BERAT- Pronarët e nxjerrjes se pllakave te gurit kanë bllokuar aksin rrugor Skrapar-Berat dhe kanë sjellë mjetet per të  punuar në malin e Tomorrit. Sipas gazetarit të Report TV, të ndodhur atje pronarët  kanë tentuar të futen në mal por policia nuk i ka lejuar dhe rruga ka mbi 6 orë e bllokuar. Qytetarët janë të irrituar pasi duan të shkojnë në destinacionet e tyre. Pronarët kanë bllokuar rrugën me fadromat që përdorin për të nxjerrë pllakat e gurit.

Dy turistë nga Austria duan të vizitojnë Kanionet e Skraparit dhe shprehen se kanë mbi 2 orë që presin aty. Një kalimtare e irrituar shprehet për kamerën e Report TV: " Duam të largohemi, kemi të sëmurë në makinë".

Një qytetar tjetër thotë:" Kam lënë 5 milionë lekë si turist dhe s'do e shkel më këtë vend, nuk është e drejtë që njerëzit të rrinë e të presin."

 Avduraman Hasamaj, një nga pronarët e nxjerrjes së gurit shprehet: " Policia ka bllokuar qarkullimin, duam te fillojmë punë.  Kemi komunikuar me drejtorin e policisë dhe na tha se do të fillojmë pas datës 25 sa të mbarojë pelegrinazhi." Ai shprehet gjithashtu se i kanë drejtuar letër gjykatës por kanë marrë përgjigje që nuk i japin zgjidhje këtij problemi.

Kujtojmë që Gjykata Administrative e Tiranës ka hedhur poshtë më 3 gusht vendimin e Këshillit të Ministrave që parashikonte zgjerimin e zonës së mbrojtur në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit. Disa nga banorët janë shprehur se ky vendim është skandaloz dhe se ata nuk e pranojnë, madje kanë zhvilluar disa protesta si dhe kanë nënshkruar një peticion kundër vendimit të Administratives.