Banorët e "Unazës së Re", banesat e të cilëve preken nga projekti “Unaza e Madhe”, kanë dalë edhe këtë të martë për të protestuar. Ata mbështeten, sikurse prej kohësh, nga deputetë të opozitës, të cilët nuk reshtin s’u drejtuari qytetarëve që të bashkohen me protestën dhe kauzën e banorëve të "Unazës së Re" dhe së akuzuari kryeministrin Edi Rama për tentativa për të kërcënuar dhe përçarë protestën.

Me thirrjet "Poshtë diktatura", "Qeveri hajdute", "Rama ik", "Unaza e Bashkuar ka për të fituar", "Shtëpitë tona janë me gjak", "Poshtë projekti" banorët në fjalë kanë bllokuar rrugën duke ripohuar se nuk do të heqin dorë nga qëndrimi i tyre, deri në momentin e anulimit të projektit "Unaza e Madhe". 

Ndërkohë fjalën e mori edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Ai vijon të akuzojë kryeministrin Edi Rama për situatën aktuale. Balliu pretendon se banorët e Astirit janë thirrur në Prokurori për akuza të paqarta dhe se janë gjobitur me një shumë prej 5 milionë lekësh. 

Jeni thirrur në Prokurori për akuza që nuk i dini mirë, por dijeni se kjo është një mënyrë e dështuar për të kërcënuar dhe përçarë këtë protestë. Kryeministër hiq dorë nga tentativat e tua, këta banorë nuk do të ndalen. Pavarësisht projektit korruptiv dhe deklaratave të tua, këta qytetarë i paguajnë të gjitha detyrimet e tyre. I paguajnë sepse janë qytetarë legjitim dhe nuk ka njeri që do t’i lëvizë ata nga shtëpitë e tyre. 

Klevis Balliu, Deputet i Partisë Demokratike

Protesta e banorëve ndaj projektit "Unaza e Madhe" ka nisur prej më shumë se dy muajsh. Një pjesë e banorëve të cilët i kanë shtëpitë e palegalizuara,  do t'iu shemben banesat, ndërsa ata që i kanë të legalizuara i janë nënshtruar procesit për të marrë dëmshpërblimin që u takon. Qeveria u ka dhënë si zgjidhje banorëve të prekur bonusin e qirasë për tre vite dhe zhvendosjen tek banesat sociale në Shkozë. Deri më tani, vetëm një pjesë banorësh kanë pranuar bonusin e qerasë, pasi pjesa tjetër vijon të protestojë.