Se HTH është gjenial, këtë s’e diskuton më kush. Ai ka pasur deri më tash idenë më brilante nga gjithë kuzhinierët e politikës kosovare. Zbulimi i tij se Leximi është vendimtar për zhvillimin e burimeve njerëzore mori dhenë, mori botën e përtej.

Formula e HTH-së, tash e tutje, do të jetë çelësi i shkencave humane. Ajo për çka shkencëtarët kanë luftuar, edhe me thonj, mund t’i çojë në vetëvrasje, sepse Prometeu i Kosovës ishte më i zoti e më gjeniali.

Zbulimi i tij, Ne fëmijëve injorantë kosovarë, më në fund baba urtak do të na tregojë “si të mësojmë, për ta përmirësuar mendimin kritik; për ta shtuar aftësinë e përvetësimit dhe aftësinë e kuptimit të informacionit; e mbi të gjitha, shkruan Prometeu, do të na rrisë inteligjencën emocionale dhe empatinë e qytetarëve që nëpërmjet leximit të arrijmë të kuptojnë këndvështrime të njerëzve të tjerë të ndryshëm nga ne”. 8 shtator 2014 nënshkruar nga HTH. p.s.“Ditë shumë e rëndësishme për Kosovën”.

E shënova në kalendar. Kështu na fliste Prometeu - Ne, fëmijëve injorantë.

Nga tavolina me një laptop përpara dhe një raft tejet serioz librash pas shpine. Çfarë hijeshie! Një raft përplot dije në dhomën e punës së HTH-së. Ta ketë ndierë ndonjëherë xhelozinë e inatin për ndonjërin libër që akoma s’e ka lexuar?

Kushedi! Po me siguri se kjo e ka ngacmuar zbuluesin e leximit që botës së zhytur në herezi t’i kallëzojë se cili është mallkimi i mosleximit e cila është shenjtëria e tij.

Shembull për këtë është përvoja personale e tij. Ai e ka gjetur formulën dhe në dorë e ka armën. Mjafton t’i japim votën e besimit.

Misionarët e rinj, “me të formuar qeverinë e re do të nisin hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse që do të ndërtojë shprehitë sa më të mira të leximit dhe një konsum sa më masiv të librit në Kosovë”.

Pas gati një dekade qeverisje misionarët me kryemisionarin, paskan zbuluar se diçka që është krejtësisht individuale mund të përkthehet e të shndërrohet në konsum kolektiv.

Rroftë masa! Rrofshim Ne, fëmijët injorantë, që pas shpëtimit të arsimit nëpër flakët e pushkës na gjuajtën në arsimin gjytyrym.

Në shtatë vjetët e tyre misionarët aq shumë kanë mëkatuar me institucionin e shkollës e të dijes sa vetëm një zbulim gjenial si ai i Prometeut mundet nga xhehenemi ta çojë arsimin në xhenet.

Ata kanë “pshurrë” mbi Universitetin e kanë parë se si Ne, fëmijët injorantë, si lumë po rritemi!Na i kanë “dhjerë” diplomat e na i kanë servuar në pjatë.

I kanë rritur rrogat për të kallëzuar se dija e shkolla mund të blihet me paratë e purpurta. Misionarët e rinj e të vjetër i kanë mbytur profesorët për t’i krijuar profesorët plastikë që i përshtaten çdo dimensioni që pushteti merr. Misionarët e rinj e të vjetër na kanë mësuar neve fëmijëve injorantë e vazhdojnë t’i mësojnë fëmijët tanë se makaronat rriten vetëm në Itali.

Mallkuar qoftë dita kur zërat u çuan peshë pse Amkademiku i Qeverisë pati folur si pleqtë e dijes e pati shkruar në ballë të Akademisë së Shkencave fatin e saj. U thaftë goja atyre që mitin e Prometeut e ç‘shenjtërojnë nganjëherë, se mos na ç‘shenjtërojnë edhe Promteun tonë. Fjalëkëqijve u marrtë goja! Se rruga jonë është e qartë- konsumimi i librave. Për t’u bërë më gojëtarë, më të mençur e gjithsesi edhe më intelektualë.

Ndoshta Prometeu është një “bookaholic”? Disa thonë se librat ta ndryshojnë jetën, po çka se kjo jo gjithmonë për të mirë. Ndodhka ndonjëherë, thonë ata, që libri të ndikojë e ta transformojë edhe për të keq individin.

Dhe sërish, bariu lexon nën lis, derisa kullosa shëtit livadheve. Kështu nis historia e shpëtimtarit të Kosovës.

Ai ka pasur një motiv të fortë, mungesa jonë në kulturë. Nuk thonë kot, se Ne, fëmijët injorantë gojëtarinë e kemi përshesh. Por, titani i Olimpit kosovar këtë e ka bërë nga dashuria dhe simpatia për Ne, të dobëtit injorantë.

Për të na dhënë shpresën e fuqinë se edhe ne gojë përsheshët, pos shërbëtorë të mirë, mund të bëhemi edhe zotërinj të mirë, zot të fjalës e të dijes. Shembull kemi titanin, e titanë të tjerë që kanë arritur mrekullinë në botën tonë të shenjtë.

Argumenteve të Prometeut për “konsumin” e librit, të cilat janë kopjuar nga faktet që të dijshmit e internetit listojnë për dobinë e librit dhe mund të gjenden kudo në rrjet, mund t’ia shtojmë edhe atë që s’ka guxuar ta përmend, por që padyshim e ka nxitur, se të lexuarit të bën të dukesh më seksi.

Gjeniu i një epoke, i përparimit dhe i mendjes kosovare, tash e tutje mund të nënshkruhet PHTH.