Janë të paktën 4.029 persona të vrarë gjatë protestave që shpërthyen në Iran më 28 dhjetor, në revoltë kundër tiranisë së ajatollahëve. Ky është bilanci i bërë publik dje nga Agjencia e Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (Hrana). Shifra përfshin edhe 28 të mitur dhe 35 civilë që nuk po merrnin pjesë në protesta. Po ashtu, janë vrarë 180 anëtarë të forcave të sigurisë ose persona të lidhur me regjimin. Organizata bën të ditur se 9.049 vdekje të tjera janë ende në proces verifikimi.
Sot është dita e 24-t e protestave. Vazhdon pamundësia për të pasur akses në Internet ose në sisteme të tjera komunikimi; në këtë mënyrë qeveria iraniane shpreson të frenojë përhapjen jashtë vendit të lajmeve mbi kryengritjet e qytetarëve iranianë që kërkojnë lirinë. Sipas Hrana-s, treguesit e lidhjes së Iranit me internetin global janë raportuar në nivele jashtëzakonisht të ulëta ditët e fundit. Sa i përket arrestimeve, është konfirmuar ndalimi i 26.019 personave. Gjithashtu, Hrana raporton 167 raste rrëfimesh të detyruara dhe 5.811 persona me plagë të rënda. Për shkak të vështirësive në komunikim, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Në rrjetet sociale ka reaguar sërish princi Reza Pahlavi: «Ky është mesazhi im për Ali Khamenein, udhëheqësin e regjimit pushtues iranian: je një kriminel anti-iranian. Nuk ke as nder e as njerëzi. Duart e tua janë të mbuluara me gjakun e dhjetëra mijëra iranianëve, gjakun e fëmijëve, të rinjve, të pafajshmëve», ka thënë ai, duke evokuar më pas një Nuremberg për Iranin: «Nuk ka rrugë shpëtimi. Nuk do të kesh asnjë vend ku të fshihesh».
Në mbështetje të djalit të shahut, disa hakerë kanë arritur të ndërpresin transmetimet satelitore të televizionit shtetëror iranian, duke transmetuar pamje që kërkonin kthimin e tij dhe mesazhe drejtuar forcave të sigurisë që të mos «drejtojnë armët kundër popullit». Një sulm kibernetik, shkruan sot Politico, që është shenjë e destabilizimit mediatik në kontekstin e protestave që prej javësh përshkojnë vendin.
Shtypjet brutale të protestave kanë pasur pasoja edhe në planin ndërkombëtar: ftesa drejtuar ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit është tërhequr pikërisht për shkak të vrasjeve të civilëve.
Pamjet pirate u transmetuan të dielën në mbrëmje në disa kanale satelitore të Islamic Republic of Iran Broadcasting. Videot shfaqnin dy ndërhyrje të Reza Pahlavit, të ndjekura nga skena me burra me uniformë. Një mesazh, pa verifikim të pavarur, pretendonte se disa prej tyre kishin «ulur armët dhe i kishin betuar besnikëri popullit». Më pas u bë thirrje ushtrisë dhe forcave të sigurisë: «Mos i drejtoni armët kundër popullit. Bashkohuni me kombin për lirinë e Iranit».
Zyra e Pahlavit ka konfirmuar ndërprerjen e transmetimeve ku ai shfaqej, pa iu përgjigjur kërkesave për sqarime mbi origjinën e hakerimit. Niveli real i mbështetjes që gëzon princi brenda Iranit mbetet i paqartë, edhe pse javët e fundit gjatë protestave janë dëgjuar thirrje në favor të rikthimit të monarkisë. Nuk është hera e parë që ndodh një episod i tillë. Në vitin 1986, Washington Post raportoi se CIA u kishte siguruar aleatëve të Pahlavit «një transmetues televiziv të miniaturizuar» për një transmetim të fshehtë 11-minutësh që kishte piratuar sinjalin e dy kanaleve iraniane. Më së fundmi, në vitin 2022, disa kanale kishin transmetuar pamje të grupit opozitar në mërgim Mujahedeen-e-Khalq dhe slogane që bënin thirrje për vdekjen e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei./ Corriere della Sera
Komente







