Një pedagog dhe përfaqësues i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve i është bashkuar mbrëmjen e sotme protestës para Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, ai tha se sindikata ka dalë në mbështetje të protestës dhe u bëri thirrje studentëve që t’i bashkohen asaj.

Profesori theksoi se pesë kërkesat e ngritura nga protestuesit janë të rëndësishme për vendin dhe duhet të merren në konsideratë nga qeveria.

Duke folur për arsimin dhe shëndetësinë, ai tha se degë si mjekësia dhe inxhinieria duhet të mbeten përgjegjësi e shtetit dhe jo të kalojnë në duart e privatit. Profesori kritikoi edhe situatën në disa universitete private, duke kërkuar kontrolle më të forta nga institucionet.

“Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit dhe të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, e cila, në një deklaratë të posaçme, i dha mbështetje protestës qytetare ku pjesëmarrës janë studentët. I bëj thirrje të gjithë studentëve që të vijnë dhe të mbështesin protestën për Shqipërinë europiane. Kjo protestë është qytetare, paqësore dhe 5 kërkesat janë më të rëndësishmet për vendin tonë, ndaj qeveria duhet t’i plotësojë ato. Mjekësia dhe inxhinieria nuk mund të jenë në duart e privatit, duhet të jenë përgjegjësi e shtetit. Ndaj qeveria t’i thërrasë mendjes. Universitetet kioska t’i kontrollojë dhe t’i kalojë studentët te publiku”, pohoi ai.


Lajmi kryesor:

Tkurret gjithnjë e më shumë protesta, pas kërkesave për arrestimin e Ramës dhe Berishës vjen thirrja e pazakontë për ish-kreun e SPAK: Altin Dumani në burg!