Protestat kundër masave anti-COVID, policia kanadeze fillon arrestimet e qytetarëve në Otavë

Protestat kundër masave anti-COVID, policia kanadeze fillon arrestimet e qytetarëve në Otavë

Policët në Kanada

OTAVË, Ontario - Policia filloi arrestimet dhe largimin e automjeteve në përpjekje për të hequr bllokimin trejavor të kryeqytetit kanadez nga qindra shoferë kamionash të zemëruar me kufizimet që Kanadaja ka vendosur për COVID-19.

Qindra oficerë policie, disa me paisje të forcave speciale dhe me armë automatike, hynë në zonën e protestës dhe larguan demonstruesit me pranga përmes rrugëve të mbuluara me dëborë të Ontarios, ndërsa boritë e kamionëve vazhdonin të binin në shenjë mosbindjeje.

Pati përplasje sporadike dhe policia zmbrapsi turmën që thërriste "Liri!" dhe këndonte himnin kombëtar. Për të fshehur identitetin, drejtuesit e karroatrecëve mbanin maska skish jeshile dhe kishin mbuluar mbishkrimin mbi mjetet e tyre ku gjendet normalisht emri i kompanisë përkatëse.

Ata mbërritën me eskortë policore dhe filluan të hiqnin traktorët, kamionët dhe mjetet që ishin vendosur ngjitur me njëri-tjetrin pranë godinës së parlamentit. Disa protestues u dorëzuan dhe disa kamionë u tërhoqën vetë ndërsa filloi shpërndarja e Karvanit të Lirisë. Kryeministri i provincës Ontario, Doug Ford shkruajti në mesditë se "ka tregues që po fillojmë të shohim progres".

Por, shumë protestues vazhduan mosbindjen dhe nuk lëvizën.

"Liria nuk ka qenë kurrë falas", tha kamionisti Kevin Homaund, nga Montreali. "E çfarë pastaj nëse na vënë prangat dhe na çojnë në burg?".

Kryeqyteti me rrugët e tij të paralizuara ishte pika e fundit e fortë e kësaj lëvizjeje, pas tre javësh demonstratash dhe bllokimi që ndërpreu edhe kalimin e kufirit me Shtetet e Bashkuara, duke krijuar dëm ekonomik për të dyja vendet dhe duke krijuar një krizë politike për Kryeministrin Justin Trudeau. Ato gjithashtu lëkundën reputacionin e Kanadasë për civilitetin e saj, dhe disa nga kundërshtarët e lëvizjes fajësuan për këtë influencën e Shteteve të Bashkuara.

Gjatë javëve të fundit, autoritetet hezituan të reagonin ndaj protestuesve, pjesërisht për shkak se i ndruheshin dhunës. Demonstratat kanë tërhequr ekstremistë të djathtë dhe veteranë, disa prej të cilëve të armatosur.

Ndërsa policia dhe qeveria po përballeshin me akuzat se i lejuan protestuesit të fitonin forcë dhe të shtoheshin, zoti Trudeau aktivizoi të hënën Ligjin Kanadez të Emergjencave, duke i dhënë forcave të zbatimit të ligjit autoritet të jashtëzakonshëm për t'i shpallur bllokadat të paligjshme, për të larguar kamionët, për të arrestuar shoferët, për të pezulluar lejet e tyre të drejtimit dhe për të ngrirë llogaritë e tyre bankare.

Policia e Otavës hodhi hapin e saj të parë për t'i dhënë fund bllokimit të enjten vonë me arrestimin e dy drejtuesve kryesorë të protestës. Autoritetet gjithashtu mbyllën pjesën më të madhe të zonës së qendrës së qytetit, duke ua ndaluar personave nga jashtë zonës së qendrës që t'u vinin në ndihmë protestuesve.

Ligji i emergjencave gjithashtu u mundësoi autoriteteve të zbatimit të ligjit të detyrojnë kompanitë e karroatrecëve që të ndihmonin. Policia e Otavës tha më herët se nuk mund të gjenin shoferë karroatrecësh të gatshëm për të ndihmuar, sepse ata ose e mbështesnin lëvizjen, ose kishin frikë nga hakmarrja.

Ndërsa policia po punonte për të hequr bllokadën, Pat King, një nga udhëheqësit e protestës që ka bërë komente për supremacinë e bardhë në të kaluarën, u tha kamionistëve: "Ju lutemi qëndroni të qetë", duke kërcënuar ndërkohë kompanitë e karroatrecëve.

“Ju po kryeni vetëvrasje në karrierë”, paralajmëroi zoti King në Facebook. "Ne e dimë se nga erdhën kamionët".

Vetë zoti King u arrestua më vonë nga oficerët që rrethuan makinën e tij.

Policia e Otavës e kishte bërë të qartë prej ditësh se po përgatitej t'i jepte fund protestës dhe mund të largonte në çdo moment mbi 300 kamionët e pranishëm. Të premten, edhe pse operacioni po zhvillohej, policia bëri një raund tjetër paralajmërimesh përmes mediave sociale dhe altoparlantit, duke u ofruar protestuesve një mundësi më shumë për t'u larguar dhe për të shmangur arrestimin.

Disa u përgjigjën duke u kapur krah-për-krah, ndërsa oficerët formuan një vijë për t'i zmbrapsur.

“Kjo nuk është Kanadaja. Ne nuk kemi nevojë për një vend të ndarë!” bërtiti një grua.

Dan Holland, një protestues nga Londra e Ontarios, bëri gati për ta larguar makinën e tij, e cila ishte e parkuar në mes të kamionëve, ndërsa policia po afrohej. "Nuk dua të rrihem nga kjo polici", tha ai.

Fëmijë të veshur me pallto dhe kapele qëndronin në mes të turmës. Policia tha se protestuesit i kishin vendosur të rinjtë në mes të përplasjes dhe se do t'i zhvendosnin ata në një vend më të sigurt.

Dy drejtuesit e protestës të arrestuar një ditë më parë pritej të dilnin në gjykatë të premten. Ndër akuzat ishte edhe "mosbindje dhe pengim i policisë".

Bllokada zemëroi shumë banorë të Otavës, të cilët u ankuan se po ngacmoheshin dhe po i frikësonin në rrugë. Ata morën një urdhër gjykate për të ndaluar rënien e pandërprerë të borive nga kamionistët.

Demonstratat në të gjithë vendin nga protestuesit në kamionë, traktorë dhe rulo fillimisht u përqëndruan në detyrimin e vendosur nga Kanadaja për vaksinimin e kamionistëve që hynin në vend, por shpejt u shndërruan në një sulm të gjerë ndaj masave parandaluese për COVID-19 dhe ndaj qeverisë së zotit Trudeau.

Kryeministri Trudeau i portretizoi protestuesit si anëtarë të një elementi "të skajshëm" dhe vetë kanadezët kanë pranuar përgjithësisht kufizimet e vendosura për COVID-19. Shumica dërrmuese e popullsisë është vaksinuar, përfshirë gati 90% të shoferëve të kamionëve të vendit. Disa nga urdhëresat për vaksinimin dhe mbajtjen e maskave të vendosura nga provincat tashmë po shfuqizohen me shpejtësi.

Bllokada më e madhe kufitare, në Urën Ambasador që lidh Uindsorin e Ontarios me qytetin amerikan Detroit, ndërpreu tregtinë e pjesëve të automjeteve midis dy vendeve dhe e detyroi industrinë e automjeteve të kufizonte prodhimin. Autoritetet e hoqën bllokadën fundjavën e kaluar pasi arrestuan dhjetëra protestues.

Bllokada e fundit kufitare, në Manitoba, përballë Dakotës së Veriut, përfundoi paqësisht të mërkurën. Protestat janë përshëndetur dhe kanë marrë donacione nga konservatorët në Shtetet e Bashkuara./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano