Qindra qytetarë u mblodhën këtë të mërkurë në qendër të Klosit në protestën e dytë kundër projektit të reformës administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Ashtu si në protestën e parë, pjesëmarrësit kërkuan që Klosi të ruajë statusin e bashkisë dhe bënë thirrje që kundërshtimi të mos shihet si një çështje politike, por si një kauzë që prek të gjithë banorët.

Gjatë tubimit, qytetarët folën për zhvillimin që, sipas tyre, ka njohur Klosi vitet e fundit, veçanërisht pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit, duke argumentuar se bashkia ka potencial ekonomik në bujqësi, blegtori, turizëm, miniera dhe biznes, ndaj nuk ka arsye të humbasë statusin e saj si njësi e vetëqeverisjes vendore.

Një pjesë e mirë e diskutimeve u përqendrua edhe te përfaqësuesit politikë të zonës. Qytetarët kërkuan që kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola dhe Këshilli Bashkiak të mbajnë një qëndrim të qartë publik kundër projektit, ndërsa kritikuan mungesën e një reagimi të fortë nga deputeti socialist Agron Malaj.

“Edhe deputeti duhet të vijë këtu. Derë më derë ka shkuar, i kanë dhënë votën. Duhet të bashkohet me popullin e vet, jo të shohë si po shkrihet bashkia”, u shpreh një nga folësit gjatë protestës.

Një tjetër qytetar iu drejtua drejtpërdrejt deputetit, duke thënë se Klosi e kishte mbështetur me votë dhe se priste që ai të mbronte interesat e zonës në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale.

“Një vërejtje pa hezitim deputetit Agron Malaj. Si është e mundur që, si pjesëmarrës në komisionin e posaçëm dhe si deputet i votuar nga Klosi, nuk ndërmori të paktën një hap që të shihnim se bëri një përpjekje për ta mbrojtur këtë bashki?”, tha ai.

Në protestë pati edhe thirrje për organizimin e një referendumi lokal, me argumentin se vendimi për të ardhmen e Bashkisë Klos duhet t’u takojë vetë banorëve. Sipas folësve, nëse reforma do të vazhdojë, ajo duhet të mbështetet në vullnetin e qytetarëve dhe jo të vendoset pa pëlqimin e komunitetit.

Protestuesit paralajmëruan se kundërshtimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkuan që të gjithë përfaqësuesit politikë, pavarësisht bindjeve partiake, të bashkohen në mbrojtje të Bashkisë Klos.