Propaganda Fide, kontributi 
për librin, gjuhën dhe letërsinë

Propaganda Fide, kontributi <br />për librin, gjuhën dhe letërsinë
TIRANË - Korpusi i teksteve të vjetra të gjuhës shqipe, relativisht të pakta për nga numri i tyre, përbën materien bazë mbi të cilën mund të përvijohet rindërtimi i vijueshëm i gjendjes së gjuhës shqipe përgjatë Mesjetës. Mungesa shqetësuese e burimeve dorëshkrimore, para së gjithash për shkak të rrethanave historike të kohës, rritet proporcionalisht me këtë mungesë.

Gjuha dhe letërsia shqipe, e veçuar disi prej gjuhëve dhe letërsive simotra evropiane, nuk ishte gjithaq prodhimtare, dhe kjo jo gjithaq prej pazotësisë së saj për t’u identifikuar si e tillë, sa prej faktit real se Shqipëria deri në fillim të shekullit të XX, kur edhe u shpall shtet i pavarur, ishte një provincë e izoluar e Perandorisë Osmane, ku gjuha, shkolla, shtypshkrimi dhe letërsia e saj ishin të ndaluara me ligj. Kuvendet, manastiret, seminaret, uratoret, kolegjet u bënë institucionet që morën përsipër këtë barrë të rëndë, në kushte tejet të rrezikshme.

Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, kjo gjë me dhe pahir dha shenja gjallese. U hapën shkolla dhe seminare, u themeluan shtypshkronja dhe si rrjedhojë edhe libri shqip tashmë u botua në Shqipëri, sepse pa tipografinë (shtypshkrimin), e cila është baza e prodhimit dhe e shumëfishimit të librit, nuk mund të bëhej fjalë të kishim një proces letrar normal. Krahas formimit të klerit, para të cilit shtrohej si domosdoshmëri pajisja e tij dhe posaçërisht e nxënësve vendas, kandidatë për meshtarë, me libra liturgjie dhe libra me karakter praktik për mësimin e fesë.

Po ashtu kërkohej njëkohësisht që misionarët e huaj që shërbenin në dioqezat shqiptare, për të mësuar gjuhën vendase duhej që të kishin fjalorë dhe gramatika. Kundërpërgjigja e Kishës romane ndaj Reformës protestante në trasferiminin e mësimeve liturgjike nga latinishtja në gjuhët popullore, në pajtim me kanonet e kishtare shënon për gjuhën shqipe kultivimin e saj si gjuhë shkrimore, prandaj nuk përbën ndonjë çudi fakti se e gjithë pasuria librore e letërsisë se vjetër shqipe, së paku deri në fund të gjysmës së parë të shekullit të XVIII, vjen e shkruar drejtpërdrejt prej ipeshkvinjve dhe meshtarëve shqiptarë si dhe misionarëve katolikë italianë, botimet e të cilëve janë aprovuar prej Selisë së Shenjtë.

Eqrem Çabej e sqaron mjaft mirë këtë kontekst kur thekson se: “Ndërsa Kundërreforma në viset e Europës së mesme e veriore dhe në vazhdimet e tyre perëndimore e lindore shpërtheu përmbi një bazë të hapet edhe me të gjitha armët luftën kundra besimit protestant, në Gadishull të Ballkanit, me islamizmin qysh prej një shekulli kishte dalë një armik i cili po kërcënonte jo vetëm besimin katolik në ato vise ku ekzistonte, si në Shqipëri e Bosnjë, po edhe besimin ortodoks, e kështu pra mbarë krishterimin, edhe po matej tashmë të përfshinte krejt Europën juglindore.

Aty Romës i doli përpara një detyrë e re dhe e një lloji tjetër: sepse kalimi mbarë i disa krahinave të Ballkanit perëndimor në islamizëm donte të thoshte shkëputje njëherë e përgjithmonë prej kishës katolike, madje edhe krejt prej besimit kristian. Në të tilla rrethana u desh që ato armë mendore që ishin përdorur në viset e tjera të Europës kundra doktrinës së Luterit, në këto anë të zbatoheshin kundra shtrirjes sa vente e më të madhe të besimit të ri që po hynte. Ndër këto armë ndërkaq një nga kryesoret - për aq sa e lejonin kanonet e kishës katolike - ishte përhapja sa më e madhe e fjalës biblike në gjuhët e vendit, për t’i vënë gjer diku një ledh ftohjes e largimit përherë e më të madh prej besimit të vjetër."

Përjashto Buzukun, librin e të cilit e kemi pa kopertinën dhe frontespicin ku shënohet leja e botimit, viti dhe vendbotimi i tij, të gjitha botimet e tjera si të Lukë Matrangës, Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit, Francesco Maria Da Leçes, Gjon Nikollë Kazazit, Akteve të Kuvendit të Arbnit etj., kanë të stampuar në ballinën e tyre "Superiorum Permissu", ose „Con Licenza Superiori“ leje e posaçme aprovuese e dhënë prej eprorëve ose prej institucioneve kishtare. Tipografia e Vatikanit e ka zanafillën në vitin 1561 me Paolo Manuzio. Tipografia e re qe themeluar nga Sisti V me kushtetutën Eam Semper ex Omnibus më 27 prill 1587.

I njëjti Papë në reformimin e Kurisë Romane me kushtetutën Immensa aeterni Dei të datës 22 janar 1588 e kompletoi me një digaster special të përbërë prej pesë kardinalësh i cili do të ndiqte me kujdes tipografët, rishikuesit të librave të çdo kombësie. Koncilio i Trentos i aktualizoj çështjet e reformës së librave liturgjikë përmes autoritetit papal, gjë që u realizua në periudhën midis viteve 1568 dhe 1614, nën pontifikatin e Pio V, Gregorio XIII, Clemente VIII dhe Paolo V. U botuan Catechismo Romanum (1566), Breviarium Romanum (1568), Missale Romanum (1570), Martyrologium Romanum (1584), Pontificale Romanum (1596), Caeremoniale Episcoporum (1600) dhe Rituale Romanum (1614).

Botimi i Ritualit Roman shënon përfundimin e procesit të rishkimit të këtyre teksteve. Do theksuar veçanërisht se vetëm 7 vjet më vonë, këtë ritual do e përkthente në shqip Imzot Pjetër Budi, ndërkohë që kroatët e përkthejnë atë vetëm në vitin 1640. Periudha prej 140 vjetësh nga përfundimi i Konçilit të Trentos (1563) deri në mbajtjen e Kuvendit të Arbënit (1703) shënon një periudhë të gjatë të mbushur me përpjekjetë të mëdha e të mundimshme nga kleri katolik shqiptar në kushte thuajse mbijetetese për të përmbushur vënien në zbatim të dekreteve konçiliare.

Do të jetë pikërisht Kuvendi i Arbënit, mbajtja e të cilit u realizua me interesimin e drejtpërdrejtë të Papa Klementit XI, ai që do të përmbushë bindshëm institucionalisht përtëritjen besimit të krishterë katolik në territoret shqiptare në kushte tejet të vështira nën pushtimin turk, duke shënuar kështu në një farë mënyre fillimet e procesit të Rilindjes Kombëtare, e cila sipas gjasave merr më pas shtysën vendimtare në mjediset arbëreshe të Italisë për të pasur më tej efektete e saj brenda vendit. Më 1626, Propaganda Fide themeloi shtypshkronjën e saj të emërtuar „Poliyglotta“, me qëllim shtypjen e librave kishtarë në gjuhët e popullsive të vendeve në të cilat ishin instaluar misionet.

Shtypshkronja e dëshmoi edhe ajo rolin e saj misionar pikërisht në botimin e saj të parë Fjalorin gjeorgjisht-italisht, botim i vitit 1629. Gjashtë vjet më pas (1635), ajo do të botojë edhe fjalorin e Frang Bardhit dhe vitin pasues (1636) do të ribotojë Dottrinën e Pjetër Budit të vitit 1618, përkthim të katekizmit të Kardinal Roberto Bellarmino-s, për të vijuar të botojë kështu rreth 35 libra deri në fund të shekullit të XIX, kur më në fund në vitin 1870 jezuitët do të sjellin në Shkodër shtypshkronjën e tyre, e cila në fillim u quajt latinisht Typographia Immaculatae Conceptionis B.M.V. dhe më pas në shqip nën disa emërtime si: Shtypshkroja e Zojs xanun pa kur leqe, Shtypshkroja e Kolegjs Papnore, Shtypshkroja e Zojs xanun pa mkat t’rriedhshem, dhe në fund Shtypshkroja e Zojës së Papërlyeme, dhe që në vitin 1876 do të botojë librin e parë shqip Dottrina e Kerscten të Engjëll Radojës.

Të gjitha këto botime deri në gjymën e dytë të shekullit të XIX, me përjashtim të librit të parë shqip që është quajtur Meshar, botuar në vitin 1555, autori i të cilit është Gjon Buzuku, për të cilin studiuesit ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me vendin e botimit të tij, si dhe botimeve të para të veprave të Pjetër Budit, Dottrina Christiana, Rituale Romanum et Speculum Confessionis dhe Pasëqyra e t’rrëfyemit veprës së Pjetër Bogdanit Cuneus Prophetarum, e cila fillimisht botohet më 1685 në Padova, për t’u ribotuar edhe më 1691 dhe 1702 në Venecia, të gjitha botimet e tjera; ato të Dottrina Christiana të Pjetër Budit (1636, 1664, 1868), më 1635 Frang Bardhi: Dictionarium latino-epiroticum, që i bie të jetë vepra e parë në fushën e albanologjisë botohen këtu.

Këtu botohen më 1706, aktet e Kuvendit të Arbënit nën titullin: Concili Provintiaali o Cuvendi i Arbenit, të cilat ribotohen edhe në vitet 1868 dhe 1872. Më 1716, P. Francesco Maria Da Leçe boton: Osservazioni gramaticalli nella lingua albanese, dhe më 1743 Gjon Nikollë Kazazi boton: Breve copendio della dottrina cristiana. Pra të gjitha këto botime janë realizuar në shtypshkronjën e Propagandës Fide në Romë dhe me shpenzimet e Propagandës Fide. 
-Fund-


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Noizy në kërkim nga autoritetet e Kosovës, Stresi tregon si nisi sherri: Ai na shan nga familja, unë nuk jam servili i askujt

Noizy në kërkim nga autoritetet e Kosovës, Stresi tregon si nisi sherri: Ai na shan nga familja, unë nuk jam servili i askujt