Gjyqtarja e Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës, Mimoza Brahimi se babai i ka bërë dhuratë 40 milionë lekë. Gjyqtarja e Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës, Arbena Ahmeti deklaron 1 200 dollarë dhuratë nga babai dhe 300 000 lekë dhuratë nga nëna.
Ndërsa gjyqtari Avni Sejdi, në vitin 2004, një vit pasi kishte filluar punë, blen një apartament në Tiranë me vlerë 4 720 000 lekë. Si burim, Avni Sejdi, sot gjyqtar në Gjykatën Administrative në Tiranë, deklaron 14 mijë euro dhuratë nga vëllezërit, 700 000 lekë kursime cash në vitin 2003 dhe 2004, 1 000 000 lekë hua, 400 000 lekë kredi dhe 400 000 lekë nga kursimet e pagës të vitit 2005.
Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Rezarta Mataj, ka deklaruar 35 mijë euro dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit. Me këtë shumë, gjyqtarja ka mbyllur në 5 janar 2016 një kredi afatgjatë me vlerë 30 mijë euro për blerjen e një shtëpie.
Nga kredia në fjalë, zonjës i kishin mbetur për të shlyer 27 mijë euro. Bashkëshorti i saj, Blendi Breshanaj, deklaron gjithashtu 2 mijë euro dhuratë nga gjyshja. Me këto para ai ka blerë një makinë tip Benz. Gjyqtarja Mataj deklaron edhe 200 000 lekë dhuratë nga njerëz të ndryshëm pas lindjes së vajzës.
Në një reagim, gjyqtarja tha se gazetarëve nuk ka pse u vjen çudi për këtë dhuratë, teksa sqaroi se nënë Hyqmetja ka trashëguar nga babai tokë, ku nga shitja e një parcele trualli përfitoi disa mijëra euro. Prokurorja Mariola Mërtiri ka deklaruar se i ka dhuruar vjehrri 1 260 000 lekë për blerje apartamenti, ndërsa bashkëshortit të saj i ka dhuruar vëllai 1 000 000 lekë.
Ka edhe raste kur gjyqtarët bëjnë dhurata, por vetëm fëmijëve të tyre. Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani dhe bashkëshorti i saj, Ardian Fullani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, u falin fëmijëve një pjesë e pasurive të paluajtshme. Në vitin 2014, Arjana dhe Ardian Fullani, u kanë bërë dhuratë fëmijëve Erikut dhe Fionës, një apartament në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", një garazh në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", një shtëpi banimi dhe truall në Qerret të Kavajës.
Neritan Cena
Neritan Cena, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, njëherësh edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë vitit 2016, rezulton se ka blerë dy pasuri të paluajtshme në Gjermani, me vlerë 48 mijë euro dhe 25 mijë euro. Cena ka blerë gjithashtu, së bashku me bashkëshorten, edhe një apartament me sipërfaqen 101 m2, në Selitë të Tiranës, me vlerë 5 400 000 lekë.
Për të justifikuar blerjet e pasurive të lartpërmendura, gjyqtari Cena thotë se motra e tij i ka bërë dhuratë 16 mijë euro. Ai deklaron gjithashtu se babai i tij, Bajram Cena, i ka dhënë dhuratë 22 mijë euro. Cena shton se ka përfituar nga babai edhe një shumë tjetër 550 000 lekë. Anëtari i KLD vijon më tej, duke deklaruar si kunatës i ka marrë hua 9 mijë euro, ndërsa djalit të xhaxhait i ka marrë 2 mijë euro.
Gjithashtu, duke iu referuar gjithnjë deklaratës së pasurisë të siguruar nga Shqiptarja.com, gjyqtari Cena, për blerjen e apartamentit në Selitë të Tiranës, deklaron se i ka marrë kunatës së tij një hua në shumën 5 400 000 lekë. Ai thotë se për të siguruar paratë ka shitur edhe makinën me vlerë 20 mijë euro. Anëtari i KLD i ka marrë hua kunatës edhe 3 988 lekë për blerje makine, ndërsa vijon të shlyejë një kredi për mobilimin e shtëpisë ku jeton aktualisht.
d.c./shqiptara.com
VIDEO








