PD propozon 'Kushtetutë të re': Vetting për politikanët, rikthen koalicionet parazgjedhore, shfuqizon ndryshimet e korrikut 2020 dhe 'ringjallen' komunat

TIRANË- Me synimin për të zhbërë ndryshimet kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, me propozime të cilat zhbëjnë reformën territoriale dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re propozimet e Partisë Demokratike, me firmën në fund të Lulzim Bashës janë gati për t'u dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.  

Vettingu i politikanëve
PD e nis fillimisht me propozimin për ndryshim të pikës 3 të nenit 45 që në thelb e vë theksin te vettingu i politikanëve. PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Në propozimin e PD thuhet se kontrolli i integritetit është një proces i posaçëm verifikimi që përfshinë kontrollin e thelluar të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Ai kryhet me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, dhe institucioneve kushtetuese, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i funksionarëve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht.

Për Partinë Demokratike subjektet që duhet t'i nënshtrohen janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë,  Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit si dhe personat që lidhen me ta si dhe familja.

PD kërkon që për kontrollin e integritetit të politikanëve të ngrihet një sektor i posaçëm në SPAK, që do të quhet ‘Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërorë’. Ky sektor do të përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK të cilët do të zgjidhen me short çdo 3 vjet.

Ndryshimet Kushtetuese të 30 korrikut 2020
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i propozuar nga PD është ai që zhbën ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut 2020. PD e thotë në mënyrë të hapur në nenin e fundit të projektligjit se

"Ligji nr. 115/2020, datë 30.07.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar”, ligji nr. 118/2020, datë 05.10.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, si dhe çdo akt nënligjor që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen", thuhet në propozim.

Rikthimi i koalicioneve parazgjedhore
Lulzim Basha me propozimet për ndryshime në pikën 1 të nenit 68 ka vendosur koalicionet në Kushtetutë duke 'marrë mësim' nga ajo që i ndodhi në zgjedhjet e kaluara.

"Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”, thuhet në propozim.

Ndarja territoriale e Shqipërisë
Partia Demokratike gjithashtu rikthen hartën e vjetër territoriale pasi në ndryshimet në nenin 108 të Kushtetutës thotë se "Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”.

I gjithë ky draft i ndryshimeve kushtetuese nga PD u paralajmërua dje nga kryetari Lulzim Basha, i cili tha se këto propozime do të dorëzohen brenda javës. 

“Grupi i PD ka miratuar sot vendimit për të depozituar amendamentet Kushtetuese për zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të kushtetutës së 30 korrikut dhe të Reformës Zgjedhore”, tha Basha në përfundim të mbledhjes së grupit të PD dje.  

"SPAK të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryebashkiakë, ministri, kryeministri, kreu i shtetit për lidhjet me krimin, pasuritë, për personat vetë, familjarët dhe ortakët e tyre”, tha Basha.

(Kliko ketu për të lexuar paketën e plote e ndryshimeve kushtetuese propozuar nga PD)

 

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 20/10/2021 00:47

    E bete kete te shkrete kushtetute lecke fare.Vendet e tjera e kane qindra vjecare dhe amendamentet i kane te kufizuara,kurse tek ne, kushtetuta nderohet nga politikanet me shpesh se menyte e restoranteve.Fituesit e bejne se kujtojne se forcojne pozitat,humbesit e bejne se kujtojne se nderimi do u sjelle fitore.Komplet nje marrezi dhe iluzion.Kur nuk punon,kur nuk kenaq votuesin,sidomos ate te pavendosurin dhe te zhgenjyerin,nuk ka kushtetute,ligj dhe amendament qe te ndihmoje fatin tend.

    Përgjigju
  • Ela: 19/10/2021 13:51

    Me ne fund Opozita po tregohet serioze,dhe konkretisht me vepra,jo se kerkon vetingun e politikaneve sepse i regullojne parate e tyre ata ,por vendimet e tjera jane ok,suksese opozites, dhe mirukthefshi ne qeveri

    Përgjigju
  • Qytetari: 19/10/2021 09:14

    Duhet bere patjeter vettingu dhe per politikanet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tjetërsimi i 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Fran Frrokajn

Tjetërsimi i 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Fran Frrokajn