Protesta/ Grupet nga 6 universitetet e Tiranës vijojnë bojkotin, studentët e 'Luigj Gurakuqit' shtojnë dy pika (VIDEO)

Një grup i vogël studentësh nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Historisë dhe Filologjisë, Mjekësisë dhe Shkencave Sociale vijojnë të bojkotojnë mësimin në shenjë proteste duke sfiduar temperaturat e ulëta. Tek fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit i ftohti ndihet më shumë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, por pavarësisht kësaj, ata shihen të palëkundur në qëndrimin e tyre.

Paralelisht më to, protestojnë edhe një grup studentësh nga Shkodra dhe Elbasani. Studentët e Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër i kanë dërguar këtë të hënë Rektoratit një projekt-kërkesë me dy pika të reja, që konsistojnë në zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Këshillin Studentor dhe në kalimin e studentëve të vitit të dytë në atë të tretë me 25 kredite, jo 30. 

Pas kalimit të natës të së shtunës në fakultetin e Ekonomikut të një grupi studentësh me batanije, studentët deklaruan mbrëmjen e së dielës, nga ambientet e këtij fakulteti, se protesta e studentëve me bojkotim mësimi dhe ngujim brenda ambienteve të fakulteteve do të vijojë. (Lexo këtu)

Përmes thirrjeve “bojkotoni mësimin, bojkotoni mësimin” dhe “studentët e bashkuar kanë për të fituar”, studentët vijojnë të këmbëngulin se qeveria nuk i ka përmbushur plotësisht kërkesat e parashtruara.

Këta studentë kanë nisur të bojkotojnë mësimin që prej datës 7 janar. Ndonëse kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e djeshme se nga sot nëpër sekretariatet e fakulteteve do të ketë dy përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave që do të sqarojnë për pagesën e tarifave studentët (Lexo këtu), këta të fundit duket se nuk do të zmbrapsen.

Në fund të vitit 2018, studentët protestuan për 17 ditë me radhë për 8 kërkesa, të cilat qeveria i plotësoi përmes Paktit për Universitetin (Lexo këtu) Ndër këto kërkesa përmendej ulja e tarifës së studimeve, kushtet më të mira në universitete dhe konvikte, etj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:20
Senati i UT: Shtyhet afati i tarifave dhe bursave. Rama: Përshëndes deklaratën, të nisë mësimi një orë e më parë

Në një deklaratë prej gjashtë pikash, Senati i UT thekson se do garantohet plotësimi i programit mësimor për vitin akademik 2018-2019, shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave dhe shtyrjen e procedurave të marrjes së dokumentacionit për përfitim burse. Kryeministri Rama përshëndet deklaratën dhe kërkon nisjen sa më parë të procesit mësimor (Lexo të plotë).

Ora 16:19
Kaos në Universitetin e Tiranës/ Një grup studentësh hyjnë në orët e leksioneve me megafon

Grupi  i studentëve protestuesë vazhdon të krijojë probleme brenda Universitetit të Tiranës. Me megafonë në duar ata kanë hyrë në disa nga sallat e Universitetit për të penguar mësimin dhe për të mos lejuar që të zhvillohen orët e leksioneve. Për më shumë ndiqni videon:

Ora 14:10
Dekanati i FHF: Dënojmë ndërhyrjen dhe dhunimin e studentëve nga organet e rendit (Dokumenti)

Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë rikonfirmon përmes një deklarate mbështetjen ndaj protestës së studentëve dhe dënon ndërhyrjen e organeve të rendit në mjediset universitare, si edhe dhunimin e studentëve ndaj prej tyre.

Përmes dekanit Sabri Laçi, dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë ka shtruar kërkesën edhe për ndalimin e  fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorë politikë dhe qeveritarë, e për ngritjen e një strukture me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve për trajnimin dhe adresimin e problematikave që kalojnë institucionet e arsimit të lartë. (Lexo këtu )

Deklarata e Dekanatit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, me përfaqësinë e Sabri Laçit
Ora 12:52
Protesta/ Vijon bojkoti nga disa grupe studentësh në Fakultetet e Tiranës (FOTO+VIDEO)
Ora 11:56
Protesta në Shkodër/ Studentët e Universitetit 'Luigj Gurakuqi' i dorëzojnë dy kërkesa të reja Rektoratit

Studentët protestues të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" kanë dorëzuar sot në mënyrë zyrtare dy kërkesa të reja në Rektorat dhe pritet që në mbledhjen e parë të senatit të universitetit këto kërkesa të futen në rend dite.

Kërkesa e tyre e parë konsiston në zhvillimin e zgjedhjeve të reja për Këshillin Studentor, me pretendimin se aktuali nuk i përfaqëson ata. Ndërsa kërkesa e dytë e tyre, që vjen për arsye ekonomike, është që studentët e vitit të dytë të kalojnë në vitin e tretë me 25 pikë kredite dhe jo 30 pikë kreditesh.

Ndërkohë, studentët janë shprehur se bojkoti i mësimit do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Projekt-kërkesa e studentëve të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, drejtuar Rektoratit
Ora 11:05
Protesta/ Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit i ndërpritet energjia, grupi i studentëve: Do të fitojmë të bashkuar

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit po bojkotojnë mësimin në shenjë proteste pa drita. Ata akuzojnë qeverinë edhe për ndërprerjen e energjisë elektrike, duke e cilësuar si një përpjekje për të ndalur rezistencën studentore. E megjithatë, ky grup studentësh i "Inxhinierisë" vijojnë të shprehen se "studentët e bashkuar kanë për të fituar", duke lënë të kuptohet se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga qëndrimi i tyre deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara.

Studentët e Fakultetit të "Inxhinierisë së Ndërtimit" duke bojkotuar mësimin, teksa u kanë ikur dritat
Ora 10:30
Protesta në Elbasan/ Studentët e Universitetit 'Aleksandër Xhuvani': Ngrihu popull se po na shtypin (VIDEO)

Një grup studentësh të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, vazhdojnë bojkotin mësimor në shenjë proteste. Të vendosur në hyrje të universitetit e të unifikuar, ky grup studentësh shihet në video se mban në duar një banderolë gjigante me parullën: "Ngrihu popull se po na shtypin". 

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai