Kryeministri Edi Rama si dhe ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj, zhvilluan sot një takim me të rinj të punësuar nga programet e nxitjes së punësimit, konkretisht përmes portalit puna.gov.al.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj përmendi edhe buxhetin e vitit 2026 të miratuar ditën e djeshme në seancën maratonë të zhvilluar në Kuvend.

 “Prej një muaji jemi duke biseduar për buxhetin e vitit 2026, si ai na çon drejt objektivave që i kemi vënë vetes për vitin 2030. Jemi përqendruar në dy kategori: te pensionet dhe te pagat që janë rritur dhe që synojmë t’i rrisim në vijim. Por shumë pak kemi biseduar se çfarë duhet të bëjmë për të rinjtë. Në buxhetin e vitit 2026 ne kemi një dyfishim të fondeve për të gjitha programet e nxitjes dhe punësimit. Janë 12 milionë euro në dispozicion të të rinjve sepse vërtet besojmë se duhet të mbështesim pensionistët që kanë kontribuuar për këtë vend, të punësuarit që rrisin të ardhurat e buxhetit, por nëse nuk investojmë tek të rinjtë ndalon i gjithë ky zhvillim”, tha Ibrahimaj.

Ndër të tjera ajo shtoi se 2 mijë profesionistë janë të punësuar nëpërmjet këtyre programeve.

“12 mln euro janë të dedikuara për programet e nxitjes së punësimit që kanë të bëjnë me aftësimin. 2 mijë profesionistë janë të punësuar nëpërmjet programeve që ose financohen 100% nga buxheti i shtetit nëse janë të papunë ose 50% nëse janë të punësuar në një punë dhe duan të marrin këto kapacitete”, tha ajo.


Lajmi kryesor:

Punësimi/ Rama: Në 5 vite 42 mijë të rinj të punësuar përmes zyrave të punës! Celulari bën mrekulli, por ka zanate që i bën veç njeriu