Propozimet e PD si 'mall' shkëmbimi me vettingun? PS: S'ka për të pasur asnjë negociatë, zgjatja e afateve të KPK propozim i partnerëve! Çështje teknike

Partia Socialiste as nuk ka ndërmend të negociojë me PD-në për të arritur një marrëveshje për votat për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të shkallës së parë të vettingut. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, tha sot se kjo është një çështje teknike, e propozuar nga ndërkombëtarët, dhe nuk mund të lidhet me propozimet e tjera të PD për ndryshime kushtetuese.

"E kam thënë edhe seancën e kaluara që Kuvendi i Shqipërisë shumë shpejt do të ngrejë edhe një komision të posaçëm të reformës zgjedhore. Ajo që është e rëndësishme është që ne edhe në frymën e progres-raportit të sotëm të Komisionit Europian duhet të institucionalizojmë dialogun. Unë dua të theksoj se çështja e ndryshimeve kushtetuese për afatet e vettingut është një çështje jo e jona por thjesht shumë teknike për të zgjatur mandatin e këtyre institucioneve. Natyrshëm duhet ta ruajë çështja këtë nivel teknik dhe nuk duhet të futet politika. Kemi rënë një herë dakord në vitin 2016 për këtë çështje. Askush nuk dinte atë kohë se kaq shumë gjyqtarë do shkarkoheshin nga vettingu. As ka pasur, as ka dhe as nuk do të ketë negociatë për këtë. Ky është një sugjerim që ka ardhur nga partnerët që kanë shoqëruar suksesin e kësaj reforme gjatë gjithë kësaj kohe", tha Balla duke i  konsideruar propozimet e PD si një hap i rëndësishëm fakti që tashmë kemi një opozitë që ushtron mandatin e vet duke ardhur me propozime konkrete.

4 ditë më parë Partia Socialiste çoi në Kuvend propozimin konkret për zgjatjen e afateve të organeve të vettingut. PS propozon shtyrjen me 2 vite e gjysmë afati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Partia Demokratike ende nuk është shprehur nëse do të japë një votë pro zgjatjes së afateve të shkallës së parë të vettingut, por është kundërpërgjigjur sot me një projektligj të tërë që praktikisht propozon një Kushtetutë të re.

Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt. 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë