TIRANË- Sali Berisha është thirrur ditën e nesërme në Prokurorinë e Tiranës për t'u marrë në pyetje lidhur me rolin e tij në 8 janar dhe organizimin e protestës së dhunshme që përfundoi me shkatërrimin e selisë blu, ''Kështjellës' së demokratëve. Report Tv mëson nga burime të sigurta se Berisha është thirrur për t'u paraqitur nesër në orën 11:00, në 12:00 Flamur Noka. Ndërkohë pasnesër "radha" është e kryedemokratit Lulzim Bashës dhe e numrit 2 të demokratëve, Gazment Bardhi, më konkretisht në orën 11:00 dhe 12:00.

Berisha nuk është në listën e personave të arrestuar apo të vënë në hetim për 8 janarit, ndonëse në pamjet e publikuara më herët nga Report Tv dukej qartë momenti kur ish-kryeministri i sinjalizonte protestuesit që të sulmonin godinën,në kohën që Basha mbante mbledhjen në katin e dytë.  Berisha tha se është i gatshëm të shkojë të dëshmojë nëse thirret si person që është në dijeni të fakteve, për përplasjet para selisë së PD-së, e tashmë që thirrja i është dërguar, mbetet për t'u parë nëse ish-kryeministri do të shkojë për të dhënë versionin e tij të ngjarjes.

Gazment Bardhi është nën hetim pasi akuzohen për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”. Flamur Noka, deputeti tjetër nën hetim për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Çuditërisht për Sali Berishën asnjë akuzë.

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pamjet filmike në të gjitha ambientet e selisë së PD-së e ndërsa sot me vendim të Gjykatës së Tiranës u liruan 34 të arrestuarit.

Çfarë ndodhi në 8 janar? E shtuna ishte një ngjarje dramatike për Partinë Demokratike por edhe për imazhin e vendit. Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi por rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës. Nga ana tjetër Sali Berisha shkoi sërish në selinë e PD, ndërsa i cilësoi 'dhunuesit' si heronj duke shtuar ato ruajtën gjakftohtësinë dhe rrëzuan dyert e blinduara të 'Lul Bravës'.