuk janë pak, nuk na rakordojnë shifrat, del si ajo 7 herë 7. Të kesh qenë partizan, minimalja duhet të kesh datëlindjen në vitin 1928 që të të kapte mosha 16 vjeç në vitin 1944. Sot i bie të jesh 91 vjeç, ta kesh zhvilluar luftën 12 vjeç, të kesh qenë debatikas nga Coli e këtej. Po të kesh qenë më i madh i bie të jesh edhe më i moshuar. Unë si deputet i kam bërë një kërkesë, edhe Sigurimeve Shoqërore, edhe

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të parë listën e votuesve se sa kemi gjallë në moshën 91, 92 deri te 100 vjeç, i fundit më duket ndërroi jetë para disa ditëve. Përsëri jam shumë skeptik për numrin.

-Petro Koçi: Unë i prisja pyetjet me karakter politik, por jo kërkesën për të parë një dokument. Ky është një fakt që dihet historikisht, më 20 korrik 1957 është krijuar për herë të parë një organizatë... Për sa i përket moskorrespondimit të shifrave, është një pyetje shumë interesante. E para, nuk merr statusin e veteranit patjetër ai që ka qenë me armë në dorë duke luftuar në rreshtat e formacioneve të ushtrisë nacionalçlirimtare, por janë të gjithë ata që në role, rrethana të tjera janë shpallur veteranë të luftës për shkak të kontributit konkret që kanë dhënë gjatë asaj lufte. Në këtë rast dua t’ju shpjegoj që edhe dëshmor i atdheut që i përket kësaj periudhe nuk duhet patjetër të ketë qenë një partizan me armë në dorë, por mund të ketë pasur funksione të tjera: korrier, bazë e luftës e të tjera që në aksionet hakmarrëse, në vendimet e pushtuesve apo të bashkëpunëtorëve të tyre kanë përfunduar me vdekje. Nuk ka lidhje se duhet të korrespondojë patjetër shifra 56 mijë, plus 28 mijë që të dalë numri i atyre që kanë qenë pjesë e formacioneve partizane, i cili është 73 mijë. Është një logjikë, e cila vlen për të ndërtuar një pyetje, por jo për të nxjerrë një konkluzion të pandryshueshëm. Për sa i përket moshës duhet pasur parasysh se veteranë quhen të gjithë ata që deri në maj të vitit 1945 në pozicione të ndryshme dhe  jo patjetër partizanë kanë luftuar ose kanë qenë pjesë e veprimtarisë antifashiste nacionalçlirimtare. Ju e dini se një pjesë e formacioneve partizane kanë kaluar edhe kufijtë shtetërorë të Shqipërisë për të çliruar pjesë të territoreve të tjera që ishin pjesë e rajonit të Ballkanit. Unë besoj se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare duhet të kthehet në një vlerë që na bashkon të gjithë.

-Spartak Braho: Pa dyshim që ky korrigjim, ndonëse i vonuar për caktimin e datës së Organizatës së Veteranëve është një masë e rëndësishme apo një propozim në kohë i qeverisë në kuadër edhe të festimit të 75 -vjetorit të çlirimit të vendit, e plotëson këtë boshllëk. Pra, kemi të bëjmë thjesht me rivendosje apo me piketim të një date, e cila duhet të përkujtohet, jo vetëm nga veteranët, por nga i gjithë populli shqiptar. Sot është dita që ta miratojmë. Madje sot është dita që të mbajmë edhe një minutë heshtje për veteranin 100 vjeçar Rahman Parllaku, por kjo le t’i mbetet seancës plenare, sepse figura e tij është një figurë e ndritur e Luftës Nacionalçlirimtare. Unë mendoj që ta miratojmë këtë ndryshim.

-Myslim Murrizi: Pas njëzet e nëntë vjetësh postkomunizëm nuk kemi pse të tallemi më me shqiptarët. Nuk ka arsye që fëmija im të mësojë nëse kemi pasur shtatëdhjetë mijë partizanë, shtatëdhjetë e tre mijë, shtatëdhjetë e pesë apo tetëdhjetë e katër, sa dalin me shifra. Nuk kam pse shoh me shall të kuq në qafë veteranë lufte që kanë lindur mbas prishjes së kooperativave. Është turp. Ata që kanë qenë në luftë, aq sa të jenë gjallë, por që kanë qenë realisht në luftë, jo ata që u paskan çuar çorape partizanëve, që kanë ngrënë e kanë pirë a ku di unë çfarë kanë bërë, paskan raportuar për të vrarë nga Mustafa Gjinishi e deri në fund, marrkan statusin e veteranit të luftës. Ngrini një komision. Jua thashë: do t’ju sponsorizoj edhe unë, me sa të kem takat, jua lë rrogën gjashtë muaj. Shkoni e numërojini varrezat e dëshmorëve se sa janë! Na thoni ekzakt sa janë, sepse po të jenë vrarë 28 mijë, me 124 gjermanë e 315 italianë, i bie që një nga ata armiq, për të cilët kemi thënë se kanë ikur, të ketë vrarë 70 trima nga këta tanët. Kjo është denigruese. Në qoftë se nga kjo ushtri prej shtatëdhjetë mijë vetash, që thoni ju, janë vrarë njëzet e tetë mijë, pra 40 %, atëherë paska qenë turmë, popull, një popull që ka ikur në ekzil. Prandaj, na e thoni ekzakt, mos ecni me frymën se kështu e ka thënë që nga viti 1945 partia jonë, ajo që kemi qejf ne, dhe kështu do të themi edhe ne. S’ka asgjë të keqe të reduktohet numri, por ama të jetë real numri i veteranëve, numri i dëshmorëve, numri i këtyre që morën shpërblim financiar. S’ka asgjë të keqe.

-Ermonela Felaj: Nuk ka nevojë të përdoret ky ton.

-Myslim Murrizi: Po çfarë toni kërkoni? T’i them Spartakut që gënjen? Nuk i them...

-Ermonela Felaj: Nuk jeni vetëm ju dhe z. Braho në këtë mbledhje. Janë më shumë se kaq njerëz.

-Myslim Murrizi: I thuaj pra, që të mos më ndërhyjë. Se kur ndërhyn ai, unë e trash tonin.

-Ermonela Felaj: Po nuk mundet, sepse është një ngjarje që e kujtojnë të gjithë popujt.

-Myslym Murrizi: Mos ma ndërprit fjalën fare! As më intereson farë se çfarë mendon ti për ngjarjen.

-Ermonela Felaj: Nuk kam ndërmend fare të të tregoj historinë, se nuk kam mbaruar për histori. Por edhe sikur, prapë nuk do ta bëja.

-Myslim Murrizi: Nuk po ta heq njeri enverizmin ë ke në shpirt. Mbaje, ta gëzosh! Vetëm me shifrat mos u tallni! Kaq! Pse po ta heq enverizmin unë ty? Mbaje! Shko më 5 maj atje! Shko te varri i Enverit! Bëj çfarë të kesh qejf! Sepse, në fund të fundit, unë të paktën, për këtë kam luftuar në atë Dhjetor të nëntëdhjetës: që secili të jetë i lirë. Por jo që atë që beson t’i të ma imponosh edhe mua si mashtrim.

Murrizi- “Ngrini një komision. Shkoni e numërojini varrezat e dëshmorëve se sa janë! Na thoni ekzakt sa janë, sepse po të jenë vrarë 28 mijë, me 124 gjermanë e 315 italianë, i bie që një nga ata armiq, për të cilët kemi thënë se kanë ikur, të ketë vrarë 70 trima nga këta tanët”.

Petro Koçi- “Dëshmor i atdheut që i përket kësaj periudhe nuk duhet patjetër të ketë qenë një partizan me armë në dorë, por mund të ketë pasur funksione të tjera: korrier, bazë e luftës e të tjera që në aksionet hakmarrëse, në vendimet e pushtuesve apo të bashkëpunëtorëve të tyre kanë përfunduar me vdekje”.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zosi: 01/10/2019 11:58

    O Murriz, po ke harru ata militante qe nuk benin pjese ne rradhet e partizaneve, qe aktivizoheshin neper qytete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë