Udhëheqja klerike e Iranit shpesh e ka lavdëruar ndikimin e sportit në bashkimin e kombit, por lavdërimet mund të kthehen shpejt në dënim për atletët që guxojnë të dalin jashtë linjës.
Që nga Revolucioni Islamik në vitin 1979, një numër i madh sportistësh që kanë treguar gjithçka, veçse besnikëri të plotë ndaj institucionit klerik, u është ndaluar pjesëmarrja në gara, janë arrestuar apo edhe janë ekzekutuar. Mes protestave masive antiqeveritare që kanë shpërthyer vitet e fundit, personazhet e sportit që kanë ngritur zërin janë sërish në shënjestër të autoriteteve.
Ayatollah Ruhollah Khomeini gjatë takimit me sportistët iranianë.
Ndërsa takonte një grup atletësh iranianë në vitin 1979, lideri i atëhershëm suprem, Ayatollah Ruhollah Khomeini, shprehu besimin e tij në aftësinë e tyre për të përdorur garat ndërkombëtare për të përhapur idealet e revolucionit në të gjithë globin.
"Unë nuk jam sportist, por i dua sportistët. Unë i dua ata që bëjnë mirë, megjithëse nuk jam njëri nga ta”, tha ai. “Lus Zotin, të bekuarin dhe të lartësuarin, që t’ju dhurojë suksese më të mëdha juve të rinjve, që jeni pasuria e këtij vendi dhe burimi i shpresës për kombin dhe Islamin, në sport dhe në të gjitha dimensionet njerëzore”.
Por jo të gjithë atletët iranianë i përshtaten sistemit. Midis yjeve të shquar që mungonin nga fotografia ishte ylli i futbollit, Habib Khabiri, një faktor kyç në marshimin e Iranit drejt Kupës së Botës, e para e Iranit, në vitin 1978. Derisa Khabiri do të vazhdonte të ishte kapiten i skuadrës kombëtare në vitin 1980, ai përfundimisht do të paguante çmimin për mosbesnikërinë e tij të supozuar ndaj revolucionit.
Teksa Khabiri fillimisht iu bashkua protestave në rrugë që sollën revolucionin, ai më vonë dyshohet se iu bashkua Organizatës Mujahedin-e Khalq (MKO), e cila kishte marrë pjesë në Revolucionin Islamik, por shpejt u cilësua një kërcënim nga struktura e reja klerike.
Një foto ekipore e bërë para një loje në vitin 1982, në të cilën Khabiri është lojtari i vetëm që nuk mban portretin e Khomeinit, është marrë prej kohësh provë e dallimeve të tij me autoritetet.
Shoku i skuadrës, Ebrahim Kian Tahmasebi, i cili gjithashtu shihet në foto, ka shpjeguar historinë e saj.
“Habib e ktheu foton e Khomeinit përmbys në dhomën e zhveshjes”, tha Tahmasebi për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë nga Suedia. Dhe kur lojtarët e tjerë u kthyen kundër tij, Khabiri nuk lëvizi. “Habibi ishte i qetë si gjithmonë dhe tha: “Revolucioni nuk do të përmbyset duke përmbysur foton”.
Futbollisti Habib Khabiri
Në vitin 1983, teksa autoritetet goditën simpatizantët e dyshuar dhe anëtarët e MKO-së, e cila deri atëherë haptazi bëri thirrje për përmbysjen e Khomeinit dhe ishte rreshtuar me Bagdadin në luftën Iran-Irak, Khabiri u arrestua.
Pasi iu nënshtrua torturave në burg, sipas shokëve të burgosur dhe shokëve të skuadrës, Khabiri u ekzekutua në moshën 29-vjeçare së bashku me 40 disidentë të tjerë të dyshuar në korrik të vitit 1984.
Trendi vdekjeprurës
Rastet e fundit që përfshijnë figura të shquara sportive të kapura në shtypjen e protestave të vazhdueshme antiqeveritare kanë disa ngjashmëri me atë të Khabirit. Dy atletë janë ekzekutuar pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, ndërsa të tjerë janë vrarë gjatë protestave, janë arrestuar ose u janë nënshtruar presioneve për të përmbushur kërkesat e autoriteteve.
Shumë prej tyre u janë nënshtruar gjyqeve të rreme me pak ose aspak mundësi për të mbrojtur veten, sipas grupeve të të drejtave të njeriut. Dhe familjarët e sportistëve shpesh janë përballur gjithashtu me presion.
Navid Afkari, i cili u ekzekutua.
Navid Afkari, dikur një nga mundësit iranian, i renditur më së larti, u ekzekutua në moshën 27-vjeçare në shtator të vitit 2020 pasi u dënua për vrasjen e një roje sigurie gjatë protestave antiqeveritre në qytetin jugor të Shirazit në vitin 2018.
Kishte thirrje në mbarë botën që Afkari të falej, dhe ekzekutimi i tij u dënua nga grupet e të drejtave të njeriut, të cilët e kritikuan gjyqin si një "shtrembërim i drejtësisë" që ia mohoi përfaqësimin ligjor dhe refuzoi të merrte parasysh dëshminë e tij.
Fjalët e fundit të regjistruara të ish-kampionit të mundjes ishin: “Nëse më ekzekutojnë, dua ta dini se një person i pafajshëm, edhe pse u përpoq dhe luftoi me të gjitha forcat për t’u dëgjuar, u ekzekutua”.
Një avokat që mbrojti Afkarin argumentoi se nuk kishte prova fajësie dhe tha se familja nuk u lejua ta takonte atë para ekzekutimit, që është shkelje e ligjit iranian. Vëllezërit e tij, Vahid dhe Habib, u dënuan me 54 dhe 27 vjet burgim për të njëjtin rast.
Shumë iranianë e dënuan ekzekutimin e tij në mediat sociale dhe pasi atletët e tjerë iranianë janë shënjestruar nga autoritetet.
Në shtator të vitit 2021, Shahin Naseri, një i burgosur që pretendonte se ishte dëshmitar i torturimit të Afkarit para ekzekutimit të tij, u ekzekutua vetë.
Protestat masive që shpërthyen në shtator për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, menjëherë pasi ajo u arrestua nga policia e moralit për gjoja shkelje të ligjit të hixhabit, kanë rezultuar gjithashtu në arrestimin dhe vdekjen e figurave sportive që e mbështetën kauzën e saj.
Në janar, tre herë kampioni i karatesë për të rinjtë dhe anëtari i ekipit kombëtar, Mohammad Mehdi Karami, u ekzekutua pasi u shpall fajtor për përfshirjen në vdekjen e një anëtari të forcave paraushtarake Basij gjatë një demonstrate në qytetin Karaj, në perëndim të Teheranit.
Ekzekutimi i Karamit u bë vetëm 65 ditë pas arrestimit dhe pas një gjyqi ku atij iu dhanë vetëm 15 minuta kohë për t'u mbrojtur në gjykatë. 22-vjeçarit iu mohua e drejta për të zgjedhur përfaqësuesin e tij ligjor dhe kishte nisur një grevë urie në shenjë proteste. Aktivistët pretenduan se Karami u rrah nga rojet e burgut dhe u kërcënua me përdhunim ndërsa ishte në burg, dhe grupet e të drejtave thanë se gjykata mbështetej në rrëfimet e detyruara.
Nga 16 personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e oficerit të Basijit, Karami dhe një tjetër u ekzekutuan, ndërsa të tjerët, përfshirë të mitur, u dënuan me burgime të gjata.
Ndëshkimet shtetërore
Një nga yjet më të mëdhenj të ekipit kombëtar të futbollit të Iranit, Ali Daei, hasi në telashe pasi shprehu mbështetje për protestat. Në dhjetor, ish-lojtarit dhe trajnerit 53-vjeçar iu mohua e drejta për t'u larguar nga vendi për të ndjekur paraqitjen e Iranit në Kupën e Botës në Katar. Atij gjithashtu i është mbyllur biznesi nga autoritetet iraniane për shkak të mbështetjes së shprehur për protestat.
Voria Ghafouri, e cila u la jashtë ekipit ë Kupës së Botës, u arrestua në nëntor për "fyerje të ekipit kombëtar të futbollit dhe propagandë kundër Qeverisë" vetëm disa ditë pasi shprehu simpatinë për familjen e Aminit dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund shtypjes shtetërore ndaj protestuesve.
Anëtarët e ekipit kombëtar thuhet se patën një bisedë me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike pasi u duk se mbështetën protestat duke abstenuar nga këndimi i himnit kombëtar të Iranit para ndeshjes së tyre me Anglinë.
Në janar, mundësit Mohammad Namjoo-Motlagh i tha Radios Farda se po kërkonte azil në Gjermani pasi u përball me "kërcënime të vazhdueshme dhe presion psikologjik" nga Federata iraniane e Mundjes dhe organe të tjera shtetërore për mbështetjen e tij për protestat.
Amir Nasr-Azadani
Në të njëjtin muaj erdhi lajmi se një dënim me vdekje i dhënë për Amir Nasr-Azadani, një futbollist që luajti për një numër klubesh në ligën më të lartë vendase të Iranit dhe kishte bërë fushatë për të drejtat e grave, ishte anuluar. Por Nasr-Azadani, i cili muajin e kaluar u shpall fajtor për bashkëpunim në vrasjen e tre oficerëve të Basijit gjatë protestave, ende përballet me 16 vjet burgim.
Trendi i ndëshkimit të figurave sportive që protestojnë është rritur.
Kampionia e ngjitjeve, Elnaz Rekabi, gjatë garave në Korenë e Jugut
Në tetor, kampionia e ngjitjeve, Elnaz Rekabi, mori pjesë në garat e Koresë së Jugut pa flokët e mbuluara, një shkelje e rregullave të rrepta të Iranit gjatë garave ndërkombëtare. Ky akt u pa gjerësisht si një mbështetje për protestat.
Kur Rekabi u kthye në Iran, ajo kërkoi falje, për çka disa kolegë atletë thanë se ishte e detyruar. Në prill, u raportua se ajo nuk u lejua të largohej nga vendi për të vazhduar stërvitjen e saj në Spanjë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Sara Khadem, një shahiste iraniane, konkurroi pa shall në një turne ndërkombëtar në Kazakistan. Ajo refuzoi të kthehej në Iran nga frika e ndëshkimit dhe u transferua në Spanjë me burrin e saj. Së fundmi, teksa garonte në një turne atje, ajo se nuk është penduar për veprimet e saj.
Të paharruar
Deri më sot, Teherani nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e arrestimit të Khabibit, akuzat kundër tij, apo detaje në lidhje me gjyqin ndaj tij.
As anëtarët e familjes së tij nuk janë lejuar të marrin pjesë në funeralin e tij.
Por trashëgimia e tij është e pamohueshme, si brenda dhe ashtu edhe jashtë fushës.
Gazetari Faridun Shibani, i cili udhëtonte me kombëtaren kur luante Khabibi, tha se kishte disa gjëra për njeriun dhe lojtarin që ai nuk mund t'i shkruante në atë kohë.
“U dashurova me moralin e këtij të riu”, tha Shibani për Radio Farda. "Habib është një nga liderët në njohjen dhe kundërshtimin e Republikës Islamike. Ai ua hapi sytë të tjerëve ndaj sistemit të ri".
I varrosur në fshehtësi në një varr pa emër, autoritetet përfundimisht u dorëzuan ndaj presionit të publikut, duke lejuar një gur varri të thjeshtë që mban emrin e legjendës së futbollit në varrezat Behesht-e Zahra të Teheranit.REL