Banori i Rrjollit, Prek Molla, ka vijuar me akuzat ndaj biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, të cilin e akuzon për grabitje të pronave, me qëllim ndërtimin e resortit “Blue Borgo”.
Në një lidhje live për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Molla ka deklaruar se Policia e Shtetit është paguar për të mbrojtur Bashkim Ulajn dhe për t’ju kundërvënë banorëve të Rrjollit.
Po ashtu, Molla tha se kishte bindjen se Fatmir Shpellza, i cili pretendon se është pronar i tokave ku po ndërton Ulaj resortin, i ka dokumentet të falsifikuara.
“Deri tani kemi ardhur me mendimin që të merremi vesh të gjejmë gjuhën e përbashkët, për të gjetur një zgjidhje mes palëve, ku ne pretendojmë që jemi pronarë sipas dokumentacionit dhe atyre që pretendojnë se janë pronarë me dokumente të falsifikuara. Që janë dokumentet e falsifikuara, kjo nuk diskutohet se unë e kam paraqitur në Prokurori dhe kam bërë investigim privat ku rezulton se i gjithë dokumentacioni është i falsifikuar.
Përsa i përket protestave që ditët e fundit ka filluar të ketë pak agresivitet, po është e vërtetë sepse po e shikojmë që nuk bën ndryshe, sepse nuk po vjen asnjë nga qeveria për të na përkrahur sado pak për të kërkuar një marrëveshje. Qeveria është rregullatori kryesor mes dy palëve. Kjo është krejt normale. Nëse lind një konflikt mes dy palëve, qeveria është ajo që zgjidh problemin dhe qetëson gjendjen.
Deri tani po bëjmë 35 ditë dhe nuk kemi parë asnjë nga qeveria nuk kemi parë aty. Thirrja ime kryesore vjen për shtetin shqiptar, që duhet të bllokojë punimet sa më parë, që të mos ketë më përleshje. Policia është ajo që i shërben atij. Por nuk e di deri kur do të paguhet policia për të mbrojtur oligarkun Bashkim Ulaj”, tha mes të tjerash Molla.
Në mbështetje të banorëve të Rrjollit ka dalë edhe avokatja Alesia Balliu, e cila për Report TV ka kërkuar ndaljen e menjëhershme të punimeve për ndërtimin e resortit të Ulajt.
Duke e quajtur Ulajn një oligark që po zapton tokat e banorëve të Rrjollit, Balliu e cilësoi të drejtë protestën tyre dhe bëri thirrje që të ndalet dhuna e Policisë së Shtetit dhe policisë private ‘Breçani Security’ mbi ta.
“Është e patolerueshme dhuna e përdorur nga policia private ‘Breçani Security’, qoftë edhe ndërhyrja e Policisë së Shtetit duke proceduar një fshat të tërë që po mbronin pronën e tyre. Këtu kemi të bëjmë edhe me cënimin e sigurimit të parimit juridik, pasi edhe Gjykata e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, padiskutim që disa nga banorët e kanë fituar dhe derisa gjykata të shprehet, duhet të ndalen punimet.
Dhe padiskutim që banorët kanë të drejtën e tyre që të protestojnë, të mbrojnë pronën e tyre dhe mos të lënë që një oligark që ka lidhje me qeverinë dhe opozitën të uzurpojë pronën e tyre. Unë si avokate ofroj gjithë suportin tim dhe do kërkoja që punimet për resortin të ndalonin. Sali Berisha e ka zyrën te pallati i Bashkim Ulajt”, tha mes të tjerash Balliu.
Komente











