TIRANË- Sali Berisha, tashmë si kryetar i rikthyer i Partisë Demokratike, ka mbajtur këtë të enjte të 7 korrikut, protestën e parë kundër qeverisë! Berisha mbajti fjalimin i fundit ku pati një mesazh për kryeministrin Edi Rama, teksa ka injoruar totalisht Lulzim Bashën të cilit nuk i kushtoi asnjë rresht nga fjalimi i tij. Ramën ai e quajti armikun kryesor, me argumentin se në ndryshim nga ai që ka ideal lirinë, kryeministri mendon vetëm për pushtetin, teksa ka pasur edhe një paralajmërim.

“Do i them Ramës këto fjalë, ne të dy sot jemi armiq, si ti Edi Rama ke për ideal pushtetin, dhe vetëm pushtetin, kurse unë me këta burra e gra kemi për ideal lirinë. Ti do pushtetin për të pasuruar veten, kurse unë lirinë e dua për të bërë të lirë shqiptarët e për t’iu kthyer qytetarëve dinjitetin. Ti ia ke mbathur, gabim ke bërë, ne nuk veprojmë në pabesi, kur të themi mbathja do t’ja mbathësh, së dyti, mos harro i mjerë se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë çdo bunker, shpojmë çdo blind, asgjë s’na ndal ne në përpjekjet për liri”, tha Berisha.

Ish-kryeministri ka mbyllur fjalimin në protestë, duke paralajmëruan edhe mundësinë e hapjes së negociatave me BE, pasi sipas tij nuk duhen ndëshkuar shqiptarët prej Edi Ramës. 

"Miqtë e mi, këtë javë shpresoj që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë, mos të shkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do cdo gjë, por negociatat me BE nuk i do, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq sic është, demon i pushtetit, kryehajdut i Evropës", tha Berisha. 

Për dy orë në Bulevard demokratët protestuan për rritjen e çmimeve dhe jetesën e papërballueshme. Gjithçka nisi rreth orës 19:00. Berisha marshoi në këmbë nga selia blu drejt Kryeministrisë, aty ku ishte vendosur edhe podiumi. Në krah të tij u pa edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, por edhe një grup deputetësh nga të 'trija' PD-të, përfshirë besnikët, si Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Luçiano Boçi. Gjithashtu, në protestë u panë edhe "kritikët" Grida Duma e Ervin Salianji, por nuk munguan as nga "grupi i Alibeajt" si Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Xhelal Mziu, Dhurata Çupi dhe aleatët Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka. Pjesa tjetër e deputetëve, mes tyre edhe Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj apo Gazment Bardhi zgjodhën që ta bojkotojnë këtë protestë, ndonëse Berisha ua kishte bërë të qartë se nuk ishin të ftuar. 

Berisha la të hapur mundësinë për thirrjen e protestave të tjera, teksa nisur nga pjesëmarrja në tubimin e zhvilluar ditën e sotme, e ka konfirmuar atë si shumicë në Partinë Demokratike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
'Iku koha e rrufjanëve', pankartat më pikante nga protesta e Berishës (FOTOGALERI)

Shumë qytetarë sot u mblodhën në një protestë paqësore, e cila u thirr nga kryetari i PD-së, Sali Berisha. Me pankarta në duar, qytetarë përcollën mesazhe të shumtë. Në këtë fotogaleri, po ju sjellim disa prej fotove më pikante nga protesta. 

Ora 21:53
Protesta e Berishës, Zhupa për Report Tv: Çelësi i suksesit! Kemi shumicën, deputetët e tjerë do të na bashkohen

TIRANË- Deputetja demokrate Ina Zhupa ka komentuar për Report Tv protestën e organizuar nga Sali Berisha. Në një prononcim për gazetarin Arbi Fortuzi, Zhupa e ka konsideruar protestën si çelësin e suksesit, duke thënë se ky është vetëm fillimi, pasi do të pasohet me një sërë protestash të tjera që kanë për qëllim rrëzimin e qeverisë.

“Nuk arritën të dallonim se ku ishte fundi i lumit të qytetarëve. Unë e kam thënë edhe përpara se të bëhej protesta, masivitet do ishte çelësi i suksesit ose i dështimit, kësaj radhe ishte çelësi i suksesit ishte protestë, masive, qytetare, fjalën më të madhe mbajtën qytetarët, por që treguan problemet reale. Këtu nis cikloni, uragani që do rrëzojë këtë qeverisje. Objektivi arrihet dukje ngjallur shpresën, kurajon, shërben si fillim i nxitjes së shpresës”, tha Zhupa.

Sa i takon pjesës tjetër të deputetëve që ‘braktisën’ protestën e Berishës, Zhupa tha ishte shumica absolute e ligjvënësve demokratë, ndërsa sipas saj pjesa tjetër do t’iu bashkohet me kalimin e kohës

“Kjo protestë kishte shumicën absolute të deputetëve, mund të ketë pasur ndonjë që nuk është bashkuar, duke parë masivitetin, do jetë një indikator për t’iu bashkuar lëvizjes”, vijoi ajo.

E pyetur nëse kjo protestë ishte e ngjashme me ato të organizuara nga Lulzim Basha, deputetja u shpreh se kjo protestë kishte risitë e saj. Ajo tha se qytetarëve iu la pesha më e madhe e fjalës.

"PD gjatë 9 viteve ka pasur protesta madhështore, stili dhe organizmi i kësaj proteste kishte risitë, ndryshimet. Dëgjuam shoqërinë civile, s’mund të vëmë një program se kë do shajmë dhe kë do lavdërojmë. Asnjë opozitar nuk duhet të jetë i përjashtuar nga beteja kundër Edi Ramës", vijoi Zhupa.

Ora 21:12
Mbyll protestën, Berisha erdhi në këmbë, e ikën me makinë (VIDEO)

 

Mbyll protestën, Berisha erdhi në këmbë, e ikën me makinë.

Ora 21:10
Nga protesta, Berisha paralajmëron hapjen e negociatave me BE

Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbyllur fjalimin në protestë, teksa paralajmëroi hapjen e negociatave me BE, pasi sipas tij nuk duhen ndëshkuar shqiptarët, prej Edi Ramës. 

"Miqtë e mi, këtë javë shpresoj që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë, mos të shkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do cdo gjë, por negociatat me BE nuk i do, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq sic është, demon i pushtetit, kryehajdut i Evropës", tha Berisha. 

Ora 21:07
Paralajmëron protesta të tjera? Berisha: Ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë

 

Në fjalimin e tij përpara protestuesve, Sali Berisha duket se ka paralajmëruar protesta të tjera.

“Do i presim biletën, ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë”, tha Berisha.

Ora 20:59
Berisha-Ramës: Votën kurrë nuk ta falim, pushtetin e vjedhur nuk ta njohim

 

Sali Berisha nga protesta akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vjedhur votat që sot është në pushtet. Berisha tha se sot betohen se Ramës nuk do t’ia falin votën dhe as pushtetin e vjedhur.

“Ti qëndron në pushtet me votën e vjedhur, përgjakur, me votën e blerë. Ti pushtetin e plotë monist e vendose duke u rrëmbyer votën shqiptarëve, harroje se me këto akte, ke shkelmuar idealet e të gjallëve dhe të vdekurve të këtij vendi, ke shkelmuar sakrificën mbi njerëzore të mijëra shqiptarëve që ranë për tu bërë të pavdekshëm kundër diktaturës. Ke shkelmuar ëndrrën e rinisë së viteve ’90. Ke shkelmuar dinjitetin e qytetarëve që shkon u blen votën, pasi i varfëron, që u a merr me banda me vrasje, u ke ndërsen terroristë të votës së lirë, patonazhistët e tu. Kam një fjalë. Edi Rama jemi sot këtu për tu betuar për këtë flamur, flamurit të kombit se votën kurrë nuk ta falim, pushtetin e vjelë mbi votën e vjedhur nuk ta njohim, harroje mos luaj me votën, jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë, të vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë të votojnë të lirë. Edi Rama ti këto kohë këto vite je treguar armik i fjalës së lirë, armik i egër, ke përdorur metodat e frikës së terrorit për ti zhytur shqiptarët në heshtje”, tha Berisha.

Ora 20:56
VIDEO/ Shkëlzen Berisha i pranishëm në protestën e të atit

 

Sali Berisha, përveç bashkëshortes Lirie, ka pasur me vete edhe djalin e tij, Shkelzenin në protestë. Larg të atit, Shkëlzen Berisha ndodhej në protestë i shoqëruar nga aktori i humorit, Julian Deda.

Ora 20:53
Berisha mesazh Ramës: Jemi armiq, kur të themi mbathja, duhet t’ja mbathësh! Ne shpojmë çdo blind, asgjë s’na ndal

 

Sali Berisha mban fjalën e tij në protestë.

“Jeni burim drite, shprese për mbarë shqiptarë, sonte më shumë se kurrë, mendjet, zemra dhe sytë e mbarë shqiptarëve janë të drejtuar te ju. Do i them Ramës këto fjalë, ne të dy sot jemi armiq, si ti Edi Rama ke për ideal pushtetin, dhe vetëm pushtetin, kurse unë me këta burra e gra kemi për ideal lirinë. Ti do pushtetin për të pasuruar veten, kurse unë lirinë e dua për të bërë të lirë shqiptarët e për t’iu kthyer qytetarëve dinjitetin. Ti ja ke mbathur, gabim ke bërë, ne nuk veprojmë në pabesi, kur të themi mbathja do t’ja mbathësh, së dyti, mos harro i mjerë se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë cdo bunker, shpojmë cdo blind, asgjë s’na ndal ne në përpjekjet për liri”, tha Berisha.

Ora 20:47
Monika Kryemadhi nga protesta: Sot detyra e opozitës është që mos zhgënjejë shqiptarët si një vit më parë

 

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nga protesa tha se detyra e opozitës është të mos zhgënjejë qytetarët, siç bëri një vit më parë.

“Ju sot më shumë se kurrë jeni ata që na jepni ne më shumë më forcë për ta përballur këtë situatë më shumë se kurrë. Ju vuani siç vuajnë ata që iu prishin shtëpitë në unazë të re, në Bathore. Sot në këtë takim të jashtëzakonshëm. Ne sot më shumë se kurrë japim mesazhin e fortë i vetmi flamur partie është flamuri shqiptar. Ky flamur i bukur që në fushën e tij ka gjakun e mijëra shqiptarëve që duan jetën për Shqipërinë, që u betuan për Shqipërinë, sot është motivi ynë më i madh për Shqipërinë europaine. Ky flamur ka rëndësinë më të madhe se Rama me Open Balkan kërkon të na çnderoje, misioni ynë është ta valëvisim duke kthyer djemtë dhe vajzat në Shqipëri, trurin që ka ikur duke i larguar Edi Rama nga Shqipëria. Sot më shumë se kurrë ky bulevard po i jep shpresë Shqipërisë dhe shqiptarëve, të mos i zhgënjejmë shqiptarët si një vit më parë. Shqipëria dhe shqiptarët do të kërkojnë të qeverisen nga politikanë të mirë, nga djemtë dhe vajzat e saj, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Ora 20:42
"Rama iku dhe mori edhe kërpudhën me vete", Belind Këlliçi ironizon kryeministrin nga protesta në Bulevard

 

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi gjatë fjalimit të tij në protestën e thirrur nga Sali Berisha që po mbahet përpara Kryeministrisë, tha se Shqipëria është e ndarë në dy realitete të ndryshme, në atë të Edi Ramës, ministrave të qeverisë Rama dhe Veliajt që jetojnë në luks, dhe Shqipërinë e qytetarëve të cilët, sipas deputetit, po varfërohen çdo ditë.

Këlliçi tha se në këtë ditë që po zhvillohet protesta ku janë mbledhur mijëra demokratë e protestues, kryeministri Rama është larguar në Vlorë, për të mos u përballuar me popullin që drejton. Për Këlliçin, Rama duhet të ishte atje për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.

“Rama Ik, ta dëgjojë Rama deri në Vlorë. Ju vini në Tiranë, ai ia mbath vetëm për të mos ju parë se i dhëmbin sytë kur ju sheh në shesh. Iku dhe mori edhe kërpudhën me vete. Një lider duhet të qëndronte dhe të dëgjonte hallet e qytetarëve të tyre, por ai ia mbathi se i tillë është.

Shqipëria jonë është në rrezik, po asfiksohet, po meket çdo ditë. Rilindja vrau Shqipërinë e shqiptarëve. Shqipëria e Ramës, e Ballukut, e Agaçit, e Çuçit, e Veliaj, vjen aromë parfumi të shtrenjtë francez, ka konfortin e vilave të luksit në bregdet, rehatinë e makinave që kushtojnë qindra mijëra euro, adrenalinën e udhëtimeve të klasit të parë. Por ky vend i qeveritarëve më të korruptuar të vendit sipas çdo raporti ndërkombëtar, nuk u krijua falë talentit të tyre. Kjo botë e tyre erdhi në jetë mbi Shqipërinë e shumicës së Shqiptarëve, duke i marrë pasurinë. Kjo bandë është pronarja e inceneratorëve, Rama dhe Veliaj, investitorët strategjikë, ndërtuesit e kullave, shkatërruan kulturën, bënë teatrin gropë, dhanë Butrintin, larguan mjekët e të rinjtë. Nuk ka komitet ekspertësh dhe as bord çmimesh, janë këta të dy që e kanë blerë PS-në me paratë e lejeve të ndërtimit dhe po e mbajnë me paratë e inceneratorëve.

Shqipëria ka shijen e braktisjes, vetmisë se ikin specialistë, Shqipëria e vërtetë ka aromën e varfërisë pasi pagat e ulëta, pensionet e ulëta, nuk dalin as për të blerë ushqimet pas rritjes së çmimeve. Shqipëria ka pamjen e mundit të fermerëve që hedhin prodhimin se nuk kanë ku e shesin, Shqipëria e shumicën ka pamundësinë për të mbyllur muajin, për të shlyer kredinë, për të mbushur makinën me naftë, për të paguar ujin, dritat, internetin apo tarifën e Universitetit. Shqipëria që do Edi Rama janë ata ministra, ish-ministra janë ata që kanë qasje në 30 milionë dollarët që figurojnë në llogarinë e 90-vjeçares në azil, e cila nuk di asgjë”, u shpreh Këlliçi.

Ora 20:30
Albana Vokshi: Sot është një ditë e keqe për Ramën, s’ka më kthim derisa ta rrëzojmë këtë qeveri

 

Deputetja demokrate Albana Vokshi në fjalën e saj në protestë tha se kjo është një rrugë pa kthim deri në rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.

"Kam nderin të jem zëri i mijërave grave dhe vajzave që nuk dorëzohen që ngrenë zërin kundër nënshtrimit. Na bashkon diçka shumë e madhe, ne jemi njerëz të sakrificës, luftojmë për fëmijët, ngremë zërin pa patur frikë nga ky regjim që kërkon të na mbyllë gojën. Sot është një ditë e mirë për demokracinë, sot është një ditë e keqe për Ramën dhe qeverinë e tij, t’i themi nuk na gënjen dot, nuk na blen dot, largohu. Sot nisim një rrugë vetëm me një drejtim, s’ka më kthim mbrapa, përpara derisa ta largojmë kryeministrin më të korruptuar në tre dekada. Lukuni e babëzitur që nuk pyet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ramën duhet ta ndalim ne, ka vetëm një mënyrë, të ngremë zërin kundër keqqeverisjes. Protesta dhe vetëm protesta është gjuha vetme që njeh Edi Rama. Të jetë 7 korriku dita e fillimit të rezistencës, të bashkimit të gjithë shqiptarëve që e duan Shqipërinë, kundër Edi Ramës dhe bandës së tij hajdute", tha Vokshi.

Ora 20:22
Agron Shehaj: Ne jemi shumica, këtë e dëshmon pjesëmarrja në protestë

 

Deputeti demokrat Agron Shehaj ka mbajtur fjalën në protestë. Shehaj tha se ata janë tashëm shumica, dhe sipas tij këtë e tregon pjesëmarrja në protestë.

“Dua të jem i qartë, unë nuk jam këtu për veten time, nuk jam për Berishën, një gjë e madhe na ka mbledhur, e bisedojmë çdo ditë, përmblidhet në një fjali, në Shqipëri nuk ka më të ardhme. Kështu mendon shumica absolute e shqiptarëve por një pjesë e tyre ka vendosur të mos na bashkohen, por t’iu bashkohen atyre që janë ikur nga Shqipëria. Kanë humbur besimin, përballë korrupsionit, mund t’iu kthejë shpresën oferta e ndershmërisë dhe zbatimit të ligjit për të gjithë. Rama investon miliona në media për ti bindur që jemi të gjithë njësoj, duan të na bindin se në Shqipëri nuk ka njerëz të ndershëm problemi tha paaftësia, jo shqiptarët ikin se qeveria është e korruptuar, nuk mund të pajtohemi me plaçkitjen, blerjen e mediave, kapjen e drejtësisë. Kështu bëjnë ata që nuk kanë atdhe. Ne që duam një vend normal, që zhvillohet me punë, ne jemi shumica, ky nerv është gjallë, e dëshmon prania juaj sonte dhe shumë e të tjerëve që do na bashkohen, vetëm nëse tregojmë se nuk duam të vijmë në pushtet për të vjedhur dhe pasuruar”, tha Shehaj.

Ora 20:18
Avokatja në protestën e Berishës sulmon ambasadoren e SHBA: Zonja kryeministre e Shqipërisë nuk mund të jesh ti Kim

 

Në protestën e Sali Berishës nuk kanë munguar sulmet për ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim.

“Zonja kryeministre e Shqipërisë nuk mund të jesh ti Kim”, tha Emanuela Dvorani, me profesion avokate.

Ora 20:07
Aktivisti në protestë: Betohem në Zotin e Shqipërisë se nuk do e braktisim atdheun! Faleminderit Berisha që u riktheve

 

Aktivisti Kreshnik Osmani ka pasur një falënderim për Sali Berishën, sipas së cilit rikthimi i tij ishte i fuqishëm.

“Kush ju ka thënë që Tirana, nuk ka del apo oqean, ky është oqeani i Shqipërisë. Betohem, në Zotin e gjithësisë, ata që thanë ku po shkoni dhe për kë po protestoni ju them faleminderit Berisha, ky është fuqia e rikthimit, faleminderit që u riktheve doktor, betohem në Zotin e Shqipërisë se të gjithë bashkë nuk do e braktisim Shqipërinë”, tha Osmani.

Ora 20:06
Kryemadhi i bashkohet protestës, shihet në krah të Sali Berishës dhe bashkëshortes së tij

 

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i është bashkuar protestës së thirrur nga Sali Berisha. Kryemadhi shihet në krah të Sali Berishës dhe bashkëshortes së tij, Liri Berishës.

 

Ora 20:05
Protesta e Berishës bojkotohet nga shumica e deputetëve të PD-së! Ja kush morën pjesë (EMRAT)

Të pranishëm në protestën e Sali Berishës ka qenë edhe deputetja Grida Duma, Dash Sula, Dhurata Çupi, Dashamir Shehi, Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Saimir Korreshi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa figura që janë rreshtuar kritikë kundër Sali Berishës, por kanë marrë pjesë në protestën e thirrur prej tij.

Pjesa tjetër, mes tyre Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi e kanë bojkotuar, duke mos i shkuar në protestë.

Ora 19:40
Report Tv sjell video me dron nga protesta e Berishës para Kryeministrisë

Report Tv sjell video me dron nga protesta e Sali Berishës para Kryeministrisë. 

 

video Pamje me dron ora 19-30
 

 

Video Pamje me dron ora 20:00

 

 

Video Pamje me dron ora 20:20
Ora 19:23
Berisha lë selinë e PD-së dhe niset në këmbë drejt Kryeministrisë (VIDEO)

 

Sali Berisha lë selinë e PD-së dhe niset në këmbë drejt Kryeministrisë

Ora 18:45
15 minuta para se të nisë protesta, Berisha mbërrin në selinë e PD (VIDEO)

 

Rreth 15 minuta, para se të nisë zyrtarisht protesta, Sali Berisha mbërrin në selinë e Partisë Demokratike.  

Ora 18:25
Berisha foli për skenare, ‘blindohet’ Kuvendi, 6 furgonë të FNSH rrethojnë parlamentin (VIDEO)

Pak minuta para se të nisë protesta e Sali Berisha, në një kohë kur ky i fundit ka folur për skenare, është vënë re një prezencë e shtuar e forcave të FNSH-së te Kuvendi. Report Tv mëson se deri tani kanë shkuar 6 furgona.

Ora 18:14
Protesta e Berishës, reagim Kim: E rëndësishme që protesta të jetë paqësore (VIDEO)

Ambasadorja  SHBA, Yuri Kim ka folur për protestën e Sali Berishës, ku ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të jetë paqësore dhe të respektohet ligjit. 

“Është e drejta e të gjithë qytetarëve që të protestojnë, me rëndësi është të zbatohet ligji dhe protesta të jetë paqësore”, tha Kim,  para aktivitetit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për 246 vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.

Ora 15:30
Këlliçi: Administrata e Ramës është vënë në lëvizje për të penguar protestën

 

Deputeti i PD-së dhe njëherazi kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi ka denoncuar se informacionet në rrugë partiake dhe jopartiake, na bëjnë me dije se administrata e Edi Ramës është vënë në lëvizje për të penguar valën e madhe shoqërore që do të zbresë sot në Tiranë.

 “Qytetarë nga e gjithë Shqipëria, nga veriu në jug, na kanë dërguar sot mesazhe, duke na siguruar për masivitetin e protestës. Informacionet tona në rrugë partiake dhe jopartiake, na bëjnë me dije se administrata e Edi Ramës është vënë në lëvizje për të penguar valën e madhe shoqërore që do të zbresë sot në Tiranë.

Mësuesit janë urdhëruar të jenë në punë, edhe pse sezoni shkollor ka mbaruar. Aktorëve u janë shpikur prova në Teatër, në mënyrë që zëri i tyre të mos gjëmojë në protestën e Frontit për Shpëtimin Kombëtar; dyert e kryeministrisë janë blinduar. As demokratët dhe as shoqërinë, nuk i ndal asnjë blindë, siç është provuar nga vitet ‘90 e këtej.

Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të mos tremben nga skenarët faake të qeverisë dhe as nga blindatat. Ne dalim sot për të dëshmuar se opozita e këtij vendi ekziston, se ajo është e bashkuar me shoqërinë, se ajo është gati për të mbrojtur interesat e qytetarit. Opozitës së kapur nga pushtei i ka ardhur fundi. I bëjmë thirrje shqiptarëve, fermerëve, mësuesve, profesionistëve, të rinjve, të papunëve, të na bashkohen sot para Kryeministrisë.

 Nëse nuk pastroni para, por mezi u dalin paratë për fundin e muajit, është koha të ngrihemi. Nëse nafta, ushqimet e shportës, taksat, janë bërë të papërballueshme është koha të ngrihemi. Nëse kthen kokën dhe sheh se një familjar apo mik të mungon, se ta ka marrë emigrimi, është koha të ngrihemi. Le t’ia themi dy fjalë sonte njeriut që ka nëntë vite që nuk na dëgjon. Të bashkuar, për Shqipërinë në rrezik, sonte ora 19.00”, tha Këlliçi.

 

Ora 14:19
Protesta e thirrur nga Berisha, reagon ambasada e SHBA-ve në Tiranë, u bën thirrje qytetarëve të shmangin grumbullimet

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar duke këshilluar qytetaret e saj të qëndrojnë larg zonave ku do të grumbullohen qytetare të pranishëm në protestën e thirrur nga Sali Berisha ketë të enjte të 7 korrikut, përpara Kryeministrisë.

“Para Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmoret e Kombit është planifikuar të zhvillohet një protestë ditën e enjte, datë 7 korrik 2022, me fillim në orën 19:00.Këto protesta kanë potencialin të përhapen në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.

Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha në qytet. Ndërsa shumë protesta zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, thekson ambasada ne këshillat për qytetaret amerikane që jetojnë në vendin tonë.- thuhet në njoftim.

Njoftmi i ambasadës së SHBA-ve
Ora 13:28
Protesta e Berishës, vendosen megafonë në selinë e Kuvendit (VIDEO)

Në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e protestës së Sali Berishës, gjatë ditës së sotme godina e Parlamentit është pajisur me prozhektorë të mëdhenj dhe megafonë të cilët janë montuar nga punonjësit e Kuvendit. Vendosja e megafonëve do të shërbejë për të kontrollojë situatën.