Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë qenë në qendër të takimit që ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Gjatë bisedës, Hoxha theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një liri themelore demokratike, ndërsa dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike apo private nuk mund të pranohen si mjete të shprehjes politike.
Ministri u ndal edhe te nevoja për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe respektimin e shtetit të së drejtës, duke theksuar se veprimet e autoriteteve publike duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale.
Hoxha deklaroi se qeveria është e gatshme për dialog në çdo kohë, kudo dhe me këdo që nuk është i përfshirë në akte dhune. Sipas tij, dialogu është mënyra më e mirë për të kapërcyer dallimet dhe për të adresuar shqetësimet.
Në takim u diskutua edhe për procesin e integrimit europian, të cilin ministri e cilësoi objektiv strategjik kombëtar.
“Momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë tonë dhe jo të na shmangin nga reformat, standardet demokratike dhe përgjegjësitë që burojnë nga ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, u shpreh Hoxha.
Ai vlerësoi gjithashtu shkëmbimin e mendimeve me ambasadorët dhe angazhimin e partnerëve europianë në mbështetje të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së.


Komente
Komento