Policia nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjeve me protestuesit dhe do të ndërhyjë vetëm për të ndaluar aktet e dhunës. Këtë e garanton ministri i Brendshëm Ervin Demo, i cili, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por në të njëjtën kohë edhe qeveria është e gatshme për dialog me protestuesit në çdo kohë.

" E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë. Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari.

Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit.

Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj. Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë.

Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim.

Ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit." shkroi ai në Facebook. 


Lajmi kryesor:

'Protesta është e drejtë, dhuna jo', Demo fton protestuesit në dialog! Balla kërkon hetim për të maskuarit në PD: Do fshihen serverat si më 21 Janar! Gogu e Ibrahimaj: Tirana nuk meriton kaos