Profil/ Fatmir Fezo, taksisti-fermer që refuzon të braktisë Devollin

Profil/ Fatmir Fezo, taksisti-fermer që refuzon të braktisë Devollin

Fatmir Fezo

Kush e ka vizituar njëherë fshatin Bitinckë në Devoll është takuar patjetër me Fatmir Fezon. Nuk merret as me politikë, art apo sport që mund ta bënin atë të njohur. Është njëri prej shumë njerzve të ndershën të këtij vendi që të ardhmen e tyre dhe të familjes kanë zgjedhur ta ushtrojnë mbi ndershmërinë, dinjitetin dhe djersët e ballit.

Një taksist dhe kultivues mollësh nuk kanë asgjë të përbashkët përvec faktit se Fatmiri i bën të dyja. As fakti që me automjetin e tij ka përcjellë dhjetëra bashkëkombas drejt Greqisë nuk e ka bindur atë të lërë Devollin e tij.

Për Fatmirin, një mollë e vogël në vendin tënd është më mirë se një shportë e madhe në dhe të huaj.

Ishte viti 2003 kur Fatmiri vendosi që tokën e trashëguar nga familja ta kthente në një prodhimtari mollësh. Fillimisht ishte e vështirë dhe as që mendohej për fitim. Ai kujton me nostalgji kur kishte zgjedhur mollën aidare për ta kultivuar dhe jo më kot, pasi kjo mollë është autoktone shqiptare.

Çdo mëngjes ai rrëmben në duar mjetet dhe shkon në fermën e tij, afër fshatit të tij ku kaloi fëmijërinë duke vrapuar nëpër fushën e cila shtrihet rrëze kodrave lindore të Devollit.

Shumë fermerë të kësaj zone vendosën të sjellin në fermat e tyre mollë të huaja, italiane, greke apo maqedonase, por Fatmiri nuk i ndahet asaj shqiptare tradicionale. Me ngjyrë të çelët të përzier me një jeshile të vakët ato mbushin fermën e tij, me një shije të përkryer. Nuk do të duhet të provosh dy, një mjafton dhe tepron.

Por duket se ajo shprehja "pamja e jashtme të gënjen'', zë vend tek këto molla aidare. Koleget e saj të huaja janë të bukura, shkëlqyese, me ngjyra të plota dhe të forta ndërsa tradicionalja aidare duket sikur i del boja, por kush e provon këtë të fundit atëhere ndoshta të tjerat nuk do i duken as mollë. Por tregu i ka vendosur vulën, duke mos e pranuar ose pëlqyer këtë prodhim i cili para viteve 90' ishte numër një në tavolinat e familjeve shqiptare.

Nën qiellin blu dhe diellit përvëlues të cilit duket se ka kapur kulmin pa shoqërinë e reve të bardha, vrojtojmë fermën e Fatmirit, e cila shtrihet për së gjati në drejtim të fshatit, por duket sikur s'ka fund dhe mollët të cilat këtë vit fatkeqsisht, nuk janë si vitet e tjera, pasi breshëri mendoi t'i bëjë një suprizë të pakëndshme këtë pranverë, jo vetëm tyre por dhe Fatmirit, i cili pa se si i iku gjithë puna disa mujore e pandërprerë, brenda disa mintuash.

" Në fermën time prodhoj rreth 800 kuintalë mollë në vit prodhon i vetëm Fatmiri nga ferma e tij dhe mbi të gjitha merret i vetëm me të. Sigurisht jam mësuar duke punuar me mollët, por më duhen punëtorë për çdo proces kryesor ndërsa për mirëmbajtjen e saj kujdesem vetë. ''- thotë Fatmiri duke buzëqeshur.

Ai nuk mund t'ia gjejë dot fundin fermës e cila nëse nuk do të kishte rreshtuar mollët si ushtarë, atëhere padyshim do kishte qenë një labirint.

Për mbledhjen e mollëve tij i duhen të paktën dhjetë djem të fortë dhe të shpejtë nga fshati, ndërsa për të tjerat, të paktën nga dy.  Për shkak të kohës së shkurtër të këtyre proceseve, ai i paguan nga xhepi për ditët e punës.

Ai na tregon planin e tij për këtë vit, i cili u rrëzua sa hap e mbull sytë- " Kisha planifikuar të merrja 20 milion lekë nga mollët për këtë vit, nga të cilat 10 milion lekë do të ishin fitimi, por duket se kjo mbeti thjesht në letër. Askush nuk i merr më mollët tona, pasi breshëri i ka shpërfytyruar dhe i ka bërë me gunga, shto dhe që i ka lënë rreth 2 javë të pazhvilluara. Shpresoj që të marr të paktën 2-3 milion lekë këtë vit sa për t'u ngushëlluar."

Por ai vë re një problem kryesor si tek vetja dhe tek të tjerët, mungesën e tregjeve të përbashkëta.

"Nga koha e komunizmit, shqiptarët i ka përndjekur mosbesimi ndaj njëri- tjetrit, refuzimi për të punuar në bashkësi apo për të bashkëpunuar. Kjo ka ndihmuar vendet e tjera të ecin dhe shqiptarët jo. Fermerët duket sikur bëjnë garë mes njëri- tjetrit për fitimin, dhe refuzojnë t'i bashkojnë mollët e tyre bashkë për të krijuar një ''ushtri'' e cila do të kishte përparësi. Devolli nuk ka asnjë treg të prëbashkët, të ndihmuar nga shteti për t'i ndihmuar më pas eksportin e mollëve jashtë vendit. "- na thotë Fatmiri.

Përkundrazi, 3-4 vitet e fundit Devollin e ka kapluar një mungesë totale e tregut, dhe fermerët vijnë rrotull me shpresë se dikush do vijë t'ia kërkojë mollët.

Problemi me tregjet nuk ka qenë i përhershëm sipas Fatmirit, por ndryshimi i qeverive sjell interesa të kundërta dhe tregjet ndryshojnë, por duket se vitet e fundit i kanë vendosur kapakun.

Ai është subvencionuar vetëm një herë në këto 16 vite eksperiencë me fermën, veteëm për mjetet bujqësore, por ato nuk i bëjnë më punë pasi janë të vjetëruara. Në Shqipëri çuditërisht nuk gjenden mjete apo asortimente të përparuara dhe ai detyrohet t'i blejë në Greqi, duke ndihmuar sigurisht edhe fermerët e tjerë kolegë.

Fatmiri ka vetëm një djalë dhe fatkeqsisht duket se ai është i vendosur që kulturën për mollën mos ia transmetojë atij.

"Djali im nuk do të merret më bujqësi. Pse, ta fut në gropë?''- thotë ai me vendosmëri.

Madje ai na thotë sigurisht me të qeshur se do i shkulë ose do i presë mollët dhe do e japë me qera më pas tokën. Por ndoshta ai shpreson se dikush tjetër do e mbajë gjallë fermën e tij, edhe pse ajo është e vetmja e cila i ka mbijetuar rreth saj, kultivimit të mollëve.

Fermerët nuk janë më të përkrahur dhe të rinjtë po e zbrazin dalëngadalë jo vetëm Bitinckën, por dhe Devollin, për ta ushtruar pse jo bujqësinë në vende ku paguhen dhe jetojnë më mirë dhe më të sigurt.

Gjithashtu Fatmiri flet dhe për sfidën që kanë fermerët e thjeshtë me tregtarët, një sfidë të cilën e cilëson të humbur pa filluar.

"Tregtarët sjellin mollë të pakontrolluara, me masë të lartë të pesiticideve dhe madje edhe më të shtrenjtë, ajo shitet dhe serviret në tryezat e familjeve shqiptare",- thotë Fatmiri dhe më pas shton se,- "Sepse ai është tregtar, dhe lidhjet me të pushtetshmit ma detyron mos marrim atë që meritojmë, të shesim mollët dhe të marrim fitimin. "

Dhjetëra kilometra më tutje, fermerët e Maqedonisë së Veriut nuk hasin kaq shqëtësime sa shqiptarët. Në shtetin fqinj nafta dhe pesticidet janë më lirë për bujqësinë, infrastruktura nuk mungon por mbi të gjitha fermeri është i siguruar dhe shitja e mollëve të tyre nuk vendoset në pikëpyetje. Por në Devoll apo në Shqipëri nuk ndodh diçka e tillë.

E ardhmja e fermës së Mirit nuk është e sigurt. Ajo mund të ''kyçet'' një ditë dhe në tokën e bukur të tij në Bitinckë nuk do të ketë më mollë të kuqe aidare. A ndoshta do të ketë të njëjtin fat molla në Devoll?

Por a do të jetë shteti shqiptar që do ndërmarrë një hap përpara për këta fermerë? Kësaj radhe jo për të zhvilluar mollën e Devollit por për ta shpëtuar atë.

Shembullin të cilin Fatmiri kërkon, na e sjell më së miri ish- gazetari dhe kineasti i njohur Fuat Memelli. Me një eksperiencë 42- vjeçare në gazetari, ku jetën ia përkushtoi kryesisht temave për bujqësinë, ai na thotë se Franca si një vend me demokraci stabile ka kulturë të fuqishme të kooperimit.

Memelli ka kryer specializimin në Francë ku ka parë se si që nga koha e Sharl de Gol në 1960, fermerët kanë bashkuar tokat për të krijuar ferma të mëdha dhe prodhuese, kryesisht në vreshtari. Edhe pse prej 9 vitesh jeton në SHBA, Memelli këmbëngul se e ardhmja e fermerëve devollinj mbetet tek kultura kooperuese, edhe pse duke kujtuar ish- sistemin komunist me fatin e kooperativave vështirë të ndodhë.

Përtej kësaj, ish- agronomi Adriatik Mici i cili ka lindur dhe jetuar në Devoll për 58- vite me radhë e sheh të vështirë të ndodhë diçka e tillë me fermat në Devoll. Bujqësia në Shqipëri është në tranzicion apo reformim sipas tij dhe marrëdhëniet fermer- shtet janë pothuajse inekzistente. Asnjë plan për fermerët, se çfarë do të kultivojë, ku apo si, prandaj dhe fermerët janë të gjithë në drejtime të ndryshme dhe pasojat bien mbi ta, si çndodh me Fatmirin të cilin këtë vit pasionin për mollën nuk do e gëlltisë dot për shkak të humbjes në shpenzime.

Ndoshta pas shumë vitesh do të kthehemi në Devoll dhe do të na tregojnë për mollën, si një relike të kësaj zone, jo më si një prodhim origjinal të saj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia