Vetëprodhuesit e energjisë elektrike do të jenë lojtarë të rëndësishëm në tregun energjetik në vend. Përmes një projektligji të ri Ministria e Infrastrukturës synon që t’i japë mundësinë të gjithë personave që prodhojnë energji për konsum vetjak përmes diellit-erës, që tepricën jo vetëm ta hedhin në rrjetin publik, por edhe tua shesin privatëve.

***

Më pak energji prej ujit, më shumë fokus tek impiantet e rinovueshme, eolike, fotovoltaike apo hibride. Për herë të parë, qytetari shqiptar nuk do të jetë vetëm konsumator, por do të ketë një rol aktiv që mund të prodhojë energji, ta konsumojë dhe ta tregtojë atë.

Përmes projektligjit të ri të Ministrisë së Infrastrukturës "Për sektorin e energjisë elektrike" synohet të shfrytëzohet çdo burim i mundshëm prodhimi energjie.

Nisma, që do të shfuqizojë ligjin aktual në fuqi, sjell konceptin e ‘klientit aktiv’, që në fakt janë vetëprodhuesit të cilët, ndryshe nga sa ndodh tani që tepricën e energjisë së gjeneruar e hedhin në rrjet, do të mund ta shesin atë dhe tek klientë të tjerë.

“Klient aktiv” është klienti fundor, ose një grup klientësh fundorë që veprojnë së bashku, i cili konsumon ose depoziton energji elektrike të prodhuar brenda ambienteve të tij të vendosura brenda kufijve të caktuar, ose që shet energji elektrike të vetëprodhuar ose merr pjesë në skemat e fleksibilitetit ose eficencës së energjisë, me kusht që këto veprimtari të mos përbëjnë veprimtarinë e tij kryesore tregtare ose profesionale”, thuhet në pikën 33 të nenit 3.

Në nenin 93 të projektligjit thuhet se të drejtat dhe përgjegjësitë e kësaj kategorie do të caktohen me VKM, ndërkohë që theksohet se klientët aktivë do të mund edhe të blejnë energji për ta shitur më pas.

Gjithashtu përmes këtij projektligji do të preken edhe çmimet e konsumit të energjisë, të transmetimit, të shpërndarjes apo furnizimit.

“Ligji do të promovojë çmime dhe kosto të përballueshme e transparente të energjisë për konsumatorët, do të rrisë të drejtat dhe mbrojtjen e tyre, do të promovojë efikasitetin energjetik dhe do të sigurojë një tranzicion të qetë drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm me karbon të ulët”, thuhet në relacion.

Nisma nuk ndryshon marrëdhëniet kontraktuale në fuqi të konsumatorëve familjare, të cilët, thuhet në projektligj, do të vazhdojnë ta paguajnë energjinë me çmime të rregulluara nga shteti. Në fuqi do të vijojnë të njëjtat detyrime nëse nuk paguhet fatura e energjisë, ndërprerje e dritave, gjoba dhe deri barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike.

Nisma e re ligjore synon më shumë vëmendje edhe matësve inteligjent, për të pasur faturim sa më transparent.

Ndryshimet, vijnë edhe si nevojë për t’u përputhur me direktivat e BE-së, por edhe për të krijuar një treg funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike.

Kliko këtu për të lexuar projektligjin e plotë