Në kohët e reja, kjo ka ndodhur ngaqë më së shumti nuk ka ekzistuar individualizmi dhe liberalizmi në kuptimin e gjerë të këtyre fjalëve, nuk ka pasur parti të themeluara në mënyrë autentike dhe sociale, sindikata me të vërtetë të pavaruara dhe shoqata realisht të zhvilluara. Prandaj, ashtu sikurse është pranuar tashmë njëzëri, më thelbësore është që individët në masë të tyre të konsiderojnë se cila është liria e vërtetë për ‘ta dhe, kur e kuptojnë këtë, atëhere nisin realizimin e interesave tërësore për të tashmen dhe të ardhmen.
Në Shqipëri, kjo panoramë ka nisur të shfaqet, për arsye të njohura, vetëm në shekullin e fundit të periudhës së mësipërme. Por, edhe së këtejmi filloi të shfaqet, fatkeqësisht, me njolla të errëta dhe reflekse të dobëta. Madje, madje, pothuajse të tilla mbetën këto reflekse edhe gjatë dy dekadave të fundit, kur individualizmi nuk u shkëput nga protagonizmi dhe protagonizmi nuk përjashtoi sundimin. Parlamenti më së tepërmi u mbush me horra dhe opozita e majtë më së shpeshti s’bënte dot forra, partitë u diktuan nga njëshat dhe sindikatat u sunduan nga heshtjet.
Në këtë kuadër të zymtë spikati veçmas një individ i zbritur nga thepet e maleve, që si mjek harroi betimin e Hipokratit dhe si politikan përvetësoi moralin e Hipokritit. Me këtë fizionomi të shpërfytyar nuk e pati të vështirë të ngjitet në majat më të larta të pushtetit, por më të vështirë e kishte të qëndronte aty. Dhe, megjithë këtë vështirësi, Sizifin e sfidonte, duke u mbushur mendjen homologëve të Perëndimit, se në fitore dhe në humbje populli shqiptar nuk bënte dot pa ‘të. Me këtë kurorë batërdiste jetën e vendit, por edhe mësynte kanceleritë e huaja, ku bënte si bënte i zinte për mënge politikanët e tyre.
Dhe këta, si të bezdisur nga ky protagonist i së keqes dhe në siklet nga andrallat që mund t’u sillte ai me trazira në Shqipëri dhe Ballkan, e lanë ca kohë të fërkonte duart, duke e lënë ky Shqipërinë në fatin e vet të trishtë. Derisa edhe durimit iu afrua kufiri.
Është e tepërt të kujtojmë tani çfarë ndodhi ca muaj më parë, kur vota popullore e zbriti Berishën një herë e mirë nga maja e piramidës së një autoriteti të dhunshëm, por nuk është aspak e tepërt të kujtojmë dhe të pranojmë që ndjenja e protagonizmit politik ende nuk ka dalë nga qenia e tij. Dha dorëheqjen nga kryesimi i një partie të katandisur në natë të zezë pis prej tij, por nuk hoqi dorë nga thirrjet e dështuara për të përmbysur qeverisjen e re qysh në muajt e parë të saj, nëpërmjet grevave dhe protestave, nuk ka hequr dorë nga sharjet, shpifjet dhe shfryrjet ndaj kundërshtarëve të tij, që me vullnetin për të fituar kohën e humbur, po shtrojnë trasenë e shpejtë për në Bruksel.
Dhe, pikërisht këtë vullnet apo edhe rol progresist të tyre, nuk mund ta durojë dot. I mësuar ta quajë veten, megjithë bëmat dhe zullumet e veta si protagonist të historisë së shqiptarëve, nuk mund të durojë që ata, kundërshtarët e tij, të rinj dhe energjikë, të shënojnë me startin e tyre finishin e një rrugëtimi të vështirë drejt Evropës së civilizuar. Të asaj Evrope, për të cilën mbi gjithçka është përqafimi i vlerave në përcaktimin e përafërt të së ‘mirës’; i vlerave, që dallohen thelbësisht nga zakonet dhe mentalitetet e shpërdoruesve të pushtetit, të cilat ndonëse të ndryshueshme si lëkurët e gjarpërit, përsëri mbeten gjendje e pavlerë e formësimit empirik të shoqërisë; e vlerave, që vërtet synojnë të ankorohen në mënyrë empirike në çdo shoqëri aspirante për në Bashkësinë Evropiane, por nuk mund të ndahen nga kërkesat që gjallojnë brenda tyre; e vlerave, që trajtimit të vet u vijnë në konsideratë jo vetëm fuqia e efikasitetit në një periudhë të caktuar historike dhe fakticiteti pozitiv, por edhe rëndësia normative e tyre.
Duke mos u pajtuar kurrësesi me këto vlera dhe duke vuajtur një gjëndje konvulsionesh fantazmagorike në rrëpirën e gremisjes përfundimtare të tij, Sali Berisha nuk mund të gëlltiste as njoftimin e Unionit britanik të Iteligjencës në fushën e Zhvillimeve Ekonomike, atij grupimi profesionist me prestigj në gjithë botën, i cili këtu e para 4 viteve kishte paralajmëruar se nga fundi i 2010 – ës apo nga fillimi i 2011 - ës në Shqipëri do të ndodhnin trazira të dhimbshme, ndërsa para disa ditësh parashikonte me siguri të nivelit të lartë akordimin Shqipërisë të Statusit zyrtar të Shtetit Kandidat për në BE.
Të gjitha këto kanë ndikuar, me sa duket, te Sali Berisha. Sidomos, së fundmi, tek po afrohej së shpejti 6 marsi, data kur qe vendosur që në Tiranë të zhvillohej nën drejtimin e Konisionerit për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Shtefan Fyle, bisedimet e nivelit të lartë rreth kushteve të dhënies së statusit, t’i kërkonte këtij që të planifikonte edhe një takim me ‘të. Të planifikohej një personal, për të mos lejuar që këtij Berishës t’i humbte vula e protagonistit në ngjarjet historike të shqiptarëve, apo në të kundërt, të shtyhej ky akordim, duke fajësuar pastaj ai vetë qeverisjen e re.
Por, kur nga stafi i Fyles në Bruksel iu kthye kërkesës së tij një përgjigje negative, për shkak të agjendës së ngjeshur të Komisionerit, atëherë nuk mund të rrinte pa shkruar në rrjetin social Facebook një letër me stilin që përdor zakonisht kundër armiqve të tij të brendshëm dhe të jashtëm, duke e cilësuar Shtefan Fyle - n jo vetëm me epitete krejtësisht të papërshtatshme, por edhe si puçist të 21 janarit, edhe si bashkëkomplotist me Edi Rama që ndikuan të refuzohej ai status i dëshiruar gjatë tre viteve të kaluara rresht të qeverisjes së tij(?!).
Dhe, nuk priti shumë, ia mbathi për në Dublin, duke harruar ndërkohë që si deputet të qëndronte i ulur në platenë e Kuvendit të Shqipërisë, kur sot ai që Berisha e kishte ftuar në mënyrë të përsëritur për të vizituar Tiranën, ai pra, Presidenti i nderuar i Italisë, Napolitano do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Kjo është gjithçka, për të cilën edhe njeriut më të ndjeshëm vështirë t’ia bënte goja t’i uronte Berishës, këtij protagonisti të së keqes, një shërim të shpejtë.
Shkrimi u publikua sot (05.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)