TIRANE- ​Kryebashkiakët nuk mund të zgjidhen më për më shumë se 3 mandate. Ky është kufizimi që vendos qeveria, në projektligjin që ka depozituar në Kuvend për “vetëqeverisjen vendore”, ku përcakton rregullat e funksionimit të pushtetit vendor pas reformës territoriale. Qeveria hartoi më parë një draft të cilin e kaloi në konsultim publik, ku parashikonte që kryebashkiakët nuk mund të zgjidheshin më shumë se dy mandate të njëpashnjëshme.

Por rrugës, pas konsultimit, qeveria ka vendosur ta ndryshojë draftin, duke lejuar tashmë 3 mandate. Në nenin 59 të ligjit, në kapitullin “Kryetari i baskisë”, thuhet: “1. Çdo bashki ka kryetarin e saj të zgjedhur sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor. 2. Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje. 3.

Kryetari i bashkisë, në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet nga një ose më shumë zëvendëskryetarë. Numri i zëvendëskryetarëve  caktohet nga kryetari i bashkisë, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhen nga kryetari i bashkisë. 4. Zëvendëskryetari i bashkisë nuk mund të jetë anëtar i këshillit bashkiak.”

Projektligji forcon rolin e kryetarit të bashkisë si organ ekzekutiv duke i dhënë kompetenca të qarta në drejtim të administrimit dhe organizmit të strukturave të bashkisë, të njësive administrative dhe ndërmarrjeve në varësi, por gjithashtu edhe në drejtim të përfaqësimit juridik në raport me të tretë, veçanërisht në raport me shoqëritë tregtare me kapital të bashkisë, çështje që ka qenë problematike në vitet e kaluara. “Projektligji vendos bazat juridike për një kapërcim cilësor dhe të qenësishëm në qeverisjen me pjesëmarrjen e komunitetit.

Projektligji krijon për herë të parë strukturat komunitare në qytete, në formën e këshillave komunitarë të lagjeve dhe mekanizmin e ndërlidhësit komunitar, duke plotësuar kështu një vakum që kishte në hapësirën urbane në raport me fshatin ku ligji i vjetër e parashikonte strukturën e kryetarit të fshatit dhe kryesisë. Qeverisja komunitare është një qasje e re në politikat lokale në Shqipëri sidomos në pjesët urbane dhe sanksionimi me ligj i kësaj strukture do ti japi hov nismave qytetare për gjallërimin e jetës në komunitet dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në punët e baskisë”-thuhet në relacionin drejtuar qeverisë. Ky projektligj pritet të kalojë në komisionet parlamentare, ku mund të pësojë ndryshime të tjera gjatë diskutimeve në Kuvend.
 
Bashkitë marrin 41 kompetenca në 7 sektorë 
Bashkitë e reja do të kenë gjithsej 41 kompetenca, të shpërndara në 7 sektorë, shumica e të cilave janë risi: në sektorin e bujqësisë, kullimit, pyjeve, arsimit, sigurisë publike dhe zjarrfikësit. Kështu, ë fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkitë janë përgjegjëse për 14 shërbime.  Bashkitë do të kenë 4 funksione në fushën e shërbimeve sociale. Gjithashtu, e në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve rekreacionale bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e katër funksioneve. Bashkive u shtohen kompetenca në fushën e mbrojtjes së mjedisit, dhe në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, pyjeve dhe kullotave.
 
 Këshilltarëve të bashkive u hiqet pagesa

 Këshilltarët e këshillave bashkiakë nuk do të paguhen më për pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e këshillit sikundërse ndodhte deri më tani. Sipas këtij drafti, këshilltarët nuk do të paguhen sikundërse deri më tani, që merrnin shpërblim mujor në masën 10 % të pagës së kryebashkiakut. Projektligji sjell një ndryshim në funksion e këshilltarit bashkiak, ku parashikohet që funksioni i këshilltarit të jetë një funksion pa shpërblim, por nga buxheti i bashkisë mund ti rimbursohen shpenzimet e kryera për pjesëmarrjen në mbledhje (psh. shpenzimet e udhëtimit).

“Ky ndryshim është në përputhje me përcaktimet e Kartës Evropiane të Qeverisjes Vendore e cila evokon funksionin qytetar dhe komunitar të këshilltarëve si përfaqësues të një kauze publike dhe jo si “funksionar publik” që kryen funksionet kundrejt një shpërblimi për punë”,-thuhet në relacionin shoqërues të këtij projektligji. Më tej Ministria për Çështjet Vendore, shpjegon se ‘ndryshimet e sjella në projektligj i japin një rol më të madh këshillit për monitorimin dhe kontrollin ndaj ecurisë dhe performancës së ekzekutivit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 06 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)