Profil/ Azem Shkreli, kur këndonte shpirti i poetit

Profil/ Azem Shkreli, kur këndonte shpirti i poetit

Poeti Azem Shkreli

Nga Vlash Prendi

Një nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare mbetet poeti i njohur Azem Shkreli, i cili lindi Më 10.02.1938 në Shkrel të Rugovës, krahina e Pejës.Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje i vijoi studimet në qytetin e Prishtinës ku mbaroi në fillim shkollën e mesme dhe më pas të lartën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.Ka qënë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës,drejtor i Teatrit Krahinor të Prishtinës dhe për shumë vite si dhe drejtor i Kosova-Filmit.Azem Shkreli zë një vend nderi në letërsinë shqipe sepse kultivoi me shume sukses poezinë moderne shqiptare duke e radhitur këtë me dinjitet krahas letërsisë kontemporane botërore.

Por krahas cilësisë ai zgjeroi edhe spektrin tematik,himnizoi heroin lirik si dhe solli një ndjesi të re ndaj figurës letrare,ndaj përdorimit artistik të fjalës dhe gjuhë.Ai u ngjit natyrshëm në majat e poezisë shqiptare sepse kjo ngjitje u shkallëzua në kohë që nga vëllimi i parë i tij me poezi “Bulëzat”,botuar dhe pritur me shumë interes nga lexuesi në vitet 1960.Ky vëllim poetik tregoi se në letërsinë shqiptare po lindte një talent i spikatur.Dhe kritikët nuk kishin gabuar sepse veprat e Azem Shkrelit pasuan njëra – tjetrën.Në letërsinë tone spikasin edhe vepra të tilla si “Engjëjt e rrugëve”-1963, “E di një fjalë prej guri” -1969, “Lotët e maleve” -1974, “Nga bibla e heshtjes” -1975, “Vjersha” -1977, “Pagëzimi i fjalës” -1981, “Kënga e hutinit” -1986, “Shtatë nga ata” -1989, “Nata e papagajve” -1990, “Zoti nuk është shqiptar” -1992, “Lirikë me shi” -1994, “Zogj dhe gurë”-1997,të cilin e la në dorëshkrim.Pas vdekjes u botua edhe një vëllim me poezi të zgjedhura me titull “Zjarr i fjetur”.Është përfaqësuar denjësisht edhe në prozën shqipe, ku ka shkruar me sukses novelën “Syte e Evës” -1975, “Muri përfundi shqipes…” -1976, romanin “Karvani i bardhë” -1961 si dhe dramat “Fosilet” -1968 dhe “Varri i qyqes” -1983, shumica e tyre botuar në Prishtinë.Azem Shkreli ndërroi jetë me 23 maji të vitit 1997, duke mbetur kështu legjendë e gjallë e letërsisë shqipe.

DHIMBJA NË VARGJET E NJË POETI

Poeti i shquar Azem Shkreli shëtiti rrugët e vendlindjes së tij, Kosovës martire për 59 vjet, rrugëve ku kishte ngelur gjaku për liri, urrejtja për pushtuesin. Aty ishin larë me lotin e mallit për t’i parë një herë të lirë. Prishtina u mbulua në zi dhe vajtoi për poetin e saj të dashur, por Prishtina është më tepër se kurrë krenare, sepse lindi prej gjirit të saj një nga ata poetë që mbesin të pavdekshëm, vepra e tyre, mendja e tyre ,goja e tyre dhe shpirti i tyre i madh u shua për Kosovën martire. I tillë ishte Azem Shkreli. Më kujtohet rreth vitit 1975,në një nga libraritë e Elbasanit, më ra në sy vëllimi i vogël poetik “Lotët e maleve”.I vogël, vetëm 90 faqe, por mbante brenda ndjenja shpirtërore përrallore, mesazhe lirie përzier në urrejtje ndaj armikut dhe pushtuesit. E lexova me një frymë, ndjeva se figura e këtij poeti gati të panjohur për mua po rritej e rritej, po merrte përmasa vigane, ashtu siç ishte në të vërtetë. Mjeshtër i vargut ,mjeshtër i përdorimit të metaforës, mjeshtër i fjalës artistike, artist i papërsëritshëm,që mbante në vetvete mjaft ndjenja ,njëherësh kontraditore.Herë shfaqej si “Engjëll i rrugëve”,pastaj shoqëronte “Karvanin e bardhë” ,e më pas ngrinte zërin: “E di një fjalë prej guri” ,vizitonte me dhembshuri “Varrin e qyqes”, recitonte papushim “Biblën e heshtjes” e më pas e këndonte “Këngën e hutinit” ,por shihte dhe admironte “Murin e shqipeve”. Të gjitha këto, të panjohura nga ne. Më vjen keq ta them që deri në vitin 1974 kur u botua vëllimi i tij i parë, ky poet nuk njihej fare në vendin tonë. Por edhe më pas në vitet 1974-90, pra për 14 vjet, u botuan vetëm dy përmbledhje poetike sa për t’a prezantuar poetin tek lexuesi ynë.Por poeti ynë i madh nuk mbeti i panjohur, Azemi ishte nga ata poetë që i këndonte pena në duar, vargjet i dilnin nga thellësia e shpirtit, sidomos ato vargje që shkruante për vendlindjen e tij, Kosovën martire. E kështu pra, zemra e poetit shkrihet n’vajë, ashtu siç u shkri vërtetë, kur sheh vendin e tij ashtu të pushtuar dhe të mjerë ,kur sheh vëllezërit e tij të masakruar e me të drejta të dhunuara. Ai i njeh baballarët e tij, vëllezërit e tij, sepse ata kanë derdhur gjakun për Kosovën trime dhe kanë mbetur të pavdekshëm në vargjet lapidarët të Azemit.

                                            “Një çetë djelmosha nxorri nga gjiri atë natë,

                                            Kosova kreshnike agimit ia fali dhuratë .

                                            U nis kolona n’udhën e kuqe t’lirisë ,

                                            N’udhën e shenjtë ,me hovin e ndezur t’rinisë.

                                            Tash rriten ndër stinë-kreni dhe mall,

                                            Me gurë kujtimi n’zemër, me lule gjaku n’ball...”.

Duhet theksuar se pa diskutim Azem Shkreli është poet dhe artist. Njeri që di të derdhë në letër akuarele dhe peisazhe që në leximin e parë të mbeten në mendje dhe kërkon t’i përsëritësh herë pas here. Shpesh në vargje shpreh një melodi entuziaste, më pas nota therëse e diku më tej, kërkon të lërë një porosi që edhe vetë e ka pasur gjithmonë parasysh ,sepse i përket atij populli  që ka një histori të lavdishme për të cilën poeti ndjehet krenar :

                                           “…Kur të rritesh ,

                                            mblidhni eshtrat tona gjithkah shkrumanëve tona , 

                                            eshtrat tona e të etërëve ,klithjet e dhimbjeve tona ,                                         

                                            dhe ngre një piramidë prej rrashtash deri te reja ,

                                            përmbi Keopsin ,në majë të shekullit ngjitu…”.

Poeti ynë i madh do të ngjitej vetë në panteonin e letersisë sonë, ashtu i urtë ,i qetë e pa zhurmë.Letersia jonë, poezia jonë s’do të kishte kuptim pa emrin e tij, vitrinat e librarive, librat  shkollore do të ishin të mangëta pa vargjet e poetit të madh.

VENDLINDJA NË ZEMRËN E POETIT

Rugova, kjo krahinë sa e egër, aq dhe qëndrestarë, ka zënë një vend të vëçantë në zemren e poetit. Këtë do ta thotë poeti edhe përmes poezisë së tij, ku gëlon vrullshëm dashuria për vendlindjen dhe atdheun. Ashtu siç shprehet edhe poeti i madh P.Neruda, edhe Shkreli duket sikur thotë “…Kosova tashmë do të jetë planeti i përgjakur i heronjve…” dhe vërtetë kështu ndodhi.Pikërisht në këtë poëzi nisi të ngjizet trimëria, përmes piskamave poetike të Azem Shkrelit për liri, prandaj poeti thërret: “…N’cilën parzëm nanë, oj tokë,/verbue për rrezet e ballit, n’cilat gërmadha të plangut fikun,/ krojet e lotit me t’i gjetë,/krojet e malit – tokë e shkretnueme…”.Qe të shkruante poeti për vendlindjen duhej të vlonte në qenien e tij dallga e mallit të pashuar për Rugovën, duhej një shpërthim metaforik, një pulsim njerzor i gjallë qe e qon poetin drejt poezisë – kushtrim, për t’u dalë zot fateve të atdheut…Kur këndoj për ty – a mundem me shue dhimbjen,/lotin për fmininë e tretun? Le t’ma harrojnë emnin e vorrin, le t’ma njohin vetëm gjinkallat. Kur këndoj për ty – a mundem me matë dashninë, dashninë e gurit për gyr?Frymëzimi dhe muza e poetit orientohen nga historia, nga lufta, sepse ajo i përket njeriut, është fati i tij i zi, janë vuajtjet, është dashuria e pakufishme për atdhe, janë flijimet.dhe herë pashere në poezinë e Shkrelit shqaqen dhe zhduken pushtuesit e huaj, shfaqen ushtarët, bijt e Kosovës kreshnike që nuk e durojnë robërinë, po janë gati të flijohen për atdhe, sepsae…Kemi me u zgjue edhe na të vdekunit, në darsmën e kuqe të kësaj toke./Mos na i harroni emnat, mos na i harroni vorret…

VEPËR MADHËSHTORE DHE LIRIZËM I SPIKATUR                                                                                                                                                                                                                  

Vepra poetike “Lirike me shi”,botuar me 1997 nga shtëpia botuese “Onufri” shënoi rritje në krijimtarinë poetike të Azem Shkrelit .Pasioni i poetit për poezinë retorike shfaqet dukshëm në këtë vëllim .Në përmbledhjet e mëparshme të tij, shpesh kërkon të shfaqë ide të reja të pa pasqyruara në krijimtarinë tonë letrare. Mirëpo në planin metrik skema e strofës dhjetërrokëshe duket se ka pushtuar këtë radhë poezinë e Azem Shkrelit. “Ky është gjykim poetik që nga Homeri dhe para tij, por majë këtij Olimpi të gjykuar mund të arrijnë vetëm të mëdhenjtë,-thotë studiuesi kosovar Ali Aliu.Kjo sepse tek Azem Shkreli ,mbizotëron fryma e theksuar tematike dhe ritmike duke nxjerrë në plan të parë përjetimin dhe duke ndrydhur pak mendimin.

Mendime të qarta filozofike poeti do të transmetonte në përmbledhjen “Lirikë me shi”,ku Shkreli do të tregohej poet shumë i shkathët sidomos në përdorimin e strofës dyvargëshe ,në të cilat ka përdorur figura artistike shpesh spontane që ndikojnë në një farë mënyre në lidhjen e lexuesit me mendimin dhe përjetimin poetik të autorit .Të bën përshtypje fakti se poeti arrin të mposhtë euforinë patriotike që pasqyrohet sot pothuajse në të gjithë poezitë tona.Kjo shihet qartë tek poezia “Udhëtimi për Itake”,kur thotë: “Një ditë prej ditësh patjetër,/Nisesh tej më tej vetvetes,/Nuk është vetëm një Rozafë,/Një kep i shpresës së mirë,/ I thua vetes:-Udha e mbarë,/Udhëtim në të panjohurën nisesh,/Dhe rreth e rreth i bjen,/Pompeut pendimit ,detit të vdekur ,/ Dikush thotë:-Nëse s’kthesh,/Itaka, është Itaka jote...”.Kështu poezia e tij flet për një poet me dinjitet të veçantë artistik duke i krijuar lexuesit një përfytyrim të plotë për diminsionet e gjëra të universit të tij poetik me peshë dhe me pasuri të brendshme të rrallë.Një pozicionim të theksuar etik,për t’a kualifikuar ndjeshëm në poezi e gjejmë tek poezia “Në gjakun e njeriut”, ku poeti shkriu ndjeshëm njerzishmërinë me dashurinë për njeriun duke kombinuar trevargëshin me njëvargësh.Vargjet e Azem Shkrelit ngjizeen si frymëzim atdhedashurie që përbëjnë ciklin bosht të këtij vëllimi.Ata janë shkruar me dinjitet dhe forcë krijuese të rrallë. Ndonse jemi endë në prologun e luftës për liri, karakteri artistik i poezisë së Shkrelit do të përcaktohej nga fryma patriotike dhe atdhetare, nga vlerësimi realist i gjëndjes së rëndë të krijuar nga dhuna serbe dhe për më tepër, nga kundërshtimi i kësaj gjëndje të rëndë, në emer të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Siç shihet, idetë e ketyre poezive përshkohen nga fryma e lartë patriotike,, brendia emocionale e tyre përshkohet nga dhimbja, thirrjet e vazhdueshme për luftë ndaj pushtuesit serb, duke e bërë poezinë e tij më tërheqëse dhe më emocionale.

Gjithashtu në kontekst të gdhendjes së vargut dhe rritjes së mjeshtërisë artistike ,Shkreli ka nisur të përdorë gjithnjë e më shumë në poezi figurat letrare të përsëritjes si asonancën dhe oliteracionin. Këto duket se po luajnë në një farë mënyre rolin e katalizatorit të përjetimit të mendimit poetik, në të cilën bashkë me shfaqjen e ndjenjave dhe mendimeve, pasqyrohen edhe ngjarjet e kohës, hapet perspektiva e luftës së ardhshme, sepse në secilin krijim poeti ka zërin e tij të veçantë edhe pse shpesh ai vjen përmes një gjuhë alegorike mbushur me metafora dhe simbole: “Mira vite ,/Rrjedh uji ,/Shqip ,Po e thellë,/Po e madhe etja ,/E shqipeve .Këtu e tek deti...”.Ndaj shprehja e tij poetike, fjalori, figurat stilistike kanë një pasuri të rrallë dhe harmonizojnë ngjyrat autentike të poezisë së tij.

Një nga boshtet tematike në këtë vëllim është edhe evokimi dhe reminishenca për njerëzit, figurat legjendare,vendeve historike që kanë vlera për poetin.Të tilla janë përkushtimet për Camajn, Gjokajn, Mekulin ose Sarajevën apo Kosovën ku shprehet:“…Kur pikon gjak,/ Kalliu kur piqet vera ,/Kur hyn në gjakun tim ,/Nusëron e bëhen krushq,/Më mëso vetëm t’i bie,/ Kitares ,më mëso të vdes bukur,/Psalm për Kosovën...”.Poezia e tij është lirike,e hollë meditative e herë elegjiake,nostalgjike,me varg të gjallë plot temperament e rima të kumbueshme.Ky vëllim sjell tek lexuesi vargjet më të arrira të poetit Azem Shkreli ,të cilat hapin derën e fisme poetike të krijuesit më në zë në letërsinë shqipe .

Na është bërë zakon tashmë qe kujtohemi për krijuesit artista, poetë apo aktorë, vetëm kur ata nuk jetojnë më. Nuk duhet të kujtohemi për figura të shquara të kombit, vetëm në raste të tilla, aq më tepër për artistë dhe për poetë të këtij niveli, siç e ngre me të madhe edhe studiuesi Ndue Dedaj, në një shkrim, pak kohë më parë. Ata në rradhë të parë duhen respektuar sa janë gjallë …pas vdekjes ato respektojnë vetëveten. Azem Shkreli u nda nga jeta më 27.05.1997, në një moshë të re, kur akoma kishte edhe shumë për të thënë, kishte atë që nuk mund ta thotë më kurrë ,por ai ka thënë shumë, aq shumë sa për të mbetur i pavdekshëm në ndergjegjen e kombit. Poeti Çezar Rica nuk i pati fshehur dot emocionet kur pati lexuar veprën e tij: “…Ishte një nga korifejtë e letërsisë sonë, që ka derdhur në varg, metaforën dhe simbolikën .Ai nuk bën pjesë në armatën e poetëve të rremë ,por në atë çetë poetësh legjendar shqiptarë për të cilët atdheu pati gjithmonë nevojë”.Nuk ishte rastësi qe para disa ditësh në qytetin e Pejes ,me pjesëmarrjen e figurave më të shquara të artit dhe kulturës mbarëshqiptare të promovohej libri “Shetitje me Azemin”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri” në vitin 2010, të gazetarit dhe publicistit të njohur kosovar Smajl Smaka, ku perfshihen rreth 59 shkrime dhe vlerësime të autorëve të ndryshëm për jetën dhe vepren e Azem Shkrelit.Kanë pershendetyr dhe vlerësuar figurën shumëdimensionale të Shkrelit më këtë rast shkrimtari i njohur Ramiz Kelmendi,poeti Hajdar Mekaj, studiuesi Sejdi Berisha, aktori Nimon Muçaj etj. Me këtë rast autori Smaka pati theksuar se permes ketij materiali ka patur qellim tëpershkrimin e figurës së Azem Shkrelit,si një nga poetët më në zë në letersinë shqiptare,me të cilin kishte ndarë një pjesë të jetës. Ai do të ndriçojë si një meteor në qiellin e poezisë sonë ,për të mos u shquar më kurrë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik

OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik