Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e sotëm për protestën e dhunshme që Sali Berisha thirri dhe mbajti ditën e djeshme në Tiranë, ku pas disa fjalimeve në podiumin e ngritur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", militantët e tij filluan të hedhin breshëri molotovësh dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, për t'u zhvendosur më vonë me akte vandalizmi edhe para Kuvendit.
Si pasojë e agresionit të mbështetësve të Partisë Demokratike, krahas dëmtimit të pronës publike dhe institucioneve shtetërore, të paktën 11 efektivë policie u plagosën dhe u dërguan për mjekim në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Numri një i qeverisë shkruan se në 100 vitet e fundit ekziston "vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat", duke iu referuar Partisë Demokratike të udhëhequr nga Berisha.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…
Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ndarë një postim në rrjetet sociale për protestën e së shtunës duke thënë se Rama reagoi kundër protestuesve në dhunë. Sipas Bardhit, një kryeministër “nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit” dhe as “nuk sulmon drejtësinë”.
Bardhi shkruan gjithashtu se “koha e kryeministrit të korrupsionit ka skaduar”. Deklarata e tij vijon atë të liderit të PD, Sali Berishës që tha se opozita “ndodhet në kilometrin e fundit të fitores.”
“Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin.
Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper. Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe i përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët.
Askund në Europë, Kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur. Askund në Europë, një kryeministër nuk paracakton tenderat. Askund në Europë, një kryeministër nuk cakton një koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama me Ergys Agasin. Askund në Europë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë. Askund në Europë, kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë!
Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama! Sepse vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave. As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më. Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar”, shkruan Bardhi.
Komente











Diktaturat nuk permbysen me lule, permbysen me protesta! Kur ne 2013 beja fushate per PS-ne, nuk e prisja kurre qe Edi Rama do instalonte mafien ne pushtet. Mafiet nuk pyesin per qytetari, me mafien do flasesh gjuhen qe kupton, dhe gjuha qe kupton eshte perplasja qytetare!
PërgjigjuNormal qe PD do kete program dhunen kur ka perballe nje parti si Rilindja qe ka program vjedhjen, mashtrimin e shitjen e vendit! Pak po bejne se jemi popull i pafuqishem se ju duheni dhunuar neper shtepiat tuaja luksoze! Kusare jeni e do mbeteni!
PërgjigjuE harrove 21 Janarin. Sa i bere perkujtimoren.
Përgjigju