Projektvendimi, Klosi: Kritere të reja mjedisore për landfillet e depozitimet e mbetjeve urbane

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit,Blendi klosi, në prezantimin e Dokumentit të Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe Planit të veprimit, bëri të ditur se institucioni që ai drejton tashmë ka ndërmarrë veprime konkrete që i paraprijnë kësaj strategjie mjaft të të rëndësishme.

Dy projektvendimet për ndalimin dhe prodhimin e qeseve plastike të patretshme dhe ai për unifikimin e kosto- tarifës së menaxhimit të mbetjeve urbane kanë përfunduar dhe janë gati që së shpejti të miratohen në Këshillin e Ministrave.
Ministri Klosi theksoi në vijim të veprimeve konkrete janë edhe dy hapa të tjerë si: identifikimi i vend-depozitimeve të mbetjeve por edhe rishikimi i kritereve mjedisore për landfillet apo vend-depozitimet me qëllim funksionimin real sipas standarteve.
Identifikimi i vend-depozitimevedhe mbledhja e të dhënave të detajuara për to, klasifikimi i tyre, për ndërhyrje konkrete është një iniciativë e ministrisë që për herë të parë realizohet duke përfshirë edhe bashkëpunimin me prefektët e vendit me mbështetjen e agjencive zvicerane dhe gjermane.

Ndër masat konkrete të ndërmarra në kuadër të kësaj strategjie ministri Klosi përmendi edhe organizimin e aksionit “Pastrojmë Tokën që duam” në datat 16-22 prill. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit kërkoi mbështetjen e të gjithë partnerëve për t’u përfshirë në këtë aksion që synon të pastrojë shtretërit e lumenjve dhe vijën bregdetare, për të pasur një mjedis më të pastër edhe në kuadër të sezonit të ri turistik. Dokumenti i Strategjisë përgatitur nga ekspertët më mirë nën drejtimin e GIZ, sjell një pamje reale të asaj çfarë ndodh sot me menaxhimin e mbetjeve, dhe propozon masa shumë konkrete për përmirësimin e situatës në vend. Strategjia reformon tërësisht mënyrën e menaxhimit të mbetjeve, duke i dhënë liri dhe njëkohesisht mjete qeverisjes vendore për t’i lehtësuar me tej ofrimin e shërbimeve të përballueshme dhe eficente për qytetarët.

Fjala e plotë e ministrit Klosi

Materiali që prezantojmë ne sot është një material i cili vjen si një punë e përbashkët dhe natyrisht kontribut 100% ekspert i një bote e cila është shumë pranë ministrisë, shumë pranë politikës shtetërore por është një botë e cila është e mbushur plot me ide, me ngjarje jetësore, një botë intelektuale e cila është shumë e nevojshme për zyrat tona. Ndaj që në hapje të kësaj bisede do të doja të falenderoja nga zemra, intelektualët e vërtetë që kontribuan në këtë dokument dhe shpresoj shumë që ky material të jetë jo vetëm një strategji e bukur, një material i shkruar me fjalë të zgjedhura me kujdes, por të jetë me zgjidhje konkrete. Realisht materiali paraqet disa zgjidhje konkrete mbi të cilat ne kemi filluar tashmë të marrim edhe veprimet e para. Këto veprime shkojnë 100% në linjën tonë të projektit të madh “Pastrojmë Shqipërinë që duam” ose “Clean and Green 2020”duke kërkuar që në Shqipëri ne të kemi një mundësi të vërtetë por jo vetëm për të pastruar papastërtitë, por në radhë të parë për të eliminuar shkaqet që na bëjnë pis. Dhe kjo strategji fillon të punojë me këto shkaqe. Fillon të qartësojë mënyrën e vërtetë, sesi mundet ne të dalim nga një sistem shumë i keq, anakronik, aspak i menaxhueshëm, aspak i ndërtuar në linja të drejta, të trajtimit të mbetjeve urbane. Strategjia do të ishte si shumë të tjera nëse nuk do të përkthehej në disa veprime konkrete të cilat ne kemi filluar që t’i ndërmarrim. Sot ministria së bashku me prefektët është përpjekur që për herë të parë të ketë një hartë reale se ku ndodhen vend-depozitimet e mbetjeve urbane, dhe në 300 vend-depozitime të mëdha dhe të vogla në vendin tonë vërejmë atë që të konstaton edhe strategjia që shumë pak prej tyre kanë standarde mjedisore për të qenë landfille dhe vendgrumbullime të vërtetë të mbetjeve urbane. Ndaj strategjia e ka thënë, ne e kemi marrë një vendim, është shkruar nga stafi i ministrisë në bashkëpunim me ekspertët, është në proces miratimi rivlerësimi I kritereve mjedisore që duhet të ketë një pikë grumbullimi mbetjesh urbane për ta bërë atë reale, pasi realiteti e ka treguar që në Shqipëri ne vazhdojmë të luftojmë për landfille të mëdha apo inceneratorët dhe fatkeqësisht kemi harruar vendgrumbullimet e çdo fshati, çdo bashkie të vogël apo të mesme për të shkuar pastaj në landfillet apo në ato zonat e mëdha të menaxhimit të mbetjeve urbane. Rasti i Peshkopisë të cilin nuk do ndaloj së thëni, të bërë nga projekti zviceran, dëshmoi se me një investim fare të vogël modest, transformohet një pikë e stërmadhe vendgrumbullimi jashtë cdo parametri në një pozicion shumë komod, me disa standarde minimale por të paktën të mbrojtura dhe jashtë ndikimeve të komunitetit në një zonë si rajoni i Dibrës. Dhe këtë duam të bëjmë në cdo landfill të vendit. Tashmë Ministria edhe në përputhje me këtë strategji po përgatit një master-plan të gjithë Shqipërisë, se ku i kemi vend-depozitimet, çfarë kostoje do të duhet dhe më pastaj për të shkuar te të gjithë donatorët që janë në tryezë, për tu bërë konkret . Në qoftë se ne duam që të heqim këtë pisllëk të madh që ka Shqipëria, duhet të fillojmë të punojmë me landfillet e vegjël dhe me ndarjen në burim në cdo fshat e bashki të vogël për të shkuar në landfillet e mëdha më pak mbetje dhe më të menaxhueshme në terren. Po kështu strategjia kërkon në një nga pikat kryesore, rivlerësim për kostot dhe tarifat. Ne tashmë këtë projektvendim e kemi kaluar në të gjthë sistemin qeveritar, kemi një dakordësi edhe me shoqatën e bashkive me të cilën e diskutuam , kemi një dakordësi nga Sekretariati I Pushtetit Vendor pra kemi një dakordësi nga implementuesit, dhe besoj shumë shpejt do të kalojë në qeveri, duke e bërë këtë një arritje edhe të kësaj strategjie ndonëse ajo nuk është miratuar akoma. Pra jemi në fazën e realizimit të disa veprave konkrete që shmangin disa nga arsyet nga të cilat bëhemi pis. Doja të përmendja një moment shumë të rëndësishëm të kësaj strategjie ose një moment shumë konkret që janë qeset plastike. Kemi debatuar me shoqatën e ricikluesve dhe të prodhuesve të qeseve plastike, kemi një dakordësi me pushtetin lokal dhe kemi një projektvendim për miratim, të dakordësuar me të gjithë aktorët dhe faktorët për ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri. Është e pafalshme që në çdo cep të Shqipërisë të shkosh, gjen qese plastike sepse ato janë të padegradueshme, qese plastike të holla të cilat duan 120 vjet të degradohen dhe ndaj vazhdojnë të jenë si monument i papastërisë shqiptare në çdo breg lumi. Unë mendoj që nuk e zgjidhim dot problemin e menaxhimit të mbetjeve urbane vetëm me mekanizma shtetërorë. Na duhet padyshim bashkëpunim me të gjithë ju që jeni në këtë tryezë, me shoqërinë civile, përfaqësues të pushtetit lokal dhe partnere të institucioneve shtetërore në menaxhimin e këtij sistemi. Është një thirrje që e bëj përditë që ne duhet së bashku të luftojmë katastrofën e pisllëkut në Shqipëri, ne duhet së bashku të bëhemi konkretë, në aksione jo vetëm për të pastruar në një ditë, por në aksione që ndërtojnë edukimin mjedisor në vendin tonë, sesi Shqipëria duhet pastruar dhe sesi Shqipëria nuk duhet bërë përsëri pis. Ndaj ne kemi një aksion të përbashkët me prefektët në 12 qarqet , të cilët i falenderoj dhe sidomos prefektin e Elbasanit që ka bërë një plan konkret sesi ne do të hyjmë një aksion nga data 16 deri në 22 prill me rastin e ditës së Tokës, dhe do të përpiqemi që të pastrojmë të gjithë shtretërit e lumenjve dhe do të përpiqemi që të kemi një pastrim të përgjithshëm të gjithë zonës bregdetare. Për këtë na duhet një angazhim shumë specifik i çdonjërit që mund të japë një kontribut dhe këtu kemi disa nga projektet partnere të ministrisë, nuk kërkojmë që të kemi mundësi që me një partner të zgjidhim të gjithë shtratin e lumit Shkumbin, por prefektët kanë bërë një ndarje me zona nevralgjike, me zona të menaxhueshme dhe secili prej jush në këtë tryezë mund të marrë një segment të shtratit të lumit dhe ta pastrojë. Ne duam të bëjmë një aksion shumë të madh në javën e Tokës, në Ditën e Tokës, “Të pastrojmë Tokën që duam”, sepse mendojmë që nuk mund të futemi në sezonin turistik të këtij viti që pritet të jetë një nga sezonet më të mirë turistikë të ndodhur ndonjëherë në vendin tonë, me shumë kërkesa dhe për herë të parë me një numër shumë të madh kërkesash nga operatorë turistikë të huaj, dhe të kemi një situatë si kjo që kemi sot. Prandaj ne do të bëjmë punën tonë, do të angazhojmë të gjitha forcat pranë institucioneve qendrore dhe lokale dhe do të angazhojmë shoqërinë civile, shkollat por na duhet një kontribut i të gjithëve që të kemi mundësinë që jo vetëm të jo vetëm të pastrojmë por edhe të mos bëhemi më pis.
 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave