Kompania ‘TETE Albania’ ka reaguar zyrtarisht në lidhje me protestën e zhvilluar ditët e fundit nga një grup punonjësish, duke e cilësuar procesin si të paligjshëm dhe jashtë procedurave të parashikuara nga Kodi i Punës.

Në një deklaratë për shtyp, kompania thekson se që prej themelimit ka ushtruar aktivitetin “në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar të drejtat e punonjësve dhe të gjitha proceset ligjore që burojnë prej tyre”.

“U bëjmë thirrje 43 punonjësve, kontratat e të cilëve janë ende në fuqi, që të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës,” thuhet në deklaratë.

Sipas kompanisë, krijimi i sindikatave dhe anëtarësimi në to është një e drejtë ligjore e çdo punonjësi, por ndërprerja e punës pa ndjekur procedurat ligjore përbën shkelje të rregullave dhe ndikon negativisht tek punonjësit e tjerë.

TETE Albania paralajmëron se nëse situata nuk normalizohet në një periudhë të shkurtër, kompania mund të përballet me vështirësi në shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj punonjësve aktivë, për shkak të dëmeve ekonomike që tashmë janë shkaktuar.

“Ndërprerja e punës ka shkaktuar dëme të ndjeshme ekonomike që përbëjnë një ‘sulm ekonomik’ ndaj stabilitetit të kompanisë,” thekson më tej njoftimi.

Në të njëjtën kohë, kompania njofton se ka nisur procedurat ligjore për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë procesit të grevës.

Në përfundim, TETE Albania shprehet se zgjidhja e qëndrueshme e situatës mund të arrihet vetëm përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv, në respekt të kuadrit ligjor dhe procedural në fuqi.