Një koleksion verash me një vlerë që mund të shkojë në disa miliona euro, i gjetur në shtëpinë e Ergys Agasit, u zhduk së bashku me pamjet në serverin e kamerave të sigurisë, pasi doganat, të cilat konstatuan se për pijet, nuk ishin paguar detyrimet fiskale, nuk e vunë në ruajtje, deri në momentin kur do shkonin për ta marrë. Për episodin e ndodhur pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë një urdhër arresti për Eno Agasin, kushëririn e Ergysit. Ky i fundit është po ashtu në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi i cili përfshin tenderat e organizuar nga AKSH-i.

Emri i Ergys Agasit u shfaq në listën e perosnave për të cilët SPAK, njoftoi të martën se kishte lëshuar një urdhër arresti. Ai së bashku me sipërmarrësin Ermal Beqiraj dyshohet për krijimin e një grup kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Të dy janë ende në kërkim.

Por kur agjentët e BKH, me urdhër të SPAK-ut, ushtruan kontroll në një banesë të Agasit, në periferi të Tiranës, ata zbuluan aty një kantinë me verë. Sipas procedurës ata njoftuan Drejtorinë e Doganave për shkak se vera ishte pa pullë fiskale, pra e futur kontrabandë. Koleksioni i verërave ishte shumë i shtrenjtë, shishe duke filluar që nga viti 1922. Organi i akuzës ka dyshime se përmes kantinës dhe koleksionit të verërave mund të ketë edhe elementë për pastrim parash.

Doganat bënë inventarin përgjatë disa orëve dhe mësohet se përllogaritën një dëm prej afro 400 mijë eurosh, shkaktuar buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës dhe detyrimeve te tjera.

Mbetet e paqartë se si Doganat, nuk e vunë në ruajtje mallin, i cili mendohet të ketë një vlerë disa miliona euroshe, por e lanë në duart e Eno Agasit, kushëri i parëi Ergys Agasit, i cili më pas gjatë natës e ka hequr verën nga banesa. Po ashtu rezulton që të ketë fshirë më pas dhe serverin e kamerave të sigurisë. Një përpjekje për të fshirë gjurmët e mjeteve me të cilat është bërë transporti i verërave por dhe të lëvizjeve të personave që kanë frekuentuar Ergys Agasin në banesën e tij.

Për Eno Agasin është vendosur nga Gjykata e Tiranës masë sigurie në mungesë arrest me burg, dhe ai vijon të jetë në kërkim së bashku me kushëririn e tij.

Të enjten Gjykata e Posaçme zhvilloi seancën për rivlerësimin e 6 masave të ekzekutuara, në kuadër të hetimeve që përfshinë AKSH-in

E vetmja masë që ndryshoi, ishte për zv/drejtorin e Policisë së Tiranës të dyshuar edhe ai për grup kriminal, Erion Ismailaj të cilit iu revokua ndalimi për të dalë jashtë vendit, por pezullimi nga detyra mbetet në fuqi

Drejtuesja e AKSHI- Mirlinda Karcanaj dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi mbeten në masë arresti shtëpiak. Me masë ndalim jashtë vendit janë edhe tre administratorë të kompanive.

Agasi dhe Beqiraj, të cilët dyshohet se e kanë lënë vendin, akuzohen se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.