Pronat, Basha: Frrokaj, shpresoj të jetë i pafajshëm, jo gjyq politik Arrestimi i Frrokajt, Basha në Lezhë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për arrestimin e kryebashkiakut të djathtë të Lezhës, Fran Frrokaj. Basha uron që Frrokaj të jetë i pafajshëm, por shton se qëndrimi i PD është që para ligjit të gjithë janë të barabartë. Lideri demokrat kërkon që gjyqi ndaj Fran Frrokajt të mos jetë politik. VIDEO
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për arrestimin e kryebashkiakut të djathtë të Lezhës, Fran Frrokaj. Basha uron që Frrokaj të jetë i pafajshëm, por shton se qëndrimi i PD është që para ligjit të gjithë janë të barabartë. Lideri demokrat kërkon që gjyqi ndaj Fran Frrokajt të mos jetë politik.
“Ne shpresojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrimi i im dhe i PD është që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent, jo politik dhe i paanshëm. Shqiptarët meritojnë një drejtësi të pastër dhe jo të kapur nga axhenda politike, të drejtuar nga njëri krah politik kundër tjetrit” deklaroi Basha në një deklaratë nga selia e PD.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas deklaratës në selinë blu, është larguar drejt Lezhës, i shoqëruar nga deputetët Bumci, Noka dhe Paloka. Vizita erdhi një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Frrokaj. Pas takimit me drejtuesit e Partisë Demokratike ne Lezhe, Basha nuk u prononcua për mediat, ndërsa deputeti Bumçi u shpreh se drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë në Shqipëri, pasi Saimir Tahiri, Dako dhe eksponentë të tjerë të PS janë të lirë edhe pse sipas tij janë të lidhur me krimin, ndërsa përfaqësuesit e opozitës goditen.
“Ne kërkojmë drejtësi të barabartë dhe të paanshme për të gjithë. Kemi Saimir Tahirin që lëviz i lirë, u kërkua arrestimi i tij, përgjigjet e drejtësisë italiane, sot është i lirë dhe po bëhet gjithçka për ti mbyllur çështjen. Kemi drejtues bashkie që janë kokë e këmbë me bandat, kanë dalë në përgjime si i Durrësit dhe Elbasanit dhe ndërkohë faktet janë në tavolinë nuk lëvizet dhe gjithçka që është lëviz është kundër përfaqësues të opozitës” deklaroi ai.
Kryebashkiaku Frrokaj së bashku me 11 persona të tjerë u arrestuan dje, ndërsa 11 janë në kërkim me akuzën e tjetërsimit të pronave përmes falsifikimit në zonën e Shëngjinit në Lezhë.