Protestat e dhunshme të PD nuk kanë asnjë ndikim në zgjedhjet elektorale. Kjo është analiza e Indrit Vokshit në Report Tv i cili këshillon kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën për një strategji të re dhe riorganizim.
“Në rezultatin elektoral nuk kanë ndonjë vlerë të madhe. Këtë duhet t’ia thotë dikush Berishës, jo se ai nuk e di, mirëpo kur bëhen shumë njerëz për të lobuar për një strategji tjetër politike, ndoshta edhe vetë kryetari pranon të ndjekë një strategji tjetër politike. me dashamirësi e them që një parti politike opozitare ka nevojë të organizohet në terren dhe të ndërtojë një ekip qendror legjitim që njerëzit ta shikojnë si simpatik, jo 50 vetë aty që imitojnë Sali Berishën”, tha analisti, teksa shtoi: “Do të ishte mirë të ndërrojnë rrugë.”
Sa për reagimet e deputetëve se u sulmuan qëllimisht, Vokshi thotë se janë veç viktimizim e skena të panevojshme, krahahsuar me protestat e 2019-ës.
“Nuk e di a i leverdis Berishës për t’u viktimizuar se pashë disa deputetë që ishin viktimizuar. Ne kemi ngrënë më shumë gaz sesa kaq në 2019 dhe skemi bërë këtë simulimin si lojtarët në fushë kur nuk i prek dhe fillojnë të simulojnë. Janë skena të panevojshme”, tha analisti.
Protesta është e dhunshme me vetëdije, shprehet Vokshi dhe e paralajmëruar. Sa për përplasjet mes efektivëve e protestuesve, e sheh si kosto të demokracisë.
“Kjo është një protestë me vetëdije e dhunshme, nuk mund të themi që ka eskaluar padashje. Është paralajmëruar për një protestë të tillë, janë bërë gati dhe është e drejta e tyre për të bërë një protestë të tillë, sikurse është e drejta për të zbatuar detyrën. Vetë Berisha ka thënë dikur që Garda të zbatojë ligjin. Nuk duhen lënduar. Kjo është kostoja e demokracisë, është përplasja mes palëve të kundërta. Mund të lëndohen policë të pafajshëm apo protestues që nuk po dhunojnë”, tha Vokshi.
Sekuestrimi i molotovëve nga policia, veprim që parandaloi pasoja të dëmshme që mund të kishin ndodhur, është thjesht paaftësi e protestuesve.
“Protestuesit janë treguar më të pazgjuar dhe të paaftë kësaj radhe dhe ua kanë kapur molotovët. Policia, në bazë të ligjit duhet të bëjë detyrën e saj, t’i marrë, të sekuestrojë dhe t’i regjistrojë njerëzit. Opozita duhet të bëjë detyrën e saj, të çojë avokatë për t’i liruar”, tha Vokshi.
Analisti rrëzon edhe pretendimet e opozitës që të jetë populli ai që duhet të reagojë në protesta pa pasur interes, një qasje krejtësisht e gabuar, thotë Vokshi.
"Individi, shumësia e individëve që përbëjnë popullin kanë interesin e tyre, është legjitime. Vetëm në diktatura thuhet që s’duhet të ketë interesa. Që populli të të mbështesë, duhet ti përfaqësosh qoftë ekonomikisht, duke vendosur njerëz që krijojnë simpati, krijojnë marrëdhënie besimi. Nëse thua unë kam një klik këtu dhe këtë e betonoj në grupin parlamentar e bashki, dhe pastaj ka faj populli që s’na bashkohet ne, është problemi më i madh. Nuk mund të thuash e kanë këta fajin se nuk ngrihen, mund ta kesh ti fajin që 'si bën të ngrihen", tha Vokshi.
Problemi i partisë është mungesa e sfidës ndaj Berishës përmes një modeli tjetër, shprehet Vokshi. Përjashtimi i njerëzve është luks që PD s’e ka dhe mesazhi që jepet, duke marrë si shembull Ervin Salianjin, është se gjithçka varet nga vullneti i partisë.
“Nuk është çështja Ervin Salianji, por nëpërmjet Ervin Salianjit jepet një mesazh tjetër, ne ju përjashtojmë kur të duam, nuk jeni të sigurt, ju konsiderojmë të vetëpërjashtuar e të përjashtuar thjesht nëse nuk ruani vijën. U jepet mesazh shumë i keq të tjerëve që mund të tentojnë dhe mendojnë për të investuar si aktivistë të opozitës dhe është mesazh dërrmues psikologjikisht. Kur të dojë Sali Berisha me ata të vetët, të përjashton”, tha Vokshi.
Komente










