Protesta para kryeministrisë që kërkon dorëheqjen e qeverisë, arrin në ditën e saj të 59-të, me pjesëmarrje gjithnjë e më në tkurrje.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila mori fjalën në podium, foli fillimisht për protestat para parlamentit duke hedhur akuza për reagim jo proporcional të policisë.

“Mbledhja te Parlamenti është një akt simbolik kundërshtimi ndaj një institucioni që nuk përfaqëson më interesat e qytetarëve dhe klasa politike ka zgjedhur të mos dëgjojë më shqiptarët. Që në momentin e mbërritjes sonë u përballëm me një prani policore joproporcionale. Dhjetëra policë me shkopinj gome dhe autobotë ishin vendosur përballë, gjë që nuk justifikohej nga numri dhe sjellja e protestuesve. Megjithëse nuk provokuam, gjashtë qytetarë u shoqëruan. Shoqërimet arbitrare përbëjnë intimidim dhe presion për të ulur pjesëmarrjen. Disa u goditën me spray me piper. Kjo cenon parimin e proporcionalitetit”, tha Vatnikaj.

Një fjalim erdhi edhe nga nënë Liza, banorja e njohur e “5 Majit” që tha se Rama dhe qeveria duhet të japin dorëheqjen nëse janë “burra.” Më pas ajo i bëri thirrje policisë t’i bashkohet protestës.

“Edi Rama, bashkë me qeverinë e tij, po të jenë burra, të dalin sot këtu para popullit dhe të japin dorëheqje. Policia nuk duhet të jetë kundër popullit. Policia të heqë kapelet dhe të bashkohet me popullin. Unë marr vetëm 150 mijë lekë, ça të paguaj më parë, dritat apo ujë?! Këta kanë zgjedhur ca kanë dashur vetë”, tha nënë Liza.

Një tjetër protestues, me një letër në dorë që shkruante “Kontrata” duke iu referuar fjalëve të kryeministrit Rama se “ka kontratë me 800 mijë shqiptarë”, tha se kjo erdhi në moment dyzimi. Më pas, si gjest simbolik, ai grisi letrën.

“Shqiptarët e votuan në një moment historik kur ishin të dyzuar por s’do te thotë se duan.  Ne do ta grisim kontratën”, tha ai duke përsëritur kërkesën e dorëheqjes.

Pas fjalimeve, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, i cili përfundoi në orën 22:29.

Lajm në përditësim...