Ish-oficeri i Gardës së Republikës dhe ish-truproja e ish-kryeministrit Fatos Nano, Viktor Agolli, e ka cilësuar të dështuar nga ana e pjesëmarrjes, por të dhunshme protestën e organizuar ditën e djeshme nga kryedemokrati Sali Berisha.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Agolli tha se protesta me këtë nivel të lartë dhune si këto që po organizon PD, nuk janë parë as gjatë viteve të para të demokracisë.
Agolli kërkoi që drejtësia të bëjë punën e saj, duke ngarkuar me përgjegjësi penale deputetët e PD-së për organizimin e dhunës gjatë protestave.
“Protesta e djeshme ka qenë protestë në pakicë, por shumë agresive dhe e dhunshme. Për mua si ish-oficer i Gardës së Republikës dhe i Policisë, e thashë edhe më lartë, nuk është se janë ata fëmijë. Ata fëmijë i drejton dikush. Përgjegjësi penale duhet të mbajnë deputetët. Si ka mundësi që deputetët t’i gjuajnë gardistit, t’i gjuajnë policisë. Polici nuk është as i PS dhe as i PD. Polici është shteti, nuk preket. Një polici e fortë dhe e paprekshme, është një shtet i fortë. Këtu te ne është anarki sepse është mungesa e gjyqësorit që lë për të dëshiruar”, tha mes të tjerash Agolli.
Ish-trupëroja e Fatos Nanos vijoi më tej duke thënë se PD nuk ka asnjë figurë intelektuale dhe asnjë person nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë në kupolën drejtuese. Sipas Agollit, kryedemokrati Berisha ka qenë dikur sekretar në Partinë e Punës.
“Nga 1992 dhe ktej që u krijuan partitë politike në Shqipëri, ka pasur protesta të dhunshme, por jo në këtë shkallë. Në atë kohë, nga 1992 deri në 2003 në PD kishte elementë shumë pozitivë. Kanë ikur themelues, profesorë doktorë. Kanë ikur nga PD të gjithë të presekutuarit. PD përbëhet vetëm nga komunistët. Dhe nëse do të bëjmë kush është më komunist nga PD ose PS, PD është komuniste, sepse ka sekretarin e partisë në krye, ka mbesën e asaj që strehoi Enver Hoxhën në shtëpi në kohën e luftës nacional-çlirimtare, Albana Vokshin, ka Flamur Nokën dhe figura të tjera që kanë prejardhje nga Partia e Punës. Ndërsa PS është si një lumë, si lumi Vjosa që e ka shtratin, vjen që nga Partia e Punës”, tha ai më tej.
Ndërsa për të ardhmen, Viktor Agolli nuk e shikon optimist ecurinë e PD-së, përsa kohë që në krye të kësaj force politike do të qëndrojë Sali Berisha.
“PD po shkon nga një humbja në një humbje. Tani nga kilometri i fundit, do vijojë metri i fundit. Pastaj do filloj centimetri që përfundon në 2050. Nëse do ikte Berisha, do i rrezikohej pushteti PS-së. Nëse atëherë s’do zgjidhej Basha, por Olldashi, sot PD do të ishte në pushtet”, përfundoi Agolli.
Komente












