Belgjika po shqyrton krijimin e një brigade të re të lëvizshme sigurie, pas protestave të dhunshme që përfshinë vendin gjatë fundjavës. Njësia e re, e cilësuar si “Xhandarmëri 2.0”, synon të forcojë ndërhyrjen e forcave të sigurisë gjatë trazirave dhe demonstratave të dhunshme.

Sipas agjencisë Belga, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë nisur diskutimet për ngritjen e kësaj njësie, e cila do të veprojë nën autoritetin e Ministrisë së Brendshme.

Plani vjen pasi policia belge arrestoi 195 persona gjatë protestave të së shtunës në Bruksel dhe Liezhë, kundër politikave arsimore dhe shkurtimeve të buxhetit.

“Kur ka trazira, siguria duhet të rritet”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, duke theksuar nevojën për më shumë forca që mund të ndërhyjnë në situata dhune.

Sipas propozimit, Ministria e Mbrojtjes do të marrë përsipër trajnimin ushtarak të oficerëve, të cilët më pas do të vihen në dispozicion të Ministrisë së Brendshme.

“Ne kemi nevojë për një rezervë operacionale me trajnim ushtarak. Kur dhuna është kaq ekstreme, ne duhet të jemi në gjendje të mbrojmë qytetarët”, tha Francken.