Nisma e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet u përzgjodh si një nga projektet më të mira në Samitin e Kryetarëve të Kryeqyteteve të Europës Juglindore që u mbajt në Sarajevë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se 17 shkollat e reja përveçse zgjidhin për herë të parë problemin 30-vjeçar të mësimit me dy turne, do të jenë një mjedis i hapur për të gjithë, sipas konceptit të ri si “qendra komunitare”, për t’u shfrytëzuar edhe gjatë pasditeve nga nxënësit dhe banorët e zonës.
“Jam shumë i lumtur që projekti që u vlerësua më shumë nga Bashkia e Tiranës në Forumin e Samitit të kryeqyteteve ishte ai i 17 shkollave të reja. 17 shkolla që janë jo vetëm epiqendra të dijes, por edhe të jetës komunitare, duke filluar nga shkolla e parë në Kodër-Kamëz, ku bashkia tashmë e ka shpronësuar privatin, për t’i dhënë komunitetit prej 30 mijë banorësh një shkollë pas 30 vitesh”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se shkollat e reja janë të dizenjuara nga arkitektët më të mirë, duke ofruar modele të suksesshme edhe për qytetet e tjera. “Përpara se dikush të jetë student i mirë, duhet të jetë nxënës i mirë në 9-vjeçare, në gjimnaz, dhe pastaj të vazhdojë karrierën e vet akademike. Ndaj, jam shumë i lumtur që 17 shkollat e Tiranës, të gjitha të dizajnuara nga arkitektët më në zë, janë sot një shembull frymëzimi edhe për qytetet e tjera”, tha ai.
Shkollat e reja do të ofrojnë një qasje perëndimore si në infrastrukturë, ashtu edhe në konceptim, për të qenë epiqendra kulturore dhe sociale të qytetit. “Ndamë propozimet tona se si edhe në qytete të tjera, procesi i shkollave të konceptuara si qendra komunitare, të hapura 24 orë, me hapësira të bollshme për sport, për takime nga prindërit apo nga anëtarët e tjerë të komunitetit, janë sot filozofia e re; se si shkolla nuk është një vend parkimi 6 orësh për fëmijët, por edhe një hapësirë për gjithë mëhallën dhe komunitetin”, deklaroi Veliaj.
Duke u ndalur te punimet e Samitit të Sarajevës, që bëri bashkë kryebashkiakët e Ballkanit, Veliaj theksoi se ky bashkëpunim i ri është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë prej modeleve dhe eksperiencave të suksesshme nga njëri-tjetri. “Sot është një ditë e mirë për bashkëpunimin rajonal sepse Samiti i kryeqyteteve të Ballkanit, për herë të parë krijon një tryezë të rrumbullakët ku mund të ndajmë idetë më të mira, të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin dhe të kemi lidhje më të forta mes administratave të bashkive. Si shumë prej vendeve të vogla të Ballkanit, edhe në Shqipëri, ekonomia, popullsia, jeta kulturore, artistike, biznesi, është përqendruar në kryeqytet. Ndaj, bashkëpunimi i 6 kryeqyteteve të Ballkanit është një platformë mësimi dhe nxjerrje eksperiencash e përvojash të jashtëzakonshme”, nënvizoi Veliaj.
Pjesëmarrësit në Samitin e Kryetarëve të Kryeqyteteve të Europës Juglindore diskutuan mbi nxitjen e rolit të kryeqyteteve si gjenerues të rritjes, duke krijuar një platformë për bashkëpunimin ndërkufitar në fusha specifike.