Prokuroria e Përgjithshme e cila po merret me shqyrtimin e çështjes së ish shefit të antidrogës së Fierit, Dritan Zaganit ka shtuar edhe një tjetër akuzë në ngarkim të tij.
Zagani tashmë do të akuzohet për tre vepra penale, atë të “shpërdorimit të detyrës”, “moskallëzim i krimit”, dhe akuza e re ajo e “largimit të paraburgosurit nga vendi i qëndrimit”, akuzë që lidhet me thyerjen e arrestit të shtëpisë nga vetë Zagani. 

Prokuroria ka hapur një dosje ndaj tij, të cilën është gati ta çojë në gjykatë.
Ndërkohë, vetë Zagani ka dhënë disa intervista për mediat në Shqipëri dhe ato italiane, duke akuzuar disa emra zyrtarësh, që sipas tij janë trafikantë.

Ndër akuzat më të forta të tij, janë ato ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për favorizim të trafikut të drogës.

Referuar në deklaratat e tij, edhe prokuroria italiane ka nisur hetime, mbi përfshirjen e zyrtarëve italianë në favorizim të trafikut të narkotikëve.

Pas këtyre deklarateve, Zagani ka kërkuar azil politik në Zvicër, ku po qëndron së bashku me bashkëshorten dhe tri vajzat e tij.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)