Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pranojë ankimin e disa shoqatave e grupeve studentore kundër aktit normativ të Qeverisë, që ndërhyn në ligjin për tubimet duke parashikuar masa të reja shtrënguese për aktet e dhunës në protesta. Derisa të shprehet me vendim përfundimtar, Gjykata ka pezulluar atë pikë të aktit që parashikon një gjobë 5 mijë lekë të rinj, për bllokimin e rrugëve dhe pengimin e qarkullimit të automjeteve. Ky nen rezulton të jetë përdorur në pothuajse mbi 330 gjobat e vendosur deri tani nga policia.
Pika e aktit normativ që u pezullua nga Gjykata Kushtetuese:
"2. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kur
veprimi nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë bllokimi, për
çdo person fizik (individ), që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite."
Gjykata e mori këtë vendim pasi sipas saj, kjo pikë e Aktit “rezulton të jetë formuluar në terma të përgjithshëm dhe nuk bën dallim nëse ky sanksion zbatohet ndaj pjesëmarrësve në çdo lloj tubimi, pra edhe në ato për të cilat është dhënë autorizimi përkatës. Për këtë shkak ky formulim është i tillë që lejon paqartësi gjatë zbatimit, për rrjedhojë mund të sjellë edhe pasoja serioze dhe të pariparueshme në ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese”.
Gjykatës i ishte kërkuar pezullimi dhe i disa pjesëve të tjera të Aktit Normativ, që nga neni i plotë që vendos kufizime të përkohshme të organizimit të protestave, te neni që parashikon ndërhyrjen kundër thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve apo dhe të pikës që parashikon gjoba nga 10 mijë deri 100 mijë lekë të rinj për pjesëmarrje në tubime të ndaluara.
Sipas Kushtetueses, argumentet për pezullimin e tyre “nuk mjaftojnë për të provuar, në këtë fazë të procedurës, ardhjen e pasojave të rënda ose të pariparueshme në të drejtat ose liritë kushtetuese të shtetasve, në këtë rast ajo e lirisë së tubimit paqësor”.
Akti normativ i qeverisë hyri në fuqi më 29 tetor. Padi e shoqatave dhe grupimeve studentore iu paraqit Gjykatës Kushtetuese me 5 nëntor. Kolegji I kësaj Gjykate nuk arriti dakortësi për pranimin ose jo të ankimit, duke ia kaluar çështjen për shqyrtim Mbledhjes së gjyqtarëve, e cila një ditë më parë vendosi ta pranojë, ndërsa këtë të enjte u mblodh për të vlerësuar kërkesat për pezullimin e disa pjesëve të ligjit.
Anëtarët e Gjykatës kanë qenë të ndarë në vendimmarrjen e sot. Dy prej tyre, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, kanë qenë të mendimit se duheshin pezulluar të gjitha dispozitat e kërkuara. Sipas tyre “efekti i përbashkët i këtyre masave ngre, prima facie, dyshime serioze për respektimin e parimit të proporcionalitetit. Në veçanti, gjobat prekin drejtpërdrejt të drejtën e pronës të personave ndaj të cilëve vendosen, ndërsa vetë mundësia e gjobitjes mund t’i dekurajojë individët të marrin pjesë në tubime”, duke vënë në dukje se “barra financiare mund të jetë veçanërisht e rëndë për studentët dhe të rinjtë, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të protestuesve”.
Dy gjyqtaret vlerësojnë po ashtu se, nisur nga fakti që në incidentet e dhushme janë përfshirë edhe efektivë të policisë, ndërsa ndëshkimet prekin vetëm protestuese, atëherë kjo “krijon përshtypjen se akti normativ synon vetëm disiplinimin e tyre. Mungesa e masave që do të konkretizonin përgjegjësitë e Policisë së Shtetit dhe të autoriteteve të tjera në përmbushjen e detyrimit pozitiv të shtetit për të garantuar zhvillimin paqësor të tubimeve i përforcon dyshimet për proporcionalitetin e ndërhyrjes në liritë dhe të drejtat kushtetuese të individëve”.
Gjykata Kushtetuese ka afate relativisht të gjata në shqyrtimin e çështjeve, por në këtë rast Mbledhja e gjyqtarëve ka vendosur “të shqyrtojë me përparësi themelin e pretendimeve të kërkuesve në lidhje me kushtetutshmërinë e masave kufizuese të miratuara me aktin normativ.”

Kliko këtu per të vendimin e plotë Kushtetueses









Komente
Komento