Pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike, 23 militantë protestues janë shoqëruar në policisë, ndërsa 11 efektivë kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Të dhënat u dhanë nga një deklaratë zyrtare përmes Policisë së Shtetit, e cila sqaroi edhe shoqërimin e një të mituri 10 vjeç, që nga zyrtarët e PD-së u konsiderua një akt kriminal.

Policia thotë se gjatë verifikimit të të gjeneratës dhe moshës, njëri prej protestuesve rezultoi i mitur dhe menjëherë u njoftuan prindërit. Policia thotë se i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.

Shoqërimi i tij solli edhe reagime nga deputetët e PD, ndërsa disa prej tyre ishin edhe në komisariatin numër 1 në Tiranë ku u përplasën me efektivët.

“Regjimet kriminale nuk njohin limite. Frika e Edi Ramës nxjerr nga binarët Policinë e Kryekriminelit Ilir Proda. Është jashtë çdo imagjinate arrestimi i një të mituri 10 vjeçar”, shkroi Bardhi.

“Arrestimi i një fëmije 10-vjeçar është një akt çnjerëzor dhe i papranueshëm në çdo shtet që pretendon të ketë ligj dhe drejtësi. Akoma më alarmuese janë dyshimet serioze për dhunë ndaj të miturit. Arrestimi i një fëmije vetëm pse ndodhej në një protestë kalon çdo kufi ligjor, etik dhe moral. Kjo nuk është zbatim ligji, por abuzim i hapur me pushtetin”, shkroi Tabaku.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit

Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës. Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.

Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.

Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.

Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.

SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 24 Janar, 21:48

    A duhet qeveria t’i druhet protestave të opozitës?