Të shpallur në kërkim pas përplasjeve të dhunshme me policinë më 28 shkurt, 11 banorë të Rrjollit iu drejtuan policisë së Shkodrës, ku edhe u vetëdorëzuan.

Për avokatin e tyre Ndue Pjetra, ky akt tregon se banorët nuk u druhen autoriteteve, pasi siç thotë ai, toka ku Bashkim Ulaj po ndërton resortin “Blue Borgo” është e tyrja.

“Qëllimi kryesor i këtyre është që mundohen me çdo kusht që të mos protestojnë. Këta nuk kanë frikë se kanë pronën vet e nuk e kanë problem të vijnë në polici e me bandat e tokave dhe me radhë. Ardhja sot është me treguar se jemi në tokat dhe në punën tonë. Janë ata që kanë ardhur në tokat tona me letra të falsifikuara. Për ta larguar fadromën nga toka e tyre ky mekanizëm është. Do i thyejnë xhamin, do e heqin copa copa për ta larguar nga toka e tyre”, tha Pjetra.

Avokati paralajmëron se protestat do të vijojnë, dhe pretendon se të lënduarit nga përplasjet gjatë qëndresës së tyre, nuk ishin policët por ata vetë.

“Protesta do të vazhdojë. Shqipëria duhet të solidarizohet se nesër do t’i bjeri në kokë secilit. Dihet që dokumentet janë të falsifikuara. Ku është i plagosur. Të plagosurit janë këta. Një e kemi parë që është rrëzuar duke iku në vrap”, tha ndër të tjera avokati Ndue Pjetra.

Për përplasjet e dhunshme të fundshkurtit, policia në Velipojë arrestoi edhe një 51-vjeçar në fshatin Pulaj. Ai akuzohet se në bashkëpunim me të tjerë, ka penguar punimet për ndërtimin e resortit, ka goditur punonjësit e kompanisë së sigurisë private, si dhe ka shkatërruar makineri të firmës.

Këtë të hënë, punimet kanë vijuar normalisht pa praninë e banorëve të Rrjollit, ndërsa firma “Gener 2 ka ngritur edhe një mur rrethues.

Para një muaji, botuesi Bashkim Ulaj, qe gezon statusin e investitorit strategjik nisi punën për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Ky truall është objekt konflikt prej vitesh, pasi banorët pretendojnë se ua ka grabitur tokat me dokumente false, një ish-zyrtar që më pas ia ka shitur Ulajt. Të vendosur, banorët e Rrjollit shprehen se nuk lejojne ndertimin e resortit derisa drejtesia të vendosë për pronat.