Qeveria shqiptare i rikthen edhe një herë sytë nga diaspora, por jo vetëm, fokusi do të jetë edhe tek pensionistët e huaj. Përmes një projektligji të miratuar në qeveri ndryshohet ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përjashton nga tatimi pensionet që përfitohen nga jashtë vendit, për individët që janë ose bëhen rezidentë tatimorë në Shqipëri.
Pra nëse je një individ që vjen të jetosh në Shqipëri, por merr pension në një shtet të huaj, kjo e ardhur nuk do të jetë e tatueshme.
“Kjo masë synon të tërheqë veçanërisht pensionistët që jetojnë jashtë vendit, duke nxitur zhvillimin e të ashtuquajturës “ekonomi e argjendtë”, është shprehur ministrja e ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Ky është hapi i radhës që ndërmerr qeveria për të rikthyer në vend emigrantët, këtë herë ata që janë pensionistë, por synon të joshë edhe pensionistët e huaj për të ardhur dhe jetuar në Shqipëri.
Kjo praktikë vitet e fundit është ndjekur nga pensionistët Italianë, që vijnë e jetojnë në Shqipëri, pasi të ardhurat nga pensioni në vendin tonë nuk tatohen. Sipas qeverisë ardhja e këtyre individëve do të nxisë konsumin në sektorë kyç si strehimi, shërbimet, turizmi dhe shëndetësia, duke gjeneruar të ardhura shtesë në buxhet përmes taksave mbi konsumin.
Po përmes këtij projektligji qeveria përjashton nga tatimi për të ardhurat personale dhe ato nga vetëpunësimi, të gjithë individët e punësuar që kanë ‘statusin e të verbrit’.

Komente










