Teksa banorët e objekteve private që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe  protestojnë, qytetarët e kësaj zone shprehen se zgjerimi i rrugës është i domosdoshëm, pasi është e vetmja mënyrë për shmangien e trafikut. Në cdo orë të ditës banorët e zonës së Unazës së Re, Yzberishit, Kombinatit, por edhe atyre që hyjnë në Tiranë duhet të përballen me një trafik të rënduar që shkon edhe në një orë pritje. E për shmangien e kësaj situate gangrene, banorët kërkojnë që infrastruktura të rregullohet.

"Të zgjerohet sa më parë", shprehet një banor. Ndërsa një tjetër thotë se "nëse bëhet për të mirën tonë, përse të mos zgjerohet." "Ka shumë trafik, zgjerimi i rrugës do e lehtësoj trafikun", shprehet një i tretë. 

Në këtë zonë të re të kryeqytetit llogariten se banojne mbi 80 mijë persona që të vetmen mundësi kalimi kanë Unazën e Re. Por kjo rrugë është edhe një nyje lidhëse për të gjithë qytetarët që vijnë në Tiranë autostrada Tiranë- Durrës. Sa i përket banorëve që protestojnë, qytetarët shprehen se edhe për ta duhet dhënë zgjidhje për strehim apo kompensim nga shteti.

"Rruga si të mos zgjerohet, ka nevojë populli, pavarësisht dëmtimeve që do ketë shteti do i shpërblejë banorët, nuk është e lehtë por do kalojë", shprehet një tjetër qytetar. 

Nga projekti për zgjerimin e Unazës së Madhe parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë pa leje, ndërsa 123 të tjera janë me certifikatë pronësie . 

Prej orës 17:00 deri rreth orës 18:00 Unaza e Re u bllokua, ndërsa banorët dogjën goma në shenjë proteste kundër vendimit të ndërtimit të Unazës së Re. Ata lëshuan thirrje kundër qeverisë dhe bashkisë, ndërsa paralajmëruan se protesta do të vijojë me përshkallëzim deri në tërheqjen e projektit që prish banesat e tyre.