Prokuroria nis hetimet: 2800 votues
fiktivë në Durrës, të hiqen nga lista

Prokuroria nis hetimet: 2800 votues<br />fiktivë në Durrës, të hiqen nga lista
DURRËS - Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për listën e zgjedhësve në qytetin bregdetar, me dyshimet se është shtuar fiktivisht me 2800 banorë përmes kontratave fiktive qiraje si banues të përkohshëm dhe votues në Durrës.
 
Rreth dy javë më parë Partia Demokratike ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Durrësit mbi dyshimet për shtim fiktiv personave nga qytete të ndryshme në këtë bashki, ndërsa KQZ dorëzoi një raport auditi në organin e akuzës. Sipas të dhënave nga kjo prokurori mësohet se ka dërguar rreth 600 fletë-thirrje drejt personave që jetojnë në zonën e plazhit.
 
“Nga pyetja e personave që pretendohet se kanë dhënë me qira ambiente dhe shtëpi për shtetas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, rezulton se ata nuk kanë dhënë shtëpi apo ambiente banimi me qira. Ndërkohë që hetimet po vijojnë, u krijuan dyshime të arsyeshme nga pyetja e këtyre personave se kontratat e qerasë janë fiktive”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.

Pas pyetjeve të bëra për banorët e kësaj zone prokuroria kërkoi në gjykatë kërkesën për caktimin e masës “pezullim nga detyra” për Alfred Dhulin, drejtor i ndërmarrjes komunale të Plazhit dhe Ines Aleksi notere në Durrës, të dyshuar se kanë “shpërdoruar detyrën” dhe kanë falsifikuar dokumentet. Konkretisht, sipas Prokurorisë kontratat e qerasë për 2800 personat të dyshuara si fiktive, ishin nënshkruar nga drejtori Dhuli dhe të noterizuara nga noterja Aleksi.

Prokuroria i ka dërguar njoftim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të heqë nga lista e votuesve të banorëve të qytetit të Durrësit 2880 personat e regjistruar në mënyrë fiktive.
 
Njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Durrësit
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për listën e zgjedhësve në Durrës, e cila dyshohet se është shtuar fiktivisht me 2800 banorë. Subjekti politik Partia Demokratike ka bërë rreth dy javë më parë kallëzim në Prokurorinë e Durrësit mbi dyshimet për shtim fiktiv të rreth 2800 personave nga qytete të ndryshme në listën e votuesve për zgjedhjet lokale të qershorit 2015.

Po ashtu, një raport mbi këto dyshime ka ardhur edhe nga auditi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë kuadër, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për të verifikuar dyshimet e pretenduara në kallëzim dhe në raport.

Në bazë të veprimeve procedurale, Prokuroria e Durrësit krijoi dyshime të arsyeshme në bazë të dokumenteve dhe pyetjeve të personave të ndryshëm se ky numër shtetasish (2800) janë shtuar me kontrata fiktive qiraje si banorë të përkohshëm dhe votues të qytetit të Durrësit. 

Prokuroria e Durrësit ka dërguar rreth 600 fletë-thirrje në kuadër të këtij procedimi, nga të cilat janë pyetur rreth 60 persona banues në zonën e Plazhit, kryesisht ata që pretendohet që kanë dhënë me qira ambiente dhe shtëpi për shtetas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Nga pyetja e këtyre personave, rezulton se ata nuk kanë dhënë shtëpi apo ambiente banimi me qira. Ndërkohë që hetimet po vijojnë, u krijuan dyshime të arsyeshme nga pyetja e këtyre personave se kontratat e qerasë janë fiktive.
Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit kërkoi në gjykatë kërkesën për caktimin e masës “pezullim nga detyra” për shtetasit Alfred Dhuli, drejtor i ndërmarrjes komunale të Plazhit, Bashkia Durrës dhe Ines Aleksi, notere në Durrës, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “fallsifikimit të dokumentave nga personat që kanë për detyrë t’i hartojnë ato. Kjo kërkesë e Prokurorisë u pranua nga gjykata. Në argumentet e saj, Prokuroria kërkonte caktimin e masës, për faktin se kontratat e qerasë për 2800 personat, të dyshuara si fiktive, ishin nënshkruar nga drejtori Dhuli, të noterizuara nga noterja Aleksi.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar në gjykatë sekuestrimin e listës së regjistrimit të këtyre personave në Regjistrin e Gjendjes Civile të Bashkisë Durrës. Kërkesa për sekuestrimin e kësaj liste është pranuar sërish nga gjykata. Në këto kushte, këta persona, nëse nuk janë regjistruar në listën e votuesve, nuk duhet të regjistrohen në Durrës. 

Por, në momentin që është bërë kallëzimi dhe ka nisur hetimi, 2800 personat e regjistruar fiktivisht ishin të përfshirë në listat e votuesve të qytetit Durrës dhe për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit i ka dërguar njoftim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i hequr nga lista e votuesve, si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për t’i hequr nga lista e banorëve të qytetit Durrës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Atë që ua merr deti duan ta rimarrin ndryshe' Dredha tregon luftën me bizneset në Vlorë për plazhet publike! Sqaron dhe videon e Ramës

'Atë që ua merr deti duan ta rimarrin ndryshe' Dredha tregon luftën me bizneset në Vlorë për plazhet publike! Sqaron dhe videon e Ramës