Bojkotin e PD-së në Parlament, Ervin Salianji e sheh si një tjetër shërbim që Sali Berisha po i bën pushtetit të Edi Ramës. Sipas tij, ditën kur qytetarët protestojnë, në vend që të përballet me Edi Ramën dhe të jetë mburojë politike për protestuesit, Berisha braktis Parlamentin dhe largohet.

“Sali Berisha ka zgjedhur t’i shërbejë deri në fund Edi Ramës. Ditën kur qytetarët protestojnë përballë Parlamentit, në vend që të përballet me Edi Ramën dhe të jetë mburojë politike për protestuesit, ai braktis Parlamentin dhe largohet. Në ditët më të zeza per Edi Ramën, Berisha zgjedh te shkatërrojë Partine Demokratike!” tha Salianji

Ai u ndal edhe në zgjedhjet për Kryesinë, duke deklaruar se si kryetar uzurpator, përjashtoi njerëzit me kontributin më të madh.

“E njëjta logjikë sundon edhe brenda Partisë Demokratike. Si kryetar uzurpator, përjashton nga Kryesia njerëzit me kontributin më të madh. Më të votuarit nga qytetarët rezultojnë më të pavotuarit në Kryesinë e Sali Berishës. Ata që kanë mbajtur peshën e opozitarizmit për 13 vite ose lihen jashtë, ose renditen në fund. Qarqe si Korça dhe Shkodra mbeten pa asnjë përfaqësues, ndërsa edhe qarqet fituese injorohen dhe nuk përfaqësohen siç duhet. Një opozitë nuk mund të fitojë duke përjashtuar meritën, votën dhe kontributin dhe duke futur anonimë që nuk i njeh askush përveç rrjeteve sociale si fansa të uzurpatorit!” tha Salianji duke e quajtur Berishën ‘kambalecin politik të Edi Ramës.’

Sipas tij, që të largohet Edi Rama, më parë duhet larguar pengesa më e madhe të opozitës Sali Berisha, i cili sipas tij është kthyer në kambalecin politik të Edi Ramës.

“Nëse duam të largojmë Edi Ramën, duhet të largojmë më parë pengesën më të madhe të opozitës: Sali Berishën, i cili është kthyer në kambalecin politik të Edi Ramës. Ne nuk do i lemë demokratët të vetëm, kontributi i tyre do të vlerësohet!” tha Salianji