Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur protestën e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve. Me një postim në Facebook, ku ka postuar video nga protesta sot në Tiranë, Meta shkruan se 'populli ynë i jashtëzakonshëm' meriton respekt dhe përulësi nga e gjithë klasa politike. Po ashtu ai ka bërë thirrje që të lirohen protestuesit e arrestuar.

"Ky është populli ynë i jashtëzakonshëm, që meriton respekt dhe përulësi nga e gjithë klasa politike! Lironi studentët, gratë dhe rininë tonë patriotike!", shkruan Meta.

Për të katërtën ditë me radhë, qytetarët u ngritën sot në protestë, duke kërkuar ulje të çmimit të naftës dhe të produkteve të shportës. Ata qëndruan për dy orë para kryeministrisë, ndërsa më pas u transferuan drejt Drejtorisë së Policisë, duke kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar.

Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, në vendin tonë është vënë re një rritje e shpejtë e çmimeve të produkteve të shportës dhe çmimit të naftës. Ndërkohë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit vendosi sot se çmimi i naftës deri më 15 mars do të jetë 217 lekë për litër.