Deputeti demokrat Dashnor Sula ka reaguar pasi Komisioni Evropian shprehu rezervatpër ndryshimet në projektligjin e amnistisë fiskale. Në një postim në Facebook, Sula tha se Bashkimi Evropian është kundër amnistisë fiskale, e për këtë, qeveria duhet të heqë dorë nga projektligji.
Sula shtoi se ky projektligj favorizon pastrimin e parave të dala nga trafiku i drogës dhe korrupsioni.
“Bashkimi Evropian kundër marrëzisë së Kryeministrit për amnistinë fiskale e penale! Qeveria duhet të heq dorë nga ideja e tyre absurde për projektligjin e amnistisë fiskale e penale. Shqipëria renditet nga organizatat prestigjioze në listën gri të pastrimit të parave. E thënë më qartë; jemi kthyer në një vend të vogël që legalizojmë paratë e kriminelëve që merren me trafik droge, trafik të qenieve njerëzore e atyre që bëjnë korrupsion galopant”, shkroi Sula.
Deputeti deklaron se për shkak të parave të drogës e korrupsionit në vendin tonë, qytetarët nuk kanë kushte optimale jetese me pagat që marrin. Ai tha se paratë e drogës janë investuar në vijën bregdetare, ku çmimet e turizmit janë aq të larta sa qytetarëve u leverdis të dalin jashtë vendit.
“Për shkak të qarkullimit të parave të drogës e korrupsionit në vendin tonë, pa i amnistuar ato, Shqipëria është kthyer në një vend që një familje e re, një çift të rinjsh që sapo martohen e kanë ëndërr në sirtar të blejnë një shtëpi sepse çmimi i shtëpive me rrogat që ata marrin me punë të ndershme janë vite dritë larg.
Shqiptarët jetojnë në një vend me një vijë bregdetarë të gjatë por, u leverdis të shkojnë më shumë në Turqi e Greqi për pushime sepse në vendin e tyre çmimet janë si për "sheikët". E gjithë kjo disbalancë ekonomike ndodh për shkak të parasë që vjen nga aktiviteti kriminal dhe injektohet në ekonominë shqiptar.
Kur një fenomen i tillë ndodh kur supozohet se ka një luftë ligjore për goditjen e parasë së pisët, çfarë mund të ndodh nëse SULLTANI i shkon deri në fund dhe miraton amnistinë fiskale e penale?!
Komisioni Evropian është i qartë se çfarë mund të ndodh ndaj edhe ka reaguar. Tanimë jo vetëm për shqiptarët por kjo qeveri është kthyer shqetësim edhe për vendet anëtare të BE-së”, tha Sula.
Ndryshimet në projektligjin e amnistisë fiskale kanë nxitur një reagim negativ nga Komisioni Evropian ku thuhet se do të dobësonte kontrollet e vendit kundër pastrimit të parave.
Çfarë është amnistia fiskale? Amnistia fiskale është një vendim legjislativ i një qeverie ose një parlamenti për të falur ose për të anuluar të gjithë detyrimet e prapambetura, kryesisht me natyrë fiskale që individët apo institucione të ndryshme kanë në raport me pagesat që nuk kanë kryer dhe mos të jenë inkorrekt me sistemin fiskal të vendit. Në natyrën e tyre amnistitë janë të pjesshme ose të plota. Të pjesshme janë kur nënkuptojnë disa sektor ose disa kategori biznesesh ose individësh dhe janë të plota kur aplikohen në shkallë të gjerë pa bërë dallim politik, social apo ekonomik.
Lajmi kryesor: