Qytetarët e Durrësit, të cilët preken drejtpërdrejt nga projekti TID, po protestojnë sot përpara dyerve të bashkisë duke kërkuar sqarim mbi një listë të afishuar online ku bëhet me dije shembja e disa pallateve me qëllim zgjerimin e rrugës në lagjen “Hajdar Demiri”.

Banorët janë përplasur me forcat e policisë dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të bashkisë, ku po mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak. Ata kanë qëlluar dhe me vezë në drejtim të godinës ndërsa i janë vënë pas duke e sulmuar këshilltarin bashkiak Alfred Mullaraj. Policia ka shoqëruar disa prej protestuesve në polici, pavarësisht rezistencës së tyre.

Pas shumë debateve në mbledhjen e këshillit bashkiak, është lejuar që brenda të futet një qytetare si përfaqësuese e banorëve për problemin. Qytetarja u përplas me një prej anëtareve të PS-së, teksa kjo e fundit i kërkoi që të fliste kur të vinte radha e pikës 13-të për tu shqyrtuar.

Nga ana tjetër, anëtarët e opozitës, braktisën mbledhjen për t’iu bashkuar jashtë protestuesve. Ndërkohë mbledhja u ndërpre për disa sekonda dhe më pas rifilloi përsëri pasi u plotësua numri i anëtarëve të nevojshëm për të votuar.

Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:19
Projekti TID në Durrës/ Banorja përplasje me anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhje, anëtarët e opozitës largohen, u bashkohen jashtë protestuesve (VIDEO)

 

Pas shumë debateve, një përfaqësuese e banorëve të Durrësit është lejuar për tu futur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Durrës. Flutura Kasa, anëtare e PS-së ka debatuar me banoren duke i kërkuar që të mos flasë deri sa t’i vijë radha për shqyrtim pikës së 13-të.

Sakaq, anëtarët e PD-së kanë kërkuar lirimin e protestuesve të shoqëruar në polici.

“A do vazhdojmë me këtë logjikën tuaj, që njerëzit protestojnë me të drejtat e tyre dhe ju i çoni në polici? A ka mundësi të ndërhyni që ata çunat që i ka  marrë policia të lirohen apo ta kthejmë përmbys këtë sallë?”, tha anëtari i PD Dritan Burgija.

Ata kanë braktisur sallën për t’iu bashkuar qytetarëve që po protestojnë kundër projektit TID. Sakaq, mbledhja tashmë është ndërprerë pasi vetëm me praninë e këshilltarëve të PS-së, nuk plotësohet kourumi.

Ora 12:58
Protesta kundër projektit TID në Durrës/ Banorët përplasen dhunshëm me policinë, shoqërohen me forcë në komisariat! Mes tyre dhe aktivisti i PD (VIDEO)

 

Policia ka shoqëruar me forcë disa prej banorëve që sot protestojnë në dyert e bashkisë së Durrësit kundër projektit TID. Mes tyre është dhe Orest Berberi, aktivist i PD-së, i cili është përplasur ashpër me efektivët e policisë.