Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin ‘Për Koncesionet’, që është për miratim këtë të enjte në parlament.
Ky projektligj parashikon që në Shqipëri nuk do të jepet më asnjë koncesion që vjen si ofertë e pa kërkuar, hiqet praktika e kontratave me tarifën simbolike 1 euro si dhe përcakton se Ministria e Financave do të miratojë paraprakisht çdo studim fizibiliteti e projekt-kontratë, rivlerëson transferimet, ndryshimet kontraktore, kërkon raporte tremujore monitorimi dhe përgatit raportin vjetor të portofolit PPP.
“Rrisia më e madhe që ky projektligj është lidhja e detyrueshme me projektet e PPP-së sistemi i kontrollit të menaxhimit të investimeve publike. Pra çdo projekt me ndikim të lartë fiskal ekonomik do të kalojë të njëjtat filtra si investimet publike. Analizë kosto përfitimi, fizibilitet teknik financiar dhe vlerësim për qëndrueshmëri afatgjatë. Ligji parashikon rregulla të qarta për bashkitë dhe njësitë vendore. Pra projektligji vendos kriteret e zhvillimit dhe mekanizma koordinimi në nivelin qendror për të shmangur angazhimin e bashkive në kontrata afatgjata pa kapacitete dhe pa vlerësimi të ndikimit fiskal”, tha Ibrahimaj.
Një risi që i shtohet këtij ligji është edhe “Njësia e Zbatimit të Kontratës’, e cila do të ngrihet në autoritetet kontraktuese dhe do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e kontratës, dhe monitorimin e performancës së kontratës, mënyrë për të shmangur zvarritjet.
“Ligji parashikon të caktojë një agjenci me rol teknik, këshillues dhe vendos standarde. Ai mbështet autoritetet, dhe i mbikëqyr kontratat. Njësitë e zbatimit të kontratave duke vendosur një standard të ri në cilësi dhe në transparencë dhe në mbikëqyrje. Ligji parashikon ngritjen e njësive të zbatimit të kontratave, ku për herë të parë do të ngrihen si njësi të posaçme pranë çdo autoriteti, të cilat do të monitorojnë kontratat dhe gjithashtu do të ruajnë në memorien institucionale për të gjitha kontratat koncesionare të miratuara për secilin institucion. Ligji funksionalizon regjistrin elektronik ku depozitohen të gjitha dokumentet kryesore të procedurave të kontratave dhe duke rritur në të mënyrën transparencën dhe llogaritjen. Ligji përditëson gjithashtu të gjitha përcaktimet kryesore që lidhen dhe përputhen direkt me direktivat e BE-së që janë të lidhura me koncesionet. Ligji parashikon një kontroll fiskal të fortë për çdo projekt dhe çdo ndryshim me ndikim financiar i nënshtrohet miratimit nga Ministria e Financave. Raportimi bëhet katër herë në vit me raportin vjetor i paraqitet Kuvendit”, tha Ibrahimaj.
Për koncesionet gara do të jetë vetëm me procedurë të hapur, ndërsa kur lidhen kontratat e ‘Partneritetit Publik Privat’ do të ketë edhe procedurë e kufizuar; procedurë konkurruese me negociim dhe procedurë me negociim me shpallje paraprake të njoftimit.
Përmes projektligjit theksohet se institucionet do të bëjnë publike çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike. Deri më tani këto janë konsideruar konfidenciale nga operatorët privatë.
Aktualisht në vend janë të lidhura 233 kontrata koncesioni apo PPP-ja tha ministrja.
“Deri në vitin 2024 janë 233 kontrata koncesioni apo PPP-ja, kryesisht në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, me një peshë investimesh që kap 27% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga këto vetëm 11 kontrata kanë mbështetje buxhetore direkte dhe pagesat për to janë 2.2% të të ardhurave tatimore, duke qenë në linjë me ligjin që është në fuqi”, tha ministrja Ibrahimaj.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Pr.buxheti 2026, rriten fondet për 12 institucione! Ekonomi: Nuk i pranuam amendimet e opozitës, se cenonin konsolidimin fiskal












