Projekti i shumëdebatueshëm i ‘Rijetëzimit të Qendrës Historike të Durrësit’, i njohur si projekti TID”, i shoqëruar edhe me protesta, zbriti edhe në sallën e Kuvendit. Opozita tha se ky projekt që parashikon shembjen e 74 objekteve dhe restaurimin e disa të tjerave me vlera historike e kulturore, është bërë pa pasur konsultime me banorët që do të preken dhe janë bërë selektime në banesat që do shemben.

Përgjigjen ndaj akuzave e dha ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, i cili tha se është ngritur një grup pune për të vlerësuar vlerën e shpronësimeve të pronave pranë Amfiteatrit të Durrësit.

“Është krijuar një grup i ri pune për të bërë një vlerësim të ri të të gjitha kërkesave të banorëve, në mënyrë që të përditësohen vendimet e marra që mund të jenë për shpronësimet, siç mund të jenë referencat që automatikisht ndikojnë në vlerën e shpronësimeve. Një grup ndërinstitucional po punon për këtë çështje. Edhe nëse ka pasur gabime, do ta rishikojmë dhe për të rivlerësuar çdo gjë për këtë projekt”, tha Gonxhja.

Por opozita kërkoi rishikim tërësor të projektit.

“Aty bëhet fjalë për identitetin e banorëve, për shtëpi të cilave nuk u është vënë një gozhdë, pa lejen e qeverisë, sot do të shemben. Më shpjegoni si nuk paskan vlera, është identiteti i Durrësit. Do ju lutesha në emër të banorëve, ta rishikoni projektin, që të shërbejë për turizmin, banorëve dhe interesit publik”, tha deputetja e PD-së, Ina Zhupa.

“Çdo kërkesë për të na rrëzuar në gjykatë është rrëzuar nga gjykatësi, është 35 raste deri më tani. Edhe nëse ka pasur gabime, do ta rishikojmë dhe për të rivlerësuar çdo gjë për këtë projekt”, iu përgjigj ministri Gonxhja.

“Unë po t'ju jap një rast, familja Kazazi, që ka një vilë aty që do i shembet, që është me vlerë rreth të paktën 400 mijë euro, ju do ta blini vetëm për 40 mijë euro, 10 herë më pak”, tha deputeti Erald Kapri.

“Të paraqesin pretendimet e veta në gjykatë dhe ka ndodhur plot raste të korrigjimit të vlerësimit dhe të korrigjimit të vlerës shpronësimit”, tha Gonxhja.

Projekti merr një rëndësi të vecantë pasi sipas ministrit parashikohet të futet në listën e UNESCO-s.

"Procesi ka qenë i kujdesshëm. Është vlerësuar interesi i vendit, pasi nuk lidhet vetëm me Durrësin por me gjithë Shqipërinë, dhe lidhet me një prej atyre qendrave që ne shumë shpejt mendojmë ta kemi edhe në listën UNESCO pas një dosje të plotë që ne do të duam ta kemi për një aplikim të ri dhe shumë domethënës për këtë amfiteatër por edhe për zonën përreth tij",- tha Gonxhja.

Vendimi i qeverisë parashikon shpronësimin e 74 familjeve e bizneseve me rreth 315.5 milionë lekë, shumë kjo që ka shkaktuar pakënaqësi, dhe ka ngritur në protesta banorët që preken. Ata argumentojnë se kompensimi është më i ulët se vlera e tregut dhe kërkojnë pezullimin e projektit, rishikim të tij dhe rritjen e çmimit të referencës. Pak ditë më parë kryeministri Rama u premtoi kompensim të pronës në vlerën reale të tregut.

1771258180_Screenshot7.jpg

Aktualisht çmimet e reja të referencës që prekin 60 bashkitë e vendit, pritet të sjellin një rritje të lartë të vlerës së pronës, por ato ende nuk janë miratuar në qeveri, edhe pse e kanë mbaruar procesin e konsultimit që prej verës së 2025-ës.

Projekti TID, financohet dhe zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro‑Amerikan për Zhvillim me një buxhet prej 6.7 milionë USD. Marrëveshja e bashkëpunimit eshte nënshkruar gjashtë vjet më parë mes Fondacionit, Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Kulturës.