Protestat kundër investimit 4 miliardë dollarë në Zvërnec po ushqehen edhe nga faktorë të jashtëm. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për televizionin francez “France 24”, ku përmendi Iranin dhe konkurrentë në rajon si pjesë të ndërhyrjeve që, sipas tij, synojnë të pengojnë zhvillimin e projektit.

“Pikërisht kjo po ndodh. Ka shumë ndërhyrje, qoftë nga Irani, me të cilin jemi në një luftë kibernetike prej tre vitesh, qoftë nga konkurrentë në rajon që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri. Ka edhe shqetësimet e një pjese të popullsisë që dëshiron gjëra të tjera. Por ne jemi zgjedhur për të bërë atë që kemi premtuar dhe mes premtimeve është edhe ky projekt”, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se protestat po zhvillohen në Tiranë, ndërsa sipas tij në Vlorë, ku projekti pritet të ndërtohet, qytetarët e mbështesin.

“Është shumë interesante, sepse në Tiranë ka protesta, ndërsa në Vlorë, ku projekti duhet të realizohet, njerëzit e duan projektin”, deklaroi Rama.

Edhe një ditë më parë, gjatë një interviste për Financial Times, Rama tha se është i bindur se planet për zhvillimin e bregdetit do të ecin përpara pavarësisht protestave.